Ekonomia

Studimi i BSH: Mbyllja e ekonomisë godet më shumë punësimin në shërbime dhe ndërtim

Mbyllja e ekonomisë mund të ndikojë më shumë në punësimin në industrinë e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërsa punësimi në bujqësi dhe prodhim mund të vuajë relativisht më pak.

Një studim i specialistit të departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, Bledar Hoda, ka treguar se madhësia e ndikimit të mbylljes së ekonomisë në nivelin e papunësisë duket e ulët, por statistikisht e rëndësishme. Studimi në fjalë tenton të vlerësojë efektin e drejtpërdrejtë të menjëhershëm të mbylljes në aktivitetin ekonomik dhe tregjet e punës.

Pavarësisht se këto efekte të menjëhershme mund të mos kapin ndikimin total në një horizont të gjatë kohor, vlerësimet ofrojnë një krahasim në peshimin e kostos së mbylljes së ekonomisë kundrejt përfitimeve në drejtim të frenimit të përhapjes së virusit. Studimi ka treguar se pikërisht degët e shërbimeve dhe ndërtimi mund të vuajnë më shumë si pasojë e mbylljes në ecurinë e treguesve së punësimit.

Gjithashtu, studimi tregoi se papunësia midis të rinjve mund të rritet më shpejt sesa papunësia në mesin e popullatës së moshuar. Të dhënat e Instat treguan se për tremujorin e dytë të vitit 2020, periudha me masat më të forta kufizuese të aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare u rrit me 0.5 pikë përqindje. Megjithatë, vlerësohet se ky tregues nuk e reflektoi plotësisht numrin e vendeve të punës së humbura për shkak të pandemisë.

Një pjesë e madhe e atyre që humbën vendet e punës nuk rezultuan si punëkërkues aktivë, duke dalë nga forca e punës dhe duke mos u klasifikuar si të papunë. Por, edhe sipas të dhënave zyrtare, për grupmopshën 15-29 vjeç, rritja e shkallës së papunësisë ishte 1.4 pikë përqindje, pothuajse tre herë më e lartë krahasuar me mesataren e ekonomisë shqiptare për të njëjtën periudhë.

Gjetjet e studimit sugjerojnë se, bazuar në shkallët e masave të bllokimit të vendosura gjatë

valës së parë, ngritja e nivelit të mbylljes së ekonomisë me çdo 10 pikë përqindjeje mund të shkaktojë një rënie të prodhimit industrial me 5% në çdo muaj.

Të dhënat tremujore për Prodhimin e Brendshëm Bruto treguan se ndikimi i pandemisë dhe i mbylljes së ekonominë ishte i rëndë, me tkurrje vjetore të prodhimit me 10.23% gjatë tremujorit të dytë të vitit. Me rivendosjen e disa masave të pjesshme kufizuese në tremujorin e fundit të vitit, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar menjëherë se këto masa mund të kenë ndikuar menjëherë në një ngadalësim të ekonomisë, pasi rënia ishte reduktuar në 3.47% në tremujorin e dytë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button