Home / Ekonomia / “Kastrati Group” blen 71 milion euro aksionet e aeroportit “Nënë Tereza”. Qeveria: Ne nuk dimë  gjë!

“Kastrati Group” blen 71 milion euro aksionet e aeroportit “Nënë Tereza”. Qeveria: Ne nuk dimë  gjë!

Grupi Kinez i “China Everbright” ka shitur aksionet e aeroportit “Nënë Tereza” kompanisë shqiptare, “Kastrati Group”. Ndersa Qeveria deklaron se “nuk dime gje”, “privati ben cte doje!”.

Vendimi është zyrtarizuar edhe në pasqyrimin e aksionerëve në Qendrën Kombëtare të Biznesit ku janë depozituar edhe dokumentet përkatës  ndërsa shuma totale është rreth 71 milion euro pagesë e cila do të realizohet me dy këste. Ky është transaksioni i tretë që bëhet me aksionet e Aeroportit “Nënë Tereza” pas dhënies me koncesion.

Pas hapjes së garës nga qeveria shqiptare aeroporti i vetëm ndërkombëtar shqiptar  u ble dy kompani gjermane dhe Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”,  që nënshkruan një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004.

Më pas grupi kinez, i shërbimeve financiare “China Everbright”,  në prill 2016 nënshkroi marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncensionare përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”.

Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.

Institucionet shqiptare kanë pasur një sërë përplasjesh me koncesionarët e aeroportit për çështjen e tarifave që duhet të paguajnë qytetarët.

Kjo pasi koncesionari ka tejkaluar fitimet dhe kjo duhej të reflektohej në  uljen e tarifave aeroportuale.

Ndërkohë që për kompaninë shqiptare “Kastrati Group” përtej kësaj lind edhe detyrimi për vijimin e investimeve në zgjerimin e pistës ku fluturojnë avionët.

Sipas kontratës theksohet se nëse kalohet numri i pasagjerëve prej 3  milion në vit, atëherë koncesionari ka detyrimin të zgjerojë pistën.

Ndërkohë në vitin 2019 numri total i pasagjerëve sipas TIA rezulton se ka qenë 3.3 milion dhe xhiroja vjetore 28.9 milion euro.

Në fund të 2019 në Rinas ka nisur projekti “Airfield 2020”  i cili do të realizohet në disa faza dhe lidhet me rehabilitimin e pistës dhe rrugëve lidhëse që mundësojnë lëvizjen e avionëve në zonën ajrore.

Rrugët lidhëse W dhe B, janë në fazën e rindërtimit me një gjatësi rreth 1.5 km, në përputhje me kërkesat dhe standardet e avionëve që priten të operojnë në TIA.

Ndërsa gjerësia parashikohet 45 m për avionët e kategorisë E që duhet të jenë të pajisura me sisteme të reja drenazhi dhe ndriçimi.

Ky projekt mbetet të realizohet tashmë nga Kastrati Group. Afati i koncesionit i TIA-s u zgjat menjëherë për dy vite të tjera përkatësisht deri në prill 2027 duke lejuar hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare.

Koncesioni i Rinasit do të zgjatet me 0.5 vite, për çdo vit operimi shtesë të një aeroporti të mundshëm në Vlorë.

Për shkak të pandemisë fitimet e kompanisë këtë vit rezultojnë shumë minimale për shkak të pezullimit të fluturimeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: