Home / Kryeartikull / “Reset” më 20 janar

“Reset” më 20 janar

Nga Veton Surroi

Politika evropiane ndaj Kosovës, edhe po të donte, nuk mund të ishte efikase me një politikë të çoroditur amerikane. Me presidentin Biden bëhet një rikonfigurim transatlantik. Kosova nuk e ka luksin që këtë ndryshim të jashtëzakonshëm ta vështrojë nga pozita e pacientit që mbahet me pesë përqindëshin e fundit të oksigjenit të mbetur në bombol.

1.
Një fjalë në lidhje me Kosovën u bë e popullarizuar në mesin e diplomatëve të informuar evropianë deri sa ishte në pozitë Federica Mogherini, si shefe e Politikës së Jashtme të BE-së. Fjala qe “reset”, e huazuar nga fjalori kompjuterik (me sinonimin e vet “restart”), kur duhet rindezur puna e kompjuterit pasi ka hasur në probleme funksionimi softverik.
Ideja asokohe ishte se pas zhytjes së ndërmjetësimit evropian në terren krejtësisht anti-evropian të copëtimit dhe këmbimit territorial të Kosovës e pas një periudhe bisedimesh të kota në Bruksel, duhej fikur ky kompjuter evropian me program të korruptuar softverik dhe rifilluar puna me softverin origjinal evropian.

Dhe, ndonëse në mesin e diplomatëve do të mund të gjendeshin nuancat e dallimeve se çka është saktësisht softveri origjinal evropian (apo në gjuhën kompjuterike, me cilin version të softverit funksionojmë sot), nuk kishte kurrfarë dilemash se çka nuk ishte softveri evropian. Nuk ishte këmbimi i territoreve, nuk ishte një proces negociatash që i udhëheq Mogherini, por për këtë nuk di gjë kush as në Berlin e as në Paris (dhe Londër) dhe nuk ishte një proces negociatash që Kosovën e lë një Frankenshtajn juridik e politik, me identitet të pandërtuar ndërkombëtar.

“Reseti” duhej t’i vendoste Kosovën e Serbinë në tavolinë si të barabarta, për të arritur një marrëveshje “gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura nga e kaluara dhe do t’i drejtonte këto dy shtete të pavarura drejt integrimit evropian.

2.
Një lloj “reseti” u provua nga pasardhësi i z. Mogherini, J. Borell, dhe në veçanti me emërimin e M. Lajçakut si i dërguar i veçantë për negociatat Kosovë-Serbi. Me këtë u shënuan, përgjatë vitit 2020, dy kthesa të rëndësishme nga BE-ja. Një, nga ana evropiane, u hoq nga tavolina këmbimi i territoreve që ishte shndërruar në parim prijës i presidentëve të Kosovës e Serbisë që nga viti 2017, parim që u legjitimua nga z. Mogherini.

Dhe dy, u rivendos caku i negociatave, për arritjen e “marrëveshjes gjithëpërfshirëse” në vend të marrëveshjeve që “lehtësojnë jetën e qytetarëve”.
Me gjithë këto dy kthesa të rëndësishme, BE-ja ka së paku dy mangësi që e pengojnë që ta bëjë “resetin”. E para është vazhdimësia e qasjes që nga viti 2011, pra nisja e negociatave poshtë-lart.

Me këtë koncept, të dyja palët duhet t’i zgjidhin në parim të gjitha problemet e ndërsjella dhe pastaj të arrijnë te çështja e karakterit të marrëdhënieve të tyre (pra, ndërshtetërore apo tjetër). Me këtë qasje, Kosova nuk ka humbur vetëm shumë kohë, por ka pranuar nëpërmjet përfaqësuesve të vet të papërgjegjshëm disfunksionalizimin e mëtejmë të shtetit, sikur ndodhi me Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe.

E dyta, për “reset” nevojitet SHBA-ja. Amerika mund të jetë forcë që prish punë. Përgjatë administratës Obama, duke hequr dorë nga dialogu Kosovë-Serbi, SHBA-ja ndihmoi me mosveprim që procesi negociator Ashton, e pastaj Mogherini të merret qoftë me kotësi, qoftë të degjenerojë në disfunksionalizim të Kosovës a në negociata për këmbim territoresh.

Përgjatë administratës Trump u legjitimua brenda Shtëpisë së Bardhë këmbimi i territoreve dhe një sërë aventurash të ndërmarra nga ambasadori Grenell, që shpallnin si arritje historike paralajmërimin e mundësisë që një avio-kompani low cost të fluturojë mes Beogradit e Prishtinës, dhe që ndikonin me forcë që Kosova të ketë një qeveri që do t’i pranojë këto arritje si historike.

Me “marrëveshjen historike” të Washingtonit, presidenti Trump e devalvoi rolin e pazëvendësueshëm të Amerikës si forcë pa të cilën nuk ka zgjidhje të çështjeve të rënda të sigurisë evropiane, siç janë ato të konflikteve të papërfunduara në trekëndëshin Bosnjë-Hercegovinë-Kosovë-Serbi.

Kryeministri i Kosovës dhe presidenti serb duhej ta nënshkruanin në Zyrën Ovale marrëveshjen e paqes dhe miqësisë së mirë, e jo listë zotimesh për avio-transport.

Me administratën Trump çfarëdo ideje për “reset” mund të prishej, siç u prish, kurdo dhe kudo. Pra, nuk ka “reset” evropian pa një Amerikë të parashikueshme, si forcë e pazëvendësueshme në politikën transatlantike që duhet ta bëjë Evropën të lirë e të bashkuar, e në të Kosova dhe Serbia si shtete të pavarura që do të jetojnë në paqe e bashkëpunim.

3.
Një Amerikë e parashikueshme, e pazëvendësueshme në politikë transatlantike, e udhëhequr me vlerat e demokracisë liberale – pra ajo Amerikë që e ka penguar gjenocidin dhe e ka çliruar Kosovën – do të vijë në pushtet më 20 janar të vitit 2021, ditën e inaugurimit të presidentit Biden.

Pjesa e kabinetit të presidentit që merret me politikë të jashtme – sekretari i shtetit, këshilltari për siguri kombëtare, agjencitë e inteligjencës – janë njerëz me përvojë dhe mund t’ia fillojnë punës që në ditën e parë. Një rast i këtillë për “reset” në politikë mund të vijë rrallë; shumë herë në histori mund të mos vijë fare.

Në “reset”-in e madh që pritet të ndodhë në marrëdhëniet transatlantike, do të preken të gjitha ato çështje të politikës së jashtme e të sigurisë që kanë pësuar dëme gjatë presidencës Trump. Ndonëse periferike, njëra prej tyre do të jetë edhe çështja e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Çështja do të shtrohet në formën se si mund të ndihmojë SHBA-ja që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u stërzgjatur, e brenda një arkitekture të sigurisë së ofruar nga NATO-ja dhe shpejtimit të integrimit evropian?

Pyetja konceptuale do të kërkojë më shumë përgjigje, sesa një konstatim diplomatik që SHBA-ja “të vazhdojë t’i përkrahë përpjekjet e BE-së” për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Ky konstatim i thatë nuk ndihmon gjë, për faktin se përpjekjet e BE-së mund të vazhdojnë edhe për shumë kohë pa dhënë rezultat.

Për më tepër, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me BE-në. Aspirata e Kosovës është që të jetë anëtare e NATO-s, ndërsa aspirata e Serbisë është që të mos jetë anëtare e NATO-s, por një shtet neutral. Një ndarje e këtillë kërkon zgjidhje në arkitekturën e sigurisë, gjë që nuk ofrohet nga BE-ja.

4.
“Reset”-i është një shans i madh për të gjithë në Evropë, përfshirë edhe regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova është në një situatë të dobësisë së skajshme politike, me qeverisje e cila nuk ka forcë politike për miratimin e asnjë iniciative ligjore që ka ndonjë domethënie. Kuvendi i Kosovës nuk arrin të miratojë, për mungesë kuorumi, as rezoluta joobligative që harrohen ditën e nesërme nga miratimi.

Qeveria, e formuar gjatë pandemisë, për t’i adresuar kërkesat e ambasadorit Grenell dhe personave të tjerë të administratës Trump e ka humbur edhe këtë arsye formale të ekzistencës.

Vendi duhet ta gjejë shpejt një marrëveshje mes forcave politike, rrugën për të krijuar legjitimitet qeverisës. “Reset”-i transatlantik duhet ta përfshijë edhe Kosovën. Ajo nuk e ka luksin që këtë ndryshim të jashtëzakonshëm ta vështrojë nga pozita e pacientit që mbahet me pesë përqindëshin e fundit të oksigjenit të mbetur në bombol.

Leave a Reply

%d bloggers like this: