Home / Ekonomia / Denaj fton sipërmarrjet franceze të rrisin investimet në Shqipëri

Denaj fton sipërmarrjet franceze të rrisin investimet në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë një vizite zyrtare në Francë ka ftuar të gjithë sipërmarrësit francezë të rrisin investimet në Shqipëri.

Denaj vlerësoi ndihmën e qeverisë franceze, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve.

“Marrëdhëniet ekonomike kanë pasur një rritje pozitive dhe reflektojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe. Bashkëpunimi ekonomik, referuar mundësive potenciale ka nevojë të gjallërohen dhe të intensifikohen me aksione dhe veprime konkrete. Kemi një kuadër të plotë ligjor që nxit dhe mbështet bashkëpunimin ekonomik dhe investimet direkte. Jemi falënderues për ndihmën e qeverisë franceze për zhvillimin e sektorit shëndetësor, kulturor dhe arsimor dhe së fundmi edhe në sektorin e energjisë së rinovueshme.

“Shqipëria ofron shumë mundësi që investitorët francezë t’i shfrytëzojnë dhe të rrisin prezencën e tyre në sektorin e prodhimit, energjisë, turizmit, infrastrukturës, bujqësisë dhe në veçanti në fushën e teknologjisë së informacionit”, tha Ministrja.

Ajo shtoi, se nxitja e bashkëpunimit institucional është shumë e rëndësishme veçanërisht në shkëmbimin e përvojës, eksperiencave dhe informacioneve në fushën ekonomike dhe zbatimin e suksesshëm të legjislacionit europian dhe proceset integruese.

Modelet e suksesshme të arsimit profesional në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit në Francë, sikundër edhe ato të zhvillimit të qendrave për bizneset inovative dhe start up, janë me interes të gjerë për Shqipërinë, edhe në kuadër të finalizimit të projektligjit të ri për start up-et inovative në vend.

Gjatë vizitës në Francë, Denaj, pati një takim me znj. Agnès Pannier-Runacher, ministër për Industrinë pranë Ministrisë për Ekonominë, Financat dhe Rimëkëmbjen. Gjithashtu u takua edhe me Presidenten e sapozgjedhur të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, ku diskutuan mbi prioritetet e përbashkëta të Shqipërisë dhe BERZH në rajon dhe ecurinë e projekteve në zbatim.

Franca renditet si investitori i 5-të më i rëndësishëm me 281 milionë euro, ndërsa sa i takon stokut të investimeve renditet e 8-ta me 1,033 milionë euro.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar (QKB janar 2020) janë 126 biznese franceze që operojnë kryesisht në Tiranë, në fushën e tregtisë me shumicë dhe me pakicë; në fushën e informacionit dhe komunikacionit; akomodimit dhe shërbimit ushqimor; ndërtimit, aktivitete profesionale e shkencore, etj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: