Home / Kronika / Gjykata vendos “Arrest me burg” për gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe mjekun Edvin Prifti

Gjykata vendos “Arrest me burg” për gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe mjekun Edvin Prifti

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe për mjekun e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë, Edvin Prifti.

Gjithashtu për avokatin Aldo Tabaku, kryesekretaren Manuela Mallkuçi dhe 7 të arrestuarit e tjerë të cilët në një skemë kriminale do lironin nga burgu Sajmir Petanin, masa mbeti e njëjtë, arrest në burg.

Mjeku Edvin Prifti, doli nga përgjimet që SPAK ka kryer në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot, vendosi të konfirmoi masën e sigurisë “Arrest me Burg” për gjyqtaren. Avokati i gjyqtares,  Ardian Vishaj, kërkoi masë më të lehtë sigurie, pasi ligji e ndalon arrestimin e një gruaje, që ka një fëmijë minor dhe një fëmijë të sëmurë.

“U la siç ishte caktuar nga gjykata, megjithëse kushtet ligjore, sidomos për gjyqtaren, janë të tilla që s’duhet të ishin. Ndalohet me ligj arrestimi i një gruaje që ka një fëmijë minor dhe një fëmije të sëmurë. Gjyqtarja, paçka se është etiketuar si armike e popullit, nuk meriton të arrestohet, për shkaqe humane, që ligji është i detyruar t’i respektojë, të fëmijës autik dhe fëmijës së mitur. Është një nënë që rrit dy fëmijë e vetme”, deklaroi avokati Vishaj.

Po ashtu, sot u zhvillua dhe seanca ndaj mjekut Prifti, i cili sipas hetimeve, dyshohet se ka marrë ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.

Gjatë kontrollit në zyrë e banesë, Priftit, ju gjetën 250 mijë Euro dhe 16 milion lekë cash në zyrë e në shtëpi. Mësohet se atij i është shtuar akuza për Pastrim parash.

Mesditën e sotme, Gjykata Krimeve Kundër Korrupsionit mbajti dhe seancën për masën e sigurisë ndaj mjekut. Gjatë seancës gjyqësore, për masën e sigurisë, avokati i Edvin Priftit, Henrik Ligori u shpreh se 220 mijë eurot e gjendura në shtëpinë e tij janë të fituara nga çmimet ndërkombëtare, ndërkohë që e ka lidhur kërkesën për arrestimin e tij me fushatën.

“Sot në seancë u njohëm me adresimin e masës për një krim hipotetik, për të cilin nuk ka provë, pse nuk u ndërhy në korrik të 2020 kur u bë operacioni, por 7 muaj më pas në vigjilje të fushatës. 220 mijë eurot të fituara nga çmimet ndërkombëtare. Lekët janë të ligjshme! Ka kontratë premtim shitjeje në Priskë ku është bashkëpronar në një kompleks”, tha Ligori. Për këtë arsye avokati ka kërkuar heqjen e masës së pezullimit nga detyra, por që të jetë në detyrim paraqitjeje. Ai kërkoi që të rrëzohet kërkesa për burg.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë, ku lajmërohet urdhërarrestim për gjykatësen Enkelejda Hoxha dhe urdhri për caktimin e masës së sigurisë për mjekun Prifti:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

  1. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;
  2. Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.
  3. Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;
  4. Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;
  5. Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
  6. Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
  7. Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
  8. Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
  9. Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
  10. Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve:

  1. Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
  2. Trendafile Frangu, infermiere në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;
  3. Migena Skenderi, masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 2 i Kodit Penal;

Falë hetimeve të këtij procedimi u bë e mundur të evidentohej një skemë e mirëfilltë kriminale sipas së cilës persona të dënuar që cilët vuanin dënimin në burgun e Fushë – Krujës përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt. Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkelejda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. Hetimi ka provuar se gjithë kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave të konsiderueshme në Euro, që shkonin nga 6 deri 12 000 euro.

Në këtë skemë të kundraligjshme ishte përfshirë dhe sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, e cila në një rast ka siguruar kundrejt marrjes së përfitimit të parregullt që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Ndërkohë gjatë hetimeve është provuar se i hetuari Shkëlqim Korbi ka konsumuar elementët e veprës penale “ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal. Ky i hetuar është caktuar si ekspert në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila po shqyrtonte kërkesën e shtetasit O. K. me objekt revokim të masës mjekësore “mjekim i detyruar spitalor….”. Rezulton se fillimisht ky ekspert ka përgatitur aktin e ekspertimit psikiatriko – ligjor të këtij shtetasi dhe më tej e ka depozituar në sekretarinë e mjekësisë – ligjore. Ky akt ekspertimi ishte në disfavor të kërkuesit. Pas ndërhyrjeve të të interesuarve, eksperti ndërhyn tek sekretaria e mjekësisë ligjore duke rimarrë aktin e dorëzuar dhe përgatitur një akt të ri që përmbush kërkesat e O. K.

Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.

Policia e Shtetit ka ekzekutuar në datën 11.02.2021 masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata me vendimin nr.14 datë 10.02.2021. Gjithashtu në zbatim të vendimit nr.54 datë 10.02.2021 Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka ushtruar kontrolle në mbi 16 banesa dhe zyra të subjekteve të hetuar dhe të tjerë, me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e provave materiale.

Hetimet e këtij procedimi penal do të vazhdojnë me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe dërgimin për gjykim të gjithë të hetuarve në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: