Ekonomia

Akuzat e opozitës/ Ministria e Financave: Kredia për ekonominë është rritur me 47.5 miliardë lekë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (MFE) duke marrë shkas nga disa deklarata, të cilat keq informojnë publikun mbi ecurinë e indikatorëve kryesorë të ekonomisë, sqaron se “sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, kredia për ekonominë është rritur në vlerë absolute në periudhën Shtator 2013 – Mars 2020, me 47.5 miliardë lekë ose 9%”.
Gjithashtu , prej vitit 2015, Qeveria Shqiptare, së bashku me Bankën e Shqipërisë, ka marrë masa gjatë qeverisjes për të siguruar që kredidhënia të bazohet në pasqyrat financiare të referuara në Administratën Tatimore, duke nxitur formalizimin e ekonomisë. Më tej, Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare ndërmorën reformën për reduktimin e kredive të këqija në ekonomi.
MFE  bën të ditur se, si rezultat i këtyre reformave, niveli i kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit gusht 2020 zbriti në 8.1% nga 24.2% qe ishte në Shtator 2013.
“Interesi i Qeverisë për të nxitur kredidhënien për bizneset ka qenë i lartë edhe gjatë pandemisë. Për këtë arsye janë injektuar në ekonomi 2 Garanci Sovrane në shumën e 26 miliardë lekë, për t’i ardhur në ndihmë sipërmarrjes për paga dhe kapital qarkullues apo investime.
Për rrjedhojë, stoku i kredive akorduar bizneseve jo-financiare për muajin shtator 2020 shënoi një rritje me 5.1%”- citon në reagimin e saj MFE.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në këtë tremujor u vërejt një kërkesë e shtuar për kredi nga bizneset e vogla e të mesme, si edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Në tremujorin e fundit të vitit bankat presin zgjerim të kërkesës për kredi si nga biznesi i vogël e i mesëm, ashtu edhe nga ai i madh, me një rritje të pritur të kërkesës për kreditë për likuiditete.
Kreditë e këqija kanë qenë një eksperiencë e hidhur për ekonominë shqiptare gjatë qeverisjes së shkuar, duke cenuar stabilitetin e sektorit bankar dhe detyruar rregullatorët të ndërhyjnë vonë përmes klasifikimit si kredi të humbura, të kredive të pakthyera prej më tepër se 3 viteve.
MFE thekson se, angazhimi i Qeverisë Shqiptare për mbështetjen financiare dhe sociale gjatë pandemisë ka qenë maksimal, duke aktivizuar dy paketa të mbështetjes me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët dhe bizneset.
Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, paketat e mbështetjes financiare dhe sociale gjatë pandemisë kanë disbursuar 12.9 Miliardë lekë për 299 mijë qytetarë. Ky angazhim është vijimësi e politikave sociale të Qeverisë, ku: Gjatë periudhës 2009-2013, numri mesatar i bizneseve të regjistruar ishte 14,121, ndërsa në 2014-2019, numri mesatar i bizneseve të regjistruara ishte 20,785. Pagesa e papunësisë është dyfishuar, nga 6,850 lekë në vitin 2013, në 13,000 lekë në vitin 2019. Ndërsa mbështetja për shtresat në nevojë, reflektohet edhe në Buxhetin e miratuar në Parlament në datën 16 Nëntor, ku në vitin 2021 alokohen 2.5 miliardë lekë për pagesat e papunësisë dhe ndihmën ekonomike.
“Për sa më sipër, Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, mbeten të angazhuar të mbështesin qytetarët dhe sipërmarrjen, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në mbështetjen për faktorët, që nxisin rritjen dhe produktivitetin dhe në mbështetjen e drejtpërdrejt për kategoritë më vulnerabël”- thuhet në njoftimin e MFE.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button