Kosova

Kosovë: KQZ shpalli rezultatet përfundimtare. Vetëvendosja e para me 49.9 % ose 58 deputetë

Ashtu siç pritej, Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit u rendit partia e parë në votime me 49.9 % të votave të fituara. Pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore duhet brenda 30 ditësh të bëhet kostituimi i Kuvendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, duke e shpallur kështu fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosja me 49.9 % të votave të fituara. E dyta renditet PDK me 16.9 %. LDK me 12.64 % renditet partia e tretë. AAK fitoi 7.07%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.

Sipas KQZ-së pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48%, apo mbi 800 mijë votues. Sipas renditjes së vendeve në parlament, Lëvizja Vetëvendosja ka siguruar 58 deputetë. Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 deputetë. Lista Srpska ka siguruar 10 vendet e rezervuara për ta, ndërsa 10 deputetë janë siguruar nga radhët e pakicave jo serbe.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se pas shpalljes zyrtare të rezultateve, partitë politike apo kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 24 orëve. Pas PZAP-së, ankesa mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme. Ngritja e ankesave eventuale mund të shtyjnë edhe më tej çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, proces ky që i hap rrugën afatit të ri ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh pas çertifikimit

Pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore, Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Pika e parë e kuvendit të ri është zgjedhja e kryetarit të kuvendit që në bazë të kushtetutës i takon automatikisht partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosja. Udhëheqësi i ri i kuvendit, mund të marrë në mënyrë automatike edhe rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, post ky që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, që ishte kryetare e Kuvendit në legjislaturën e kaluar. Vjosa Osmani tanimë është kandidate për të marrë postin e presidentes së vendit me mandat pesë vjeçarPas konstituimit të Kuvendit, ushtruesja e detyrës së presidentes duhet të dekretojë kandidatin për kryeministër ku qeveria e re duhet të votohet brenda 15 ditësh. Sfidë tjetër me të cilën do të përballet kuvendi i ri është zgjedhja e presidentit të Kosovës. Për zgjedhjen e presidentit në raundin e tretë, nevojitet pjesëmarrja e 80 deputetëve në sallë, ndërsa, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button