Arte

Produksioni kinematografik i Kosovës “Në kërkim të Venerës”, rrëmben “Çmimin Special të Jurisë” në Roterdam

Kinematografia e Kosovës nuk po ndalet kohët e fundit. Suksesi i radhës për kinemanë e Kosovës janë vlerësimet e kritikës që ka marrë në festivalin e Roterdamit me filmin “Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa dhe duke rrëmbyer edhe një çmim të rëndësishëm si “Çmimi Special i Jurisë”.

Regjisorja Norika Sefa thekson se, “ky film mori 5 vite të jetës sime, jo pak. Jam shumë e lumtur, që e kam pasur fatin të punoj me secilin që qëndron prapa këtij filmi, ata që i kanë dhënë kuptim edhe shumë nuanca kësaj përvoje. Ky çmim është shumë i rëndësishëm për filmin, por gjithashtu një shenjë prestigji, sepse festivale si IFFR pëlqejnë të inkurajojë sfidat narrative dhe inovacionin në gjuhën e filmit. Ky është një motiv i madh për mënyrën si unë punoj”.

Në film luajnë në role Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj, etj.

Kritika dhe juria e këtij festivali të rëndësishëm e ka vlerësuar shumë edhe për nga mënyra se si është ndërthurur dhe servirur subjekti dhe historia e këtij filmi nëpërmjet punës profesionale që është bërë me fotografinë në këtë produksion. Portretizimi me hollësi i karakterit të Venerës, një vajzë moderne që rritet në një mjedis tradicional, hierarkik ka qenë edhe elementi më i rëndësishëm që ka bërë jurinë e festivalit që të befasohet dhe të shohin tek regjisorja Sefa, një element që premton shumë në të ardhmen.

Produkti i financuar nga buxheti i “Qendrës Kinematografike të Kosovës” në bashkëpunim me “Qendrën Kinematografike të Maqedonisë së Veriut”, por edhe me mbështetjen e komunave të Kaçanikut dhe të Prishtinës është i radhës i financuar prej tyre që sjellin çmime dhe vlerësime të rëndësishme nga kritika ndërkombëtare, cka e bënë artin shqiptar të kinemasë, premtues në të ardhmen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button