Ekonomia

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës nuk provon abuzime nga Bankers Petroleum

Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga Albpetrol dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) që të bëjnë parashikime mbi nevojat e tregut vendas për furnizim me naftë bruto, si dhe të mbikëqyrin planet e furnizimit të tregut nga kompania Bankers Petroleum.

Në përfundim të hetimit të thelluar ndaj Bankers Petroleum, Autoriteti nuk ka provuar abuzime me pozitën dominuese nga ndërmarrja më e madhe e nxjerrjes së naftës bruto në vend.

Hetimi është mbyllur, duke nxjerrë disa rekomandime për Albpetrol, AKBN, si dhe me vendosjen e masave detyruese ndaj ndërmarrjes në hetim, Bankers Petroleum. Kjo kompani duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Konkurrencës për vlerësim paraprak çdo draft kontratë që do të lidhë me rafineritë e përpunimit të naftës në vend.

Bankers duhet të aplikojë kushte tregtimi të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore, si edhe të furnizojë ndërmarrjet e përpunimit të naftës bruto në tregun vendas, në respektim të marrëdhënieve kontraktore bazuar në dispozitat e Kodit Civil. Gjithashtu, Bankers duhet të raportojë çdo tre muaj mbi prodhimin e naftës, kostot e aktivitetit dhe operacionet e saj hidrokarbure.

Prej vitesh, Bankers ka pasur një marrëdhënie problematike me këto subjekte, kryesisht ato që kanë administruar rafinerinë e Ballshit. Firma e fundit që e operoi këtë rafineri, Tosk Energji, është ankuar në Autoritetin e Konkurrencës se Bankers nuk e ka furnizuar me sasinë e kërkuar të naftës bruto. Nga ana e saj, Bankers shprehet se Tosk nuk ka tërhequr sasitë e kërkuara për naftë bruto, çka ka rezultuar me moskryerjen e parapagimit apo çeljes së Letër Kreditit për volumin e programuar.

Licenca dhe marrëveshje hidrokarbure që Bankers ka me Albpetrol nuk përcaktojnë kufizime lidhur me tregun e shitjes së naftës bruto. Kompania është plotësisht e lirë të shesë dhe të tregtojë naftën bruto që prodhon, në tregun vendas ose për eksport.

Rrjedhimisht, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se çështja duhet trajtuar në kuadrin e dispozitave të Kodit Civil që rregullojnë marrëdhëniet kontraktore. Neni 773 përcakton se “kur nuk është përcaktuar sasia e furnizimit, nënkuptohet se marrëveshja është për sasinë që përkon me nevojat normale të palës që furnizohet deri në kohën e përfundimit të kontratës. Në qoftë se palët kanë vendosur vetëm kufirin maksimal dhe minimal për furnizimin ose për shërbimet e veçanta, i takon atij që ka të drejtën e furnizimit të vendosë brenda kufijve të mësipërm për sasinë e duhur. Në qoftë se sasia e furnizimit duhet të përcaktohet sipas nevojave mbi një sasi minimale të caktuar në kontratë, pala që furnizohet përgjigjet për sasinë përkatëse sipas nevojave, në rast se tejkalohet sasia minimale.”

Të dhënat e Autoritetit të Konkurrencës kanë treguar se, të paktën në vitet e fundit, ndërmarrjet vendase e kanë blerë naftën bruto me çmime më të lira nga ato të kontratave që Bankers ka për eksport.

Në thelb të problemit, në dekadën e fundit, ka qenë mungesa e mjeteve të mjaftueshme financiare nga ana e ndërmarrjeve përpunuese për të paguar dhe tërhequr atë sasi nafte që kërkojnë nga Bankers Petroleum.

Puna në rafinerinë e Ballshit është ndërprerë prej një viti, që kur aktiviteti i kompanisë Tosk Energji u paralizua. Tosk Energji e mbylli vitin 2019 me humbje në vlerën e rreth 23.5 milionë eurove, ndërsa në tre vitet e operimit të rafinerisë së Ballshit akumuloi humbje për rreth 32 milionë euro. Rafineria e Ballshit është aktiviteti kryesor ekonomik në këtë qytet dhe ka lënë pa punë rreth 800 punonjës, që prej javësh po protestojnë, duke kërkuar pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button