Home / Politika / Platforma “Deputeti që duam”/ Rama: Mirëpresim të rinj e të reja jo vetëm në moshë, me ide, energji dhe dëshirë
Albania's Prime Minister Edi Rama waits before a meeting of the EU-Western Balkans Summit at the EU headquarters in Brussels Belgium February 16, 2020. Aris Oikonomou/Pool via REUTERS REFILE - CORRECTING COUNTRY

Platforma “Deputeti që duam”/ Rama: Mirëpresim të rinj e të reja jo vetëm në moshë, me ide, energji dhe dëshirë

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën “Deputeti që duam”, duke theksuar se “ne do të mbledhim të gjitha shprehjet e interesit që mund të vijnë nga të gjitha rrugët e jetës, do mirëpresim të rinj e të reja, jo vetëm në moshë, por edhe të tjerë që janë të rinj e të reja edhe në mendje, në ide, energji dhe dëshirë”.

“Ne kemi miratuar kriteret e kësaj ftese në Asamblenë Kombëtare, do të kenë në dispozicion të gjithë një adresë online ku do të duhet të çojnë një video në të cilën do të shprehin interesin dhe do japin arsyet pse besojnë se janë zgjedhja e duhur sipas tyre për t’u bërë pjesë e skuadrës sonë dhe pak dokumente të tjera një CV të jetës së tyre profesionale dhe një letër angazhuese, gjëra që janë minimale për këtë sfidë”, – theksoi Rama nga selia e PS.

Kryeministri u shpreh se “jemi shumë të lumtur që të ndajmë këtë eksperiencë tonën me njerëz që ndajmë me ne të njëjtën dëshirë dhe të njëjtin angazhim për të çuar përpara punët e vendit për të qenë sa më pranë njerëzve, për të bërë sa më shumë e sa më mirë në shërbimin ndaj vendit e qytetarëve”.

“Dua t’u them të gjithëve që nga të rinjtë e të reja në moshë që mund të jenë të rinj e të reja  që sapo kanë mbaruar shkollën me rezultate të mira, të rinj e të reja që punojnë në një sipërmarrje të vogël private që punojnë në shtet, në fermë me prindërit e tyre, që punojnë në emigracion që janë të mirëseardhur të shprehin interesin e tyre po ashtu gra e burra në moshë të re apo me ide të reja në moshë të re apo me energji të reja që vijnë nga eksperienca si mësues e mësuese si shërbëtorë publikë, si ekspertë në çfarëdo lloj fushe që punojnë në hapësirën e sipërmarrjes, që punojnë në media, nuk ka asnjë kufizim që janë në fermë, që janë aktivë dhe kanë talent për ta përkthyer aktivizimin e tyre në audienca të respektueshme dhe të konsiderueshme në rrjete sociale”, nënvizoi Rama.

“Pra cilido shqiptar në Shqipëri apo jashtë saj që mendon se ka një zë që shqiptarët meritojnë ta dëgjojnë, se ka një një ide që shqiptarët meritojnë ta vlerësojnë dhe që kanë vullnetin e pasionin tim, pasionin tonë për të kaluar nga fjalët në vepra është absolutisht i mirëpritur”, – tha Rama.

I pyetur nëse do të shkojë nëse do të ndryshojë kabinetin qeveritar që në zgjedhje të shkoj me një një ekip ministrash të mirë, Rama tha se “ne kemi ministra të mirë, por e mira nuk ka asnjëherë fund dhe secili, unë i pari, ka mundësi të bëjë më shumë dhe duhet të kërkoj nga vetja çdo ditë e më shumë”.

Sipas Ramës, ky dëgjim specifik i anëtarësisë është një vlerë e shtuar për të kuptuar individualisht se cila është marrëdhënia, shkalla e lidhjes mes anëtarëve të familjes politike dhe përfaqësuesve të tyre në çdo qark, cili është opinioni dhe vlerësimi për përfaqësuesit tanë në qeveri.

“Pasi të bëjmë këtë në ciklin e parë, ciklin tjetër do të mundohemi të hyjmë pak më thellë duke bërë edhe pyetje specifike për anëtarët. Por kjo është një fazë kolaudimi i një procesi që është krejt i ri e ndaj duhet pak kohë. Të gjitha kodet personale të hyrjes në platformën tonë i kemi dërguar me postë janë shpërndare pjesa më e madhe e tyre kanë filluar të ndërveprojnë një pjesë ende e vogël e kuptueshme e anëtarëve, për këtë arsye i kemi lënë vetes 45 ditë për këtë cikël të parë, pastaj do hyjmë në detaje te tjera për të pasur një vlerësim më të plotë. Kjo do të shërbejë për të rritur intensivisht ndërveprimin online mes anëtarëve dhe deputetëve, anëtarëve dhe përfaqësuesve në qeveri, për çështje specifike të zonave e komuniteteve”, – tha Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: