ArteIntervista

“Traktati i origjinës së shqiptarëve” të studiuesit Çlirim Hoxha, një libër për çdo shqiptar

Shkrimtar, gazetar dhe studiues shqiptar, që banon në qytetin e bukur të Vlorës është i shmënjohuri Çlirim Hoxha.Janë botuar prej tij dhjetë romane, njërin më të bukur se tjetrin.  Dhe muajt e fundit ka nxjerrë në dritë një libër madhor e studimor: “Traktati i origjinës së shqiptarëve”. Libri është mirëpritur nga lexuesit, ku  për më shumë i morëm një intervistë autorit.

Zoti Hoxha faleminderit që pranuat ftesën për një intervistë lidhur me librin më të fundit në fushën e studimeve historike. Çfarë është “Traktati i origjinës së shqiptarëve”.

Traktati i origjinës së shqiptarëve është një vepër madhore që më ka kushtuar dhjetë vjet studime dhe hulumtime për disa të vërteta thelbësore mbi origjinën e shqiptarëve.

Përse ky titull dhe çdo të thotë Traktati i origjinës së shqiptarëve?

Fjala “Traktat” ka disa kuptime, por kuptimi i parë dhe më kryesor, sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe është ky: “Traktat: Vepër e madhe shkencore, ku trajtohet në mënyrë të plotë një problem i rëndësishëm dhe ku dalin pikëpamjet kryesore të autorit”.

Po, çfarë ka ky libër që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve shqiptar brenda dhe jashtë, sidomos të emigrantëve?

“Traktati i origjinës së shqiptarëve”: themeluesit e qytetërimit botëror, është një vepër e madhe shkencore, një libër studimor-historik që ka të bëjë me rrënjët e etnitetit tonë të vjetër. Si u krijua etnia jonë pellazgo-arbërore? Nga erdhën të parët tanë? Ku jetuan ata, në cilën pjesë të botës? Si mundi të mbijetojë gjuha jonë shqipe që nga krijimi e deri më sot? Ky libër më mori dhjetë vjet sepse ambicia ime ishte që të nxirrja nga dheu fakte që na ishin fshehur, ndoshta edhe qëllimisht mbi origjinën tonë të lashtë. Kisha marrë pjesë në disa simpoziume dhe konferenca shkencore mbi origjinën e shqiptarëve,ҫka më ҫoi që të mos ndalem.

Dhe mendoni se ia keni arritur qëllimit?

Po, sepse faktet që kam gjetur dhe paraqitur në faqet e këtij libri janë shkencore, janë kokëforta dhe kjo përbënë tharmin e të gjithë problemit kur flitet mbi origjinën e shqiptarëve. Problemet shkencore në Ballkan dhe në Evropë, për shkak të shumë çështjeve identitare kanë qenë e larmishme, por në shumë raste kanë qenë imediate për shkak të interpretimeve të autorëve të ndryshëm, zbulimeve arkeologjike dhe rrugëtimin drejt të panjohurës që sjell veçmas dija gjuhësore, e cila më së shumti qëndron në bazën e pakundërshtueshme të rikrijimit të kohës së lashtë dhe historike, që në ditët e sotme përkon me kulturën e trashëguar në popuj të vegjël apo të mëdhenj. “Traktati i origjinës së shqiptarëve” është një punim i gjerë  studimor dhe hulumtues është një ndërmarrje e vështirë, por një punë specifike e profilizuar dhe me një ambicie të vërtetë, por jo të zakonshme. Studimi, më mbështetet më së shumti në metodën krahasuese të dijes historike, gjuhësore, letrare, arkeologjike, enciklopedike, simbolike etj.

Zoti Hoxha, libri “Traktati i origjinës së shqiptarëve” mbështetet mbi fakte shkencore. A nuk diheshin këto fakte më parë, apo ju i keni zbuluar tani?

Fakti qëndron se është një libër vërtetë interesant, pasi bart një tezë shkencore, që kërkon t’i japë përgjigje një numri të madh pyetjesh, dilemash, pasaktësish dhe misteresh, të cilat kanë mbetur të tilla që në krye të herës kur u shfaqën punimet për etnitetet ballkanike, me të cilët dhe rreth të cilave sillen kohë të hershme, qytetërime të hershme, kultura të hershme, burime dijesh dhe shkence, gjuhësh dhe racash. Në këtë “qerthull” ballkanik, të mbushur me mijëra dëshmi dhe me mijëra rrugë të prera zhvillimesh kanë lindur dhe kanë lënë gjurmë të shumta heronj, poetë, epose, qytetërime, gjuhë dhe rrugëkalime historike, të cilat e mbajnë ndezur trurin e shkencëtarëve dhe gjithologëve që nga lashtësia e deri sot.

Pra,  ju me këtë libër na sillni argumente mbi origjinën e shqiptarëve?

Unë me këtë libër kërkojë të sjellë një argument për një çështje të tillë siç është origjina e shqiptarëve nga pellazgët te ilirët. Libri në fjalë, për lehtësi studimi, për shkak të dëshirës time për të thënë shumë gjëra rreth origjinës së shqiptarëve, është ndërtuar mbi një ‘përkim’ të një vështrimi vertikal – historik, madje parahistorik, i paraprirë nga një parashtresë mbi ata që quhen themeluesit e qytetërimit botëror.

Dhe ju mendoni se themeluesit e qytetërimit botëror ishin shqiptarët?

Pa dyshim që PO. Shqiptarët duhet të ndihen krenar për të kaluarën e tyre pellazgo-ilire. E kaluar që zë fill nga epoka e agimeve njerëzore. Këndvështrimi dhe hulumtimi im horizontal shtrihet në kohë dhe në qytetërime, në luftëra dhe në simbole të qëndrueshme në tempuj dhe në referenca të autorëve të lashtë e deri në ditët e sotme. Kjo nuk është e lehtë. Më është dashur të shfrytëzoi dokumente të përbotshme, duke përfshirë gjuhësinë krahasuese dhe natyrën e hieroglifëve të shumë kodeve të lashta përmes  të cilave mund të eksplorosh.

Zoti Hoxha, ju mendoni se historia e antikitetit pellazgo-iliro-shqiptar është e falsifikuar?

Më kupto drejtë Afërdita, falsifikimi i historisë së shqiptarëve ka shkuar në favor të fabrikimit të Greqisë antike, të mitit të paqenë sllav dhe unë për të gjitha këto kam një mendim krejt ndryshe. Grekët e vjetër, përshembull, nuk ishin gjë tjetër veç pellazgët dhe ilirët e lashtë. Është Homeri që na e dëshmon këtë të vërtetë në librin e tij epik, “Iliada”, i cili pellazgët i njeh si banorë të Thesalisë, të cilët gjatë Luftës së Trojës, që zhvillohej midis qytet-shteteve pellazgo-ilire me njëri-tjetrin, mbajtën anën  e Trojës. Herodoti, një nga figurat më të rëndësishme të dijes antike thotë se gjatë kohës së tij, banorët e dikurshëm pellazgë ruanin kujtime të kohës kur kishin ardhur nga Thesalia kufitare, ashtu siç ndihmojnë dhe njoftimet e Hesiodit, Eskilit, Euripidit,  se vendbanimi i hershëm i pellazgëve ishte Arkadia. Ata më pas shtegtuan në Epir. Mbështetur në burime të konsiderueshme unë i shohë pellazgët bashkëqytetërues të hershëm të antikitetit të lashtë antik.

Pra, ju këmbëngulni mbi origjinën pellazge të shqiptarëve. Po me trojanët çfarë na lidh ne shqiptarëve?

Unë i qëndroj idesë se pellazgët ishin populli më i përhapur pas epokës së akullnajave dhe mbulonin të gjithë Mesdheun në të katër koordinatat e tij gjeografike në të tria kontinentet që e lagin atë. Kurse në lidhje me trojanët, pasardhës të kujt ishin ata? Virgjili sjell një dëshmi interesante. Vargjet e “Eneidës” kanë një domethënie të rëndësishme për prejardhjen e trojanëve. Virgjili shkruan: “Atje qëndrojnë breznitë e Teukrit të lashtë:/Ili, Asaraku, dhe Dardani, i pari/i Trojës themelues, ai fis i ndritun. Me tjerë heronj të kohnave më t’lumë.” Teukri dhe Dardani qenë stërgjyshërit e mbretërve trojanë.  Troja interpretohet edhe sot e kësaj dite përmes shqipes: Trojë – Troje-Toka jonë – Trojet tona.

Zoti Hoxha, në librin tuaj, “Traktati i origjinës së shqiptarëve” ju përmendni Atlantidën, Piramidat e Egjiptit, Pellazgët, Dodonën, Etruskët, Aleksandrin e Madh, si dhe simbolet. Ju besoni se të gjitha këto kanë lidhje me shqiptarët?

Unë nuk besojë, unë e kam bindje dhe bindjen ma sigurojnë studimet e mia dhjetëvjeçare, ma sigurojnë Xhuzepe Katapano, Nermin Vlora Falaski, Shaban Demiri, Spiro Konda e shumë e shumë autor të huaj dhe vendas, të cilët kanë hedhur dritë mbi origjinën e shqiptarëve.

Cili është roli i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në këtë aspekt, apo i Institutit të Gjuhësisë?

Për mua është zero. Këto institucione shkencore, jo vetëm që vegjetojnë dhe nuk kanë marrë asnjë iniciativë për të sjellë fakte mbi origjinën tonë, por me dashje apo pa dashje ua kanë lenë iniciativën grekëve dhe serbëve për ta manipuluar dhe shitur historinë dhe kulturën tonë të lashtë si të tyren anë e këndë botës. Ky është një mëkat. Por jo vetëm kjo, ata bllokojnë të gjitha prurjet e reja në fushën e historisë antike dhe të gjuhës shqipe. Puna kolosale e Prof. Luftulla e Liljana Pezës, e Aleksandër Hasanasit, e Agron Dalipit, e Asqeri Boçit dhe e shumë studiuesve të tjerë, është një punë që duhet të merret në konsideratë nga ana e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës. Bllokimi i këtyre studiuesve do të merret si i qëllimshëm dhe në favor të qarqeve antishqiptare. Shqiptarët kanë nevojë të mësojnë të vërtetën.

Dhe në fund z. Hoxha, ku mund ta gjejnë lexuesit librin tuaj, “Traktati i origjinës së shqiptarëve”?

Lexuesit e interesuar brenda dhe jashtë Shqipërisë mund të na kontaktojnë përmes fb, ose në numërin:0677287300 dhe ne do t’i orientojmë për librin.

Zoti Hoxha ju falënderoi për intervistën.

Faleminderit juve gazetare e nderuar!

Intervistoi: Afërdita Selimaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button