Politika

Forumi Ballkanik kundër Antisemitizmit/ Shqipëria u kthye në shtëpi për hebrenjtë që para Luftës së Dytë Botërore

U mbajt sot Forumi Ballkanik kundër Antisemitizmit. Kuvendi i Shqipërisë me iniciativën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte organizator i forumit të nivelit më të lartë Ballkanik, ku morën pjesë autoritetet më të larta nga vendet e Ballkanit, Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo, drejtues të shtetit të Izraelit, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Forum, përcolli mesazhin se “nuk është vetëm e shkuara, por po ashtu e tashmja ku duhet të luftojmë çdo formë antisemitizmi si kërcënim për vetë civilizimin tonë, për vetë vlerat tona e parimet në të cilat vendet jetojnë, për të ardhmen tonë të përbashkët”.

Forumi Ballkanik Kundër Antisemitizmit u parapri nga miratimi i Rezolutës për Përkufizimin e Antisemitizmit nga Parlamenti Shqiptar, një vendim të cilin kryeministri Rama e cilësoi “historik në luftën globale kundër urrejtjes e diskriminimit të hebrenjve”.

“Në këtë forum unë përfaqësoj Shqipërinë, një vend të vogël që është mishërim i një shembulli të madh të mbrojtjes së hebrenjve dhe luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm që ushqehet gjithmonë e më shumë nga urrejtja kundrejt trashëgimisë hebreje”, tha Rama.

Kryeministri tha se Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre, si shtyllë e bashkëjetesës sonë në rrjedhën e qindra viteve. “Pa parë thellë në histori konfirmojmë lehtësisht se hebrenjtë të cilët peripecitë e jetës i sollën në vendin tonë u kthyen në një gur të çmuar në historinë dhe kulturën tonë”, tha Rama.

Ai theksoi se “shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si dritën e syrit. “Shqipëria ishte vendi që u kthye në shtëpi për hebrenjtë që para Luftës së Dytë Botërore dhe vendi ku komuniteti hebre u njoh ligjërisht me besimin e vetë, të drejtat e veta për të ushtruar besimin fetar dhe shabati ishte i garantuar si një e drejtë me ligj për çdo hebre. Kjo fare qartë u pa edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, se çfarë hebrenjtë donin të thonin për shqiptarët kur familjet e zakonshme vendosën jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë”, tha Rama.

Ai theksoi se “ishin mysliman dhe të krishterë dhe u ofruan strehë duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre”. “Ka episode të besueshme kjo periudhë kohe në historinë tonë krenare. Sjell episodin e dy vëllezërve që strehuan një familje të madhe hebreje dhe u dorëzuan vetë tek nazistët dhe përfunduan në kampe përqendrimi në Gjermani duke dhënë identitet të rremë, duke pretenduar se ishin ata hebrenjtë që nazistët po kërkonin”, tha Rama.

Rama shtoi se problemi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit, por relativizimi në raport me atë çka u ndodh hebrenjve.

“Relativizimi rreth asaj çka ndodhi në luftën e dytë botërore që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqeje të madhe, nëse ne nuk do të jemi të bashkuar”, tha Rama.

Pak muaj më parë, shtoi Rama, ne inaguruam një memorial dedikuar kujtesës së Holokaustit në Tiranë. Kryeministri njoftoi se punohet që të ndërtohet një muze që të nderojë komunitetin hebre dhe që të nderojë këtë miqësi. Në cilësinë e Kryetarit të OSBE, Rama tha se “ne kemi vendosur theksin saktësisht në cështjen e antisemitizmit, me shumë aktorë, përfshirë këtu shoqërinë civile dhe të ndërgjegjësojmë sa më shumë për atë që antisemitizmi shënjestron”.

Balla: Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri, shprehje e shkëlqyeshme e antifashizmit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në Konferencën Ballkanike kundër Antisemitizmit u shpreh sot se, “historia e komunitetit hebraik të Shqipërisë ilustron më së miri vlerat mbi të cilat është ngritur vendi ynë”.

“Që në Shekullin e Dytë ka ekzistuar një prani e hebrenjve në Shqipëri, por në vitet 1930 numri i tyre është tkurrur në vetëm 200 persona”, u shpreh ai.

“Menjëherë pas pushtimit nazist të vendit tonë, në vitin 1943, ata shpejt shenjëstruan hebrenjtë e Shqipërisë. Shqiptarët, të bashkuar, qëndruan përkrah bashkatdhetarëve të tyre hebrenj.  Autoritetet shqiptare refuzuan të dorëzonin listat e hebrenjve, ndërsa shqiptarët e thjeshtë – myslimanë e të krishterë – rrezikuan jetët e tyre duke fshehur fqinjët hebre. Hebrenjtë e Shqipërisë jo vetëm mbijetuan, por numri i tyre u rrit në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pasi shumë hebrenj u strehuan nga vendet fqinje dhe europiane”, theksoi Balla.

Ai shtoi se, “Populli shqiptar bëri një zgjedhje historike duke iu bashkuar aleancës më progresiste të kohës, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për më shumë se shtatë dekada, morali i politikës botërore është ndërtuar mbi vlerat e antifashizmit. Rendi botëror dhe paqja mbeten sot e do të vazhdojnë të qëndrojnë në themelet e antifashizmit. Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri është një nga shprehjet më të shkëlqyeshme të antifashizmit të popullit tonë”.

“Jam shumë krenar që Kuvendi i Shqipërisë ka hedhur një hap të rëndësishëm të enjten e javës së kaluar me miratimin unanim të përkufizimit të IHRA-s, gjë që mund të shërbejë si model për t’u ndjekur nga parlamentet e tjera të rajonit”, theksoi Balla.

Ruçi: Lufta kundër antisemitizmit, pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha sot se Shqipëria do ta çojë deri në në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit.

Në fjalën e tij në Forumin e Ballkanit Kundër Antisemitizmit, kryeparlamentari Ruçi theksoi se “ne, shqiptarët, mbetemi stoikë në zgjedhjet tona: dashuria mbi urrejtjen, toleranca mbi konfliktin, ngrohtësia njerëzore mbi përndjekjen, vuajtjen e dhimbjes në vend të shkaktimit të saj të tjerëve”.

“Lufta kundër antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi. Lidershipi i Shqipërisë në këtë luftë nuk është thjesht një çështje e marrëdhënieve me Shtetin e Izraelit, as vetëm një çështje e partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i janë përkushtuar mbrojtjes së hebrenjve të Shqipërisë, prej Ambasadorit Bershtein, te Ambasadorja Kim”, – nënvizoi Ruçi.

“Antisemtizmi nuk drejtohet vetëm kundër hebrenjve, por, si një distilim i njerëzimit prej të keqes, mund të kërcënojë të gjithë kombet; antisemitizmi nuk i takon vetëm të kaluarës, por nëse ne nuk jemi vigjilentë, mund të kërcënojë të ardhmen”-, tha Ruçi.

Ministrja e Punëve të Diasporës së Izraelit, H.E Omer Yankelevich: E vetmja mënyrë për të mundur urrejtjen ndaj hebrenjve, duke bashkuar forcat

Ministrja e Punëve të Diasporës së Izraelit, H.E Omer Yankelevich, falënderoi sot qeverinë dhe parlamentin e Shqipërisë për nismën shumë të rëndësishme e të guximshme për miratimin javën e kaluar të përkufizimit të antisemitizmit IRA.

Në fjalën e saj në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, ministrja Yankelevich duke i bërë thirrje krerëve të shteteve, tha se si mike e vërtetë e popullit hebre Shqipëria gjithmonë e ka ruajtur komunitetin e  vogël dhe unik hebre duke garantuar edhe lirinë e fesë.

“E vetmja mënyrë për të mundur urrejtjen ndaj hebrenjve është duke bashkuar forcat dhe punuar bashkë. Prej mijëra vitesh hebrenjtë kanë qenë koka turku për shumë drama që i janë shkaktuar botës. Antisemitizmi po shfaqet në forma të reja duke arrritur në lartësi të reja dhe të rrezikshme”, nënvizoi ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button