MaqedoniaRajoni

Maqedonia e Veriut-NATO: Nënshkruhet Memorandumi për Bashkëpunim në fushën e mbrojtjes kibernetike

Memorandumi i bashkëpunimit me NATO-n në fushën e mbrojtjes kibernetike mundëson një përgjigje të koordinuar të aleatëve në rast sulmi kibernetik

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska dhe Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, David van Weel, si kryetar i Komitetit të Menaxhimit të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, nënshkruan një Memorandum të Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike midis Maqedonisë së Veriut dhe NATO-s.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky Memorandum Mirëkuptimi synon të përmirësojë dhe të zgjerojë bashkëpunimin dhe ndihmën në fushën e mbrojtjes kibernetike midis NATO-s dhe autoriteteve kombëtare të mbrojtjes kibernetike.

“Siguria kibernetike është një fushë që ne e marrim shumë seriozisht. Memorandumi i bashkëpunimit me NATO-n në fushën e mbrojtjes kibernetike mundëson një përgjigje të koordinuar të aleatëve në rast sulmi kibernetik dhe është një kontribut serioz në forcimin e kapaciteteve kombëtare për t’u marrë me sulmet kibernetike si dhe forcimin e rezistencës së Aleancës”, deklaroi ministrja Shekerinska

“Mbrojtja kibernetike është prioritet i NATO-s dhe aleatëve të saj. Forcimi i rezistencës ndaj kërcënimeve kibernetike në rritje është kritik dhe ky Memorandum i Bashkëpunimit në mbrojtjen kibernetike që ne nënshkruam me Maqedoninë e Veriut është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”, deklaroi Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm, Van Weel.

Siç u theksua më tej, Memorandumi i Mirëkuptimit do të lehtësojë shkëmbimin e informacioneve rreth kërcënimeve kibernetike dhe praktikave më të mira, do të përmirësojë parandalimin e incidenteve kibernetike dhe do të ndihmojë në rritjen e rezistencës së Maqedonisë së Veriut ndaj kërcënimeve kibernetike.

“Gjithashtu, Memorandumi i Mirëkuptimit do të lehtësojë mbështetjen e ndërsjellë të organeve kompetente për mbrojtjen kibernetike të NATO-s dhe Maqedonisë së Veriut në rast nevoje”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut.

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button