Home / Kronika / Tiranë: Reagon Moska pas shpalljes së një diplomati rus person “non grata”

Tiranë: Reagon Moska pas shpalljes së një diplomati rus person “non grata”

Ka reaguar zyrtarisht Moska pas shpalljes si person “non grata” të një diplomati rus. Ajo e quan veprimin si provokim për të dëmtuar marrëdhëniet ruso-shqiptare.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të  Shqipërisë njoftoi të enjten,(21.01) për shpalljen “non  grata”- person i padëshëruar- të Sekretarit të dytë të ambasadës ruse në Tiranë, Alexey Krivosheev, për  mosrespektim të rregullave anti COVID -19 të vendosura nga qeveria Rama.

Moska reagoi të premten menjëherë përmes Zv.Ministrit të Jashtëm, Aleksandër Grushko, njofton Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Sipas këtij njoftimi, Grushko e quan dëbimin e diplomatit rus “një provokim për të dëmtuar marrëdhëniet ruso-shqiptare” dhe “paralajmëron për një përgjigje ndaj këtij hapi jo miqësor” në reagimin, botuar të premten në gazetën ”Sputnik”.

Shqipëria publikon arsyet e dëbimit të diplomatit rus

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të  Shqipërisë theksohet se diplomati rus, “në mënyrë të përsëritur ka thyer masat e marra nga autoritetet për mbrojtjen e popullsisë “nga infektimi me virusin COVID-19.

“Që nga muaji Prill, 2020, por edhe në fillim të këtij viti, Qeveria shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë të masave mbrojtëse”, thekson njoftimi. Duke argumentuar vendimin e marrë, në njoftim theksohet se ” përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke ia bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-COVID-19 nga diplomati”.

“Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”, thuhet në njoftim.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e konsideron vendimin “të imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar” dhe uron që “të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse” . Në vendim theksohet  se “Shqipëria e siguron palën ruse për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”.

Reagon Ambasada ruse në Tiranë

Ambasada e Rusisë në Tiranë i ka quajtur “të pabazuara akuzat” ndaj diplomatit, Alexey Krivosheev dhe ka reaguar ndaj dëbimit të tij. Mediat e Tiranës, publikuan të enjten, (21.01) në orët e vona të mbrëmjes një deklarate të ambasadorit rus në Shqipëri, Mihail Afanasiev, të botuar në mediat ruse, ku akuzat e Shqipërisë për thyerje të masave anti Covid cilësohen të pabazuara. Deklarata thekson se “zbulimi i emrit të diplomatit rus bie në kundërshtim të hapur me praktikën e vendosur ndërkombëtare diplomatike. dhe vë në dukje gjithashtu mospërmendjen e masave anti-Covid që diplomati rus i dëbuar  ka thyer.

Shqipëria ka regjistruar  69,238 raste të konfirmuara të infeksionit me COVID-19, që nga marsi i vitit 2020 kur ajo u përfshi në pandeminë globale të këtij virusi dhe 1,291 viktima. /dw/

Leave a Reply

%d bloggers like this: