Arte

Ambasadoria Besiana Kadare sjell tregimin “Një hemisferë në një floknajë”, të Charls Baudelaire përkthyer në shqip

Nga Beqir SINA – New York
Charles Pierre Baudelaire një poet Francez i cili gjithashtu prodhoi punë të shquara si eseist, kritik arti dhe një nga përkthyesit e parë të Edgar Allan Poe, është përkthyer në vitin 2005, nga vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, Besiana Kadare, e cila është Shefe e Misionit të Përherëshëm të R.Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, dhe e sjell si një “kartolinë” për vitin e ri, 2021, nga New Yorku. Në një status në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, Ambasadoria Kadare, e ka shpërndar (share) me miqt e saj në Fb, tregimin “Një hemisferë në një floknajë”, përkthyer dhe përshtatur prej saj, duke përcjell edhe mesazhin ku ajo shkruan : “Sot kam dëshirë të ndaj me miqtë e mi shqipfolës tregimin “Një hemisfere në një floknajë”, marrë nga përmbledhja e prozave poetike të Baudelaire, titulluar “Brenga e Parisit”, që kam përkthyer nga frengjishtja ne 2005.
Këtë fillim viti(2021) – një viti shprese për mbarë njerëzimin, mbas atij viti të “vështirë” që lamë pas, duket se edhe e bija e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, në pak rreshta me shpirt poetic, thotë se “jua kushtoj të gjithë atyre që ëndërrojnë për det dhe diell por nuk kanë mundësi të udhëtojnë aktualisht…”

Postimi i plotë i Ambasadores Besina Kadare :

Sot kam deshire te ndaj me miqte e mi shqipfoles tregimin “Nje hemisfere ne nje floknaje”, marre nga permbledhja e prozave poetike te Baudelaire titulluar “Brenga e Parisit”, qe kam perkthyer nga frengjishtja ne 2005.
Jua kushtoj te gjithe atyre qe enderrojne per det dhe diell por nuk kane mundesi te udhetojne aktualisht…
NJË HEMISFERË NË NJË FLOKNAJË
Lërmë të thith gjatë, shumë gjatë, erën e flokëve të tu, të kredh fytyrën në to si një i etur që kridhet në ujin e burimit dhe t’i trazoj me dorë si të ishin një shami e parfumuar, për të shkundur kujtime nëpër ajër.
Sikur ti dije të gjitha ato që shoh! Të gjitha ato që ndiej! Të gjitha ato që dëgjoj në flokët e tu! Shpirti im fluturon mbi parfum si shpirti i të tjerëve mbi muzikë.
Flokët e tu mbajnë një ëndërr plot vela e direkë; ata mbajnë detra të gjerë, musonet e të cilëve më shpien drejt klimave të mrekullueshme, ku hapësira është më blu e më e thellë, dhe ku ajri është i parfumuar nga frutat, gjethet dhe lëkura njerëzore.
Në oqeanin e floknajës tënde, shikoj një port që gëlon nga këngët melankolike, burrat e fuqishëm të të gjitha kombeve dhe anijet me trajta nga më të ndryshmet, spikamat delikate dhe të ndërlikuara të të cilave ravijëzohen në sfondin e një qielli të pafund, ku prehet zhegu i përjetshëm.
Në përkëdheljet e floknajës tënde rigjej kapitjet e orëve të gjata të kaluara mbi një divan, në kthinën e një anijeje të bukur, të lëkundur nga troshitjet e lehta të portit, midis vazove me lule dhe brokeve me pije freskuese.
Në vatrën plot afsh të floknajës tënde thith erën e duhanit të përzier me atë të opiumit dhe të sheqerit; në terrin e floknajës tënde shoh të shndrisë pafundësia e kaltërsisë tropikale; mbi brigjet e floknajës tënde dehem me aromat e përziera të serës, myshkut dhe vajit të kokosit.
Lërmë të kafshoj gjatë gërshetat e tua të rënda dhe të zeza. Kur kafshoj lehtas flokët e tu të epshëm e rebelë, më duket sikur jam duke ngrënë kujtime.
(Përktheu nga origjinali Besiana Kadare, marrë libri “Brenga e Parisit”, Onufri, Tiranë,2005)

Vendosur në një Paris modern e urban, copëzat e prozës në këtë volum përmbajnë një eksplorim të mëtejshëm të terrenit që Baudelaire ka mbuluar në kryeveprën e tij në vargje, Lulet e së keqes: qyteti dhe mjerimi dhe pabarazia e tij, presioni i kohës dhe vdekshmërisë, dhe çlirimi që të japin kënaqësitë sensuale të intoksifikimit, artit dhe gratë.

Botuar në 1869, pas vdekjes së autorit, Brenga e Parisit, ishte një botim thelbësor në zhvillimin e zhanrit të poezisë në prozë – një format të cilin Baudelaire e ka parë si më të përshtatshëm për të shprehur ndjesinë e pasigurisë, fluksit, dhe lirisë së moshës së tij – dhe një nga tekstet themelues të modernizmit letrar.

Në Shqipëri botimi me poezi dhe prozë të shkurtër, të përzgjedhura nga Charles Baudelaire, janë bërë në shqip nga Alket Çani, shoqëruar edhe me përkthyes të tjerë, të dorës së parë nga frëngjishtja si; Ismail Kadare me përkthimin e poezisë “Albatros”; Edmond Tupja për poezitë “Pargun ekzotik”, “Vajzës shend e verë”, “Bisedë”. “Lugati”, “Muzika”, “Metamorfoza e vampirit” dhe “Perëndim dielli romantik”; Arben Dedja për poezinë “Abeli dhe Kaini”, si dhe Romeo Çollaku për poezinë “Njeriu dhe deti”.

Poezitë e tij shfaqin mjeshtëri në trajtimin e rimës dhe ritmit, përmbajnë një ekzotizëm të trashëguar nga romantikët, por bazohen në vëzhgime të jetës reale. Vepra e tij më e famshme, një libër me poezi lirike me titull Les Fleurs du mal (Lule të së Keqes), shpreh natyrën në ndryshim të bukurisë në Parisin me shpejtësi të industrializimit gjatë mesit të shekullit të 19-të. Stili tepër origjinal i poezisë pro-Baudelaire ndikoi në një brez të tërë poetësh përfshirë Paul Verlaine, Arthur Rimbaud dhe Stéphane Mallarmé, ndër shumë të tjerë. Atij i atribuohet krijimi i termit “modernitet” (modernité) për të përcaktuar përvojën kalimtare, jetësore të jetës në një metropol urban dhe përgjegjësinë e shprehjes artistike për ta kapur atë përvojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button