Home / Opinion / Disa gjëra që i qartësoi vizita e Vjosa Osmanit

Disa gjëra që i qartësoi vizita e Vjosa Osmanit

Shkruan Mero Baze

Pati edhe disa gjëra pozitive vizita e Vjosa Osmanit në Shqipëri. Dy prej tyre janë më kryesoret. E treta është më shumë për humor.

E para, ka të bëjë me raportet e Berishës dhe PD me LDK. Sa herë që LDK, si një parti institucionale, nuk pranon të përdoret politikisht nga Berisha, ky e fundit e gjen dikë tjetër për ta identifikuar me LDK, për ta përdorur.

Më 1996, kur Rugova ndërpreu komunikimin me të, ky tentoi ta zëvendësonte me Adem Demaçin, në funksion të axhendës së tij për të përdorur kartën e Kosovës kundër prishjes me SHBA, pasi shkatërroi standartin e zgjedhjeve dhe demokracisë në Shqipëri. Por në atë kohë LDK i rezistoi dhe e injoroi gjithë përpjekjen e  Berishës për diversion.

Pak kohë më parë Shqipërinë e vizitoi kryeministri i LDK Abdullah Hoti, i cili ka bërë vizitën më serioze të një kryeministri të Kosovës në Shqipëri, pa u përdorur nga askush, duke i takuar të gjithë dhe duke ruajtur seriozitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo me sa duket e ka mërzitur Berishën dhe Ilir Metën dhe tani thirrën një ushtruese detyre për ta përdorur politikisht, duke fyer shtetin shqiptar, të cilin e konsideroi si një shtet që sipas saj nuk ka dënuar genocidin serb në Kosovë, e kësaj ja ka mbushur mendjen Albini, dhe që Shqipëria nuk ndihmon Kosovën për integrim në institucionet ndërkombëtare.

Vjosa Osmani, e cila ka bërë divorc me LDK dhe është një kundërshtare politike e saj, është pritur nga PD, sikur të ishte kryetare e LDK, pikërisht për t’i bërë karshillëk Hotit dhe Mustafës, që nuk kanë pranuar të bëhen vegla të Berishës dhe Metës në krijimin e një skenari fallco anti-kosovar në Shqipëri.

Dhe ta mendosh që partia e cila ka përjashtuar Jozefina Topallin si armike dhe e quan tradhtare vetëm se nuk i nënshtrohet Lulzim Bashës, tani i bën karshillëk LDK-së me Vjosa Osmanin, duke bërë sikur nuk e di që ajo është kundërshtare e LDK.

Nga ana tjetër Vjosa Osmani, që ka fat të ngjashëm me Topallin, nuk takon atë, por linçuesit e saj. Kjo tregon që ajo nuk ka asnjë aspiratë politike si disidente, por vetëm si shërbëtore.

Ana pozitive e gjithë kësaj, është se provon që Berishës i duhet LDK dhe Kosova vetëm t’i përdorë në luftën e brendshme në Shqipëri dhe për këtë është gati të ndërhyjë dhe t’u ndryshojë lidershipin, nëse nuk i shërbejnë atij. Jo se nuk e dinim, por kemi dhe një shembull të ri.

E dyta dhe më groteske, është përkushtimi i Ilir Metës për të krijuar idenë që Kuvendi i Shqipërisë është përgjegjës për vdekjen e Sulejman Vuçiternës, xhaxhait të nënës së Vjosa Osmanit, sipas deklaratës së saj në Kuvend.

Sulejman Vuçiterna ka qenë një ushtarak shqiptar i viteve 30 në Shqipëri, pasi kishte mbërritur aty në vitin 1922 nga Kosova. Ai ishte fillimisht ushtarak dhe në fund të karrierës komandant i Shkollës Mbretërore të Oficerëve në Shqipëri deri në vitin 1939.

Më pas ai u bë pjesë e ushtrisë fashiste në Shqipëri, asaj italiane dhe asaj gjermane, duke u marrë kryesisht me Kosovën e Maqedoninë. Ai është arrestuar nga një njësit partizan në Tiranë, ende pa u vendosur regjimi komunist në Shqipëri. Është arrestuar si oficer armik i tyre.

Ai është arrestuar më 14 nëntor në Tiranë nga një njësit partizan dhe është dënuar nga Gjyqi Special kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit, që nisi në Tiranë drejtuar nga Bilbil Klosi, Hysni Kapo, Halim Budo, Medar Shtylla, Koçi Xoxe etj.

Aty është dënuar dhe Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës.  Ka vdekur në kampin e punës në Vloçisht të Korçës më 1948. Nuk ka qenë gjyq antikosovar, por antifashist. E rëndësishme është që sot, dy pasardhësit e këtij gjyqi, Vjosa Osmani dhe Andi Bushati, njërit që i është dënuar xhaxhai i babait, e tjetrit që e ka pësuar, nuk ndjehen armiq. Së paku tani është arrit pajtimi kombëtar.

Por nuk është ky debati, por loja e pistë e Ilir Metës.

Vuçiterna është arrestuar prej partizanëve si një ushtarak i rreshtuar me fashizmin, dhe jo si “kosovar”. Unë nuk ndaj pikëpamje të njëjtë me Ilir Metën rreth disa prej zhvillimeve të luftës dhe sidomos këtyre ndëshkimeve të pasluftës. Shumë prej tyre kanë merituar të jetojnë dhe kontribuojnë për Shqipërinë. Por ky është një debat që nuk ja vlen ta bëjmë sot.

Këtu ja vlen të shpalosim dyfytyrësinë e Ilir Metës, i cili ka dy vjet që betohet se “do Margaritën më shumë se Monikën” që “do Vojo Kushin më shumë se Tit Vasilin” e marrëzira të tjera. Tani dje i kërkonte Kuvendit të Shqipërisë ta çonin Vjosën tek varri i xhaxhait të mamasë së saj, dënuar si bashkëpunëtor i fashizmit, që nuk e di as Vjosa ku e ka, pasi nuk ka i ka shkuar ndonjëherë në mendje, përveçse tani që ja kërkojnë Berisha e Meta.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2021, nuk di ç’të bëjë më parë me Ilir Metën, të nderojë partizanët që ai dekoron përditë, apo të nderojë bashkëpunëtorët e fashizmit që ai u kërkon varrin në Kuvend, kur i duhet për politikë.

Personalisht ndiej dhimbje që një ish- ushtarak i lartë, që i ka shërbyer Monarkisë dhe fashizmit, ka pasur fund tragjik, pasi mund të bëhej i vlefshëm dhe më tej për Shqipërinë, por kjo hipokrizia e presidentit tonë, për ta përdorur edhe antifashizmin, edhe fashizmin si aset të tij, e bën atë më qesharake se duket edhe historia jonë e vjetër, edhe historia e re e Vjosa Osmanit.

Ka qenë po kaq qesharak një tjetër “Vuçitern” në Shqipëri, Sali Vuçiterna, që ka shërbyer si ministër i Zogut e më pas puthador i italianëve e gjermanëve, i cili ka frymëzuar Fishtën për satirën e tij të famshme, “Gomari i Babatasit”, e cila sot të kujton Ilir Metën.

Dhe së fundmi, jo vetëm për humor. Sulejman Vuçiterna, pra xhxhai i nënës së Vjosës, është fis Kastrati, i vendosur në Kosovë. Kjo Vjosa e bëri këtë punën e traut të Kastratit si një tra që ndan atdheun në dy pjesë.

Është mirë që këtë ta trajtojmë si sherr brenda familjes, se po e trajtuam si Vjosa, edhe ky na del një problem prej fisit të saj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: