Home / Ekonomia / Dyfishohen pagesat për koncesionet vitin e ardhshëm, 120 mln euro; Kryesojnë shëndetësia, rruga e Arbrit dhe inceneratorët, fillon Milot-Balldre

Dyfishohen pagesat për koncesionet vitin e ardhshëm, 120 mln euro; Kryesojnë shëndetësia, rruga e Arbrit dhe inceneratorët, fillon Milot-Balldre

Buxheti i shtetit pritet të paguajë 14.5 miliardë lekë vitin e ardhshëm (gati 120 mln euro) për pagesat për 13 kontrata koncesionare aktive, sipas parashikimeve në relacionin e projektbuxhetit 2021.

Në krahasim me 2020-n, kur shumë kontrata u ngrinë ose u reduktuan për shkak të situatës së vështirë të krijuar në buxhet nga Covid-19 (në total 7.9 miliardë lekë), pagesat për koncesionet do i rikthehen normalitetit në vitin 2021. Kjo shumë e parashikuar për pagesa koncesionesh në vitin 2021 është sa rreth 16% e totalit të shpenzimeve kapitale të planifikuara.

Pagesa më e lartë është për koncesionin e rrugës së Arbrit, që është në ndërtim e sipër, me 4.1 miliardë lekë të parashikuara.

Katër koncesionet e shëndetësisë, check-up, sterilizimi, dializa dhe ai i fundmi i laboratorëve pritet të marrin gjithsej 4.6 miliardë lekë, ose 37 milionë euro, që përbën gati një të tretën e gjithë pagesave për koncesionet në 2021. Më i shtrenjti është sterilizimi, që pritet të marrë 1.7 miliardë lekë pagesa nga buxheti për sterilizimin e pajisjeve mjekësore gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Koncesioni i laboratorëve do marrë 1.28 miliardë euro pagesa për 2021. Ky koncesion filloi zbatimin në mesin e këtij viti. Check up dhe dializa do të marrin përkatësisht  876 mln lekë dhe 779 mln lekë.

Këto pagesa do të jepen në një kohë që vendi është në një emergjencë shëndetësore të shkaktuar nga Covid-19, teksa virusi ka hyrë në një fazë të dytë dhe nuk dihet sa do të vazhdojë. Të katër këto koncesione nuk kanë lidhje direkte, apo ofrojnë mbështetje për situatën e krijuar.

Në draftin e 2021-it janë planifikuar dhe 2.2 miliardë euro pagesa për inceneratorët. Konkretisht 1.38 miliardë lekë janë pagesa për “Ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vevddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike, Tiranë”, nga 980 milionë lekë në vitin 2020. Për “Ndërtimin, operimin dhe transferimin e inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Fier” pritet të jepen 752 mln lekë në 2021, nga 192 mln lekë të planifikuara këtë vit.

Në vitin 2021 parashikohet që të fillojnë punimet edhe për dy projekte të reja koncesionare në fushën e infrastrukturës, që u shtynë këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Rruga Milot-Balldre pritet që të marrë 65 milionë lekë pagesa, ndërsa rruga Orikum-Dukat me 394 milionë lekë.

Shërbimi i skanimit në dogana pritet të marrë 1.58 mld lekë, nga 1.14 mld lekë vitin e mëparshëm.

Ministria e Financave bën të ditur se kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit të mëparshëm nuk pritet të tejkalohet.

Një tjetër koncesion i ri që pritet të fillojë ai për përmirëismin e infrastrukturës arsimore të Bashkisë Tiranë, për të cilat parashikohen në buxhet 685 milionë lekë.

Për vitin 2021, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat konçesionare/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2020, është rreth 19.71 miliardë lekë.

Referuar Tabelës 12, për vitin 2021 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 14.46 miliardë lekë.

Rrjedhimisht, në buxhetin 2021 është respektuar kufizimin ligjor i sipërcituar në zbatim të rregullit fiskal respektiv, pasi  vlera e parashikuar prej 14.46 miliardë lekë për pagesat vjetore neto të kontratave koncesionare apo PPP për vitin 2021, përbën vetëm 3.7 përqind të totalit të të ardhurave tatimore të parashikuara për vitin 2020, prej rreth 394.2 miliardë lekë, sipas relacionit të financave. Por, nëse këto të ardhura nuk realizohen sipas planit (siç ka ndodhur për 10 mujorin), atëhere kufiri pritet të rritet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: