Ekonomia

Programi ekonomik i PD-së/ Kadia: Jorealist dhe i parealizueshëm

Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia e cilësoi sot programin ekonomik të prezantuar nga Partia Demokratike si jorealist dhe të parealizueshëm, sidomos në kushtet kur vendi është goditur nga dy kriza, ajo e tërmetit dhe pandemia.

Në një intervistë televizive Kadia tha se, “në vetvete shumica e premtimeve ose e listës së objektivave të PD-së se si do të jetë Shqipëria, me faturë financiare janë të parealizueshme, sidomos në kohën kur jemi në kushte pandemie dhe posttërmeti”.

“Të dyja këto janë angazhime të forta buxhetore dhe nuk mund të pretendosh pa i ezauruar këto problematika, të ofrosh një plan i cili është jorealist për kushtet në të cilën duhet menaxhuar. Pra nuk është çështje filozofie më, por është çështje praktike”, tha ai.

Kadia tha se, “më duket si një buxhet jo praktik për ato që janë problematikat e ekonomisë shqiptare sot”.

Kadia u ndal po ashtu edhe te disa prej nismave financiare të ndërmarra nga qeveria në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit.

“Kemi lancimin para pak ditëve për sa i përket taksave për biznesin e vogël, gjithashtu dhe tatimi mbi të ardhurat personale që do të rishikohet, ku pragu synohet të jetë më i lartë se aktualisht. Pra tani, për deri në 30 mijë lekë të ardhura mujore paguajnë 0 %. Synohet që në të ardhmen të shkojë në 40 mijë lekë”, tha ai.

Vetëm ky hap, sipas zv/ministrit Kadia përjashton mbi 73 mijë qytetarë në muajt që vijnë nga pagimi i tatimit mbi të ardhurat personale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button