Bota

SHBA: Jemi të gatshëm të bisedojmë me Iranin për marrëveshjen bërthamore

Irani reagoi me qetësi ndaj idesë së Shteteve të Bashkuara, të paraqitur nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken gjatë një takimi virtual me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë të mbledhur në Paris.

Blinken përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se administrata e Presidentit Joe Biden do të kthehej në marrëveshjen bërthamore nëse Irani do ta zbatonte atë plotësisht.

“Sekretari Blinken përsëriti se … nëse Irani kthehet tek marrëveshja duke e zbatuar atë plotësisht, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë të njëjtën gjë dhe janë të përgatitura të përfshihen në diskutime me Iranin drejt arritjes së këtij qëllimi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga katër vendet.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni do t’i përgjigjej pozitivisht çdo ftese të Bashkimit Evropian për bisedime midis Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha që negociuan marrëveshjen origjinale: Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne jemi gati të marrim pjesë nëse një takim i tillë do të zhvillohej”, i tha zyrtari agjencisë së lajmeve Reuters, duke folur në kushte anonimiteti, pasi një zyrtar i lartë i BE-së tha se ishte i gatshëm të thërriste një takim të tillë midis palëve që ishin pjesë e marrëveshjes.

Londra, Parisi dhe Berlini mirëpritën synimin e Presidentit Biden për t’u kthyer në rrugën e diplomacisë me Iranin. Por Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, u përgjigj duke thënë se Uashingtonit duhej të bënte lëvizjen e parë.

Irani filloi shkeljen e marrëveshjes në 2019 pasi ish Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi përsëri sanksionet ekonomike ndaj regjimit iranian.

Teherani ka intensifikuar shkeljet e tij në muajt e fundit dhe hyri në një konflikt me administratën e Presidentit Biden mbi atë se kush duhet të lëvizte i pari për të shpëtuar marrëveshjen.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button