Kronika

Liroi të dënuarin me burgim të përjetshëm/ SPAK arreston gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha si dhe 9 persona të tjerë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë realizuar mëngjesin e sotëm arrestimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, dhe disa personave të tjerë, të dyshuar për veprën korrupsionit.

Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj. Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasen Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, SPAK bën të ditur se masën e sigurisë arrest me burg edhe për Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim;  Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim;  Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve, Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”,  e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë” si dhe për Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”.

“Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale sipas së cilës persona të dënuar që cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë – Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkelejda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 000 euro. Në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelejda Hoxha”, thuhet në njoftimin e SPAK.

SPAK sqaron se “ndërkohë gjatë hetimeve është provuar se i hetuari Shkëlqim Korbi ka konsumuar elementët e veprës penale “ekspertim i rremë”. Ky i hetuar është caktuar si ekspert në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila po shqyrtonte kërkesën e shtetasit O. K. me objekt revokim të masës mjekësore “mjekim i detyruar spitalor….”. Rezulton se fillimisht ky ekspert ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko – ligjor të këtij shtetasi dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e mjekësisë – ligjore. Ky akt ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit. Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti ndërhyn tek sekretaria e mjekësisë ligjore duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur një akt të ri që përmbush kërkesat e O. K”.

“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata. Gjithashtu në zbatim të vendimit, Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në mbi 16 banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale. Hetimet e këtij procedimi penal do të vazhdojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dërgimin për gjykim të gjithë të hetuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në janar të një viti më parë, gjyqtarja Enkelejda Hoxha vendosi për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në datat 5.11.2019 dhe 16.12.2019 për verifikim të informacioneve dhe indicieve të cilat krijonin dyshime mbi objektivitetin e këtij procesi gjyqësor që po zhvillohej në gjykatën e Rrethit gjyqësor Krujë nga gjyqtarja Hoxha për të dënuarin Endrit Dokle duke mbajtur në konsideratë edhe faktin që e njëjta gjyqtare kishte gjykuar të gjitha kërkesat e këtij subjekti për ulje dënimi, përfitim amnistie dhe ndryshim të llojit të sigurisë së burgut nga burg i sigurisë së lartë në atë të sigurisë së zakonshme. Për dijeni, shkresa e datës 16.12.2019 i është drejtuar gjithashtu Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Krujë.

Letra e plotë e Ministrisë së Drejtësisë:

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit, Olsian Çela dhe Kreut të SPAK, Arben Kraja, ministrja Gjonaj sqaron se: Më datë 14.01.2020, media elektronike dhe e shkruar, kanë bërë publike vendimin e dhënë nga gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Enkelejda Hoxha, për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle.

Ministria e Drejtësisë i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në datat 5.11.2019 dhe 16.12.2019 për verifikim të informacioneve dhe indicieve të cilat krijonin dyshime mbi objektivitetin e këtij procesi gjyqësor që po zhvillohej në gjykatën e Rrethit gjyqësor Krujë nga gjyqtarja Hoxha për të dënuarin Endrit Dokle duke mbajtur në konsideratë edhe faktin që e njëjta gjyqtare kishte gjykuar të gjitha kërkesat e këtij subjekti për ulje dënimi, përfitim amnistie dhe ndryshim të llojit të sigurisë së burgut nga burg i sigurisë së lartë në atë të sigurisë së zakonshme. Për dijeni, shkresa e datës 16.12.2019 i është drejtuar gjithashtu Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Krujë.

Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë gjatë vitit 2019 ka konstatuar një sërë shkeljesh nga ana e prokurorëve të rretheve gjyqësore në çështje të ndryshme, të cilat i ka adresuar pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me qëllim verifikimin dhe marrjen e masave disiplinore. Për shkak se Ministria e Drejtësisë nuk është vënë në dijeni lidhur me mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve, ju është drejtuar kërkesë për informacion edhe me shkresën e datës 13.01.2020, nr. Prot 155.

Nisur nga fakti se gjyqtarja Hoxha, kishte marrë një vendim të ngjashëm për lirimin me kusht, po të një të dënuari tjetër me dënim të përjetshëm, Ministri i Drejtësisë në datë 08.01.2018, i është drejtuar Inspektoratit të Këshillit (në atë kohë Këshilli i Lartë i Drejtësisë), duke kërkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares, kërkesë e cila mbeti pa trajtuar nga Inspektorati dhe pa përgjigje lidhur me trajtimin e saj.

Lidhur me vendimmarrjen më të fundit të bërë publike në media, Ministria e Drejtësisë kërkoi dhe administroi informacionin zyrtar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë nga i cili rezulton se:  I dënuari Endrit Dokle ka depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë kërkesën nr.123 akti, datë 23.10.2019, me objekt: Lirim para kohe me kusht, çështje e cila i ka kaluar me shortin e datës 24.10.2019 gjyqtares Enkelejda Hoxha. Në përfundim të gjykimit, gjyqtarja Enkeleida Hoxha me vendimin e datës 14.01.2020 ka vendosur pranimin e kërkesës se kërkuesit E. Dokle dhe lirimin me kusht të tij, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 vjetësh.

Nga dokumentat e administruara, i dënuari E. Dokle është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm, e konkretisht: Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr.1, datë 16.01.2012, ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Endrit Dokle për kryerjen e veprave penale të parashikuar nga nenet 333/1/a, 78/2-25 -51, 78/2-25, 78/2-22, 78/2-22, 78/2-22, 78/2-22, 78/2-25, 109/1 dhe 25, 300,278/2, 278/4, 79/dh-25-22, 278/a/2 të Kodit Penal, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Endrit Dokle me burgim të përjetshëm. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Endrit Dokle fillon nga data e ndalimit te tij, 02.11.2005, dhe kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, me vendimin nr.45, datë 02.07.2012, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin nr.1, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Gjykata e Lartë me vendimin nr.167, datë 16.07.2014, përfundimisht, pas ndryshimit të pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, në aplikim të nenit 55 të KP-së, në bashkim të dënimeve, ka vendosur: dënimin e të gjykuarit Endrit Dokle me burgim të përjetshëm.

Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.37 datë 25.04.2017 ka vendosur: Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle, me objekt: Shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e vendimeve nr.1, datë 16.01.2012 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë; nr.45, datë 02.07.2012 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda; nr. 00-2014-1941-175, datë 16.07.2014 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Nisur nga analiza e kryer nga Ministria e Drejtësisë, referuar dhe rasteve të tjera të cilat kanë patur ngjashmëri në trajtim dhe për të cilat janë referuar inspektoratit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezulton se referuar dispozitave ligjore, nenit 65 të Kodit penal, lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm si rregull nuk lejohet. Ai mund të jepet nga gjykata vetëm në raste të jashtëzakonshme, dhe në këto raste të jashtëzakonshme kërkohet plotësimi i dy kushteve të tjera që janë (i) që i dënuari duhet të ketë vuajtur jo më pak se 35 vjet burgim dhe (ii) gjatë vuajtjes së dënimit të ketë mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.

Në rastin në fjalë nuk rezulton që i dënuari të ketë vuajtur të paktën 35 vite burgim (është ndaluar në datë 02.11.2005). Referuar dinamikës së vuajtjes së dënimit për të dënuarin Endrit Dokle, të administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me shkresën nr. 2 prot., datë 14.01.2020, rezulton se ky i dënuar ka vuajtur në total 25 vite, 9 muaj, 1 ditë.

Sa më sipër, pavarësisht mungesës së vendimit të arsyetuar nga ana e gjyqtares Hoxha, konsiderohet se gjyqtarja në vendimin e saj i është referuar dispozitave ligjore të Kodit Penal të mëparshëm, i cili parashikonte lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm me kusht që të ketë vuajtur dënimin penal jo më pak se 25 vjet burgim.

Përsa më sipër, rezulton se kërkesa e të dënuarit Endrit Dokle është depozituar në gjykatë pasi vendimi ka marrë formë të prerë. Në mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, për zbatimin e drejtë të ligjit, gjyqtarja Hoxha duhet të zbatonte dispozitat ligjore të Kodit Penal në fuqi, pra në kohën e paraqitjes së kërkesës dhe jo ato të Kodit Penal të mëparshëm. Kodi Penal në fuqi parashikon shprehimisht se i dënuari me burgim të përjetshëm duhet të ketë vuajtur jo me pak se 35 vjet burgim, dënim të cilin i dënuari Endrit Dokle nuk e ka vuajtur.

Jemi të shqetësuar se gjatë vitit 2019, Ministria e Drejtësisë ka hasur në disa vendimmarrje të tilla, në vlerësimin tonë tërësisht të kundraligjshme, për të cilat janë ngritur në vijim akuza publike, si rasti i lirimit të dënuarit G. Gjinarari me vendim të gjyqtarit të rrethit gjyqësor Korçë, Markelian Kuqo; rasti i konvertimit të dënimit të të dënuarit D.Dajti nga tre gjyqtarët e gjykatës së apelit Vlorë dhe Shkodër, S.Damini, P. Aliu dhe A.Nikolli; lirimin e të dënuarit V.Ymeri nga gjyqtarja e gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan, E.Kapedani, etj. Veprime të tilla me pasoja të rënda në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend kanë krijuar zemërim të opinionit të gjerë publik, si dhe kanë cënuar rëndë paanshmërinë dhe objektivitetin në dhënien e drejtësisë si dhe kompromentuar frymën e besimit të qytetarëve te reforma në drejtësi.

Për arsyet e mësipërme, Ministri i Drejtësisë me shkresën e datës 15.01.2020 i ka kërkuar Këshillittë Lartë Gjyqësor,pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares Enkelejda Hoxha dhe shkarkimin e saj nga detyra e gjyqtarit.

Duke marrë shkas nga vendimi i gjyqtares Hoxha, vendim haptazi në kundërshtim me ligjin, ashtu si dhe duke mbajtur në vëmëndje vendimmarrje të ngjashme të gjyqtarëve dhe prokurorëve që lidhen me subjekte kriminalë me rrezikshmëri të lartë, të cilat po kthehen në një precedent negativ, lind nevoja e një reagimi të menjëhershëm institucional nga të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë.

Për sa më sipër, nga shkeljet e konstatuara në analizën e kryer, në mbrojtje të interesit më të lartë publik, si dhe për të kontribuar në parandalimin e veprimeve dhe vendimmarrjeve të kundraligjshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët sfidojnë hapur qëllimet e larta të reformës në drejtësi dhe besimin e madh të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, Ministri i Drejtësisë kërkon nga ana juaj, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, znj.Enkelejda Hoxha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button