Bota

Sherman dhe Nuland në poste drejtuese të diplomacis amerikane

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka në plan të emërojë dy diplomate me përvojë Wendy Sherman dhe Victoria Nuland si zyrtaret nr. 2 dhe nr. 3 në Departamentin e Shtetit, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje.

Zonja Sherman, një nga negociatoret kryesore të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, që Presidenti Donald Trump e braktisi, do të emërohet zv/sekretare e shtetit, thanë burimet, duke konfirmuar një njoftim që u shfaq për herë të parë në gazetën Politico.

Victoria Nuland, e cila ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, do të emërohet nënsekretare e shtetit për çështjet politike, ose nr. 3 i Departamentit, shtuan burimet.

Një zëdhënës i tranzicionit të zotit Biden nuk pranoi të komentojë; po kështu edhe zonja Nuland. Wendy Sherman, e cila ka qenë nënsekretare e shtetit për çështjet politike gjatë administratës Obama, nuk i është përgjigjur kërkesave për koment.

Nëse konfirmohen nga Senati, Sherman dhe Nuland do të shërbenin nën zotin Antony Blinken, i përzgjedhur nga zoti Biden si sekretari i ri i shtetit.

Të dyja kanë përvojë të hershme në Departamentin e Shtetit; Sherman si e emëruar politike dhe Nuland si diplomate karriere.

Zonja Sherman, ka qenë këshilltare e Departamentit të Shtetit nga viti 1997 në 2001, kur ajo ka qenë gjithashtu koordinatore e politikave për Korenë e Veriut. Nga 1993 në 1996 ajo ka qenë si ndihmëse sekretare e shtetit për çështjet legjislative.

Zonja Sherman aktualisht është profesore në Shkollën John F. Kennedy për Qeverisjen të Universitetit Harvard dhe këshilltare e lartë në Grupin Albright Stonebridge, një firmë e strategjisë dhe diplomacisë komerciale.

Zonja Nuland, ish-ndihmës sekretare e shtetit për çështjet evropiane, ka qenë zëvendës këshilltare për sigurimin kombëtar të nënpresidentit Dick Cheney nga viti 2003 në 2005 dhe shefe stafi e zëvendës sekretarit të shtetit nga viti 1993 në 1996.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button