“Nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi të ri financiar, jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave të negociuar më parë. Dakordësia me palën Saudite për të ndryshuar objektin e financimit, por jo termat financiare, theksoj as shumë, as normën e interesit, as afat kohor, u arrit në muajin gusht.Analiza e vlerësimit të projektit të parë të Lotit 4 të rrugës së Lumit të Vlorës, e kryer nga autoriteti përgjegjës Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili nxori një vlerë më të lartë, se sa vlera e huas dhe vetë projektin e parë jo ekonomik. Në këto kushte, deri sa të përgatitej një projekt i ri më ekonomik, u rakordua mes institucioneve përgjegjëse, kalimi i fondeve tek një projekt po aq i rëndësishëm për zonën.”
Sipas kryefinancieres Denaj, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është drejt finalizimit të projektit të ri për lotin 4, i cili mund të financohet nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
“Përfitoj nga ky rast për të siguruar popullin e Vlorës dhe Selenicës se projekti i ri ekonomik është gati dhe FSHZH është në fazën finale për ta rakorduar financimin e tij. Kujtoj të gjithë banoret e zonës se pas shumë vitesh gati 30 vjet po bëhet realitet një investim infrastukturor që do lidh gjithë zonat malore me bregdetin.”
Marrëveshja për financimin e projektit për rehabilitimin e rrugës së Lumit të Vlorës u nënshkrua në mars të 2016-ës me një vlerë prej 30 milionë dollarësh dhe parashikonte ndërtimin e rrugës që fillon nga by-pass-i i Vlorës – Ura e Peshkëpisë, Ura e Laskos – Qeparo, si dhe degëzimi Ura e Peshkëpisë – Selenicë – superstrada Levan – Tepelenë. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohej nga buxheti i shtetit për TVSH-në, dhe nga Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, në vlerën 42 milionë dollarë. Pjesa e dytë e kësaj rruge do të rehabilitohej me kredinë e Fondit Saudit për Zhvillim.