Bota

AI: Krime lufte në Ukrainë

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International ka raportuar se gjatë konfliktit të Ukrainës janë kryer krime lufte nga forcat qeveritare ukrainase dhe nga separatistët pro-rusë.

Në një raport të prezantuar në Berlin dhe Londër të hënën, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International akuzoi separatistët pro-rusë dhe forcat qeveritare ukrainase se kanë bërë krime lufte në lindje të Ukrainës.

Sipas raportit me titull “Përmbledhje e vrasjeve gjatë konfliktit në Lindje të Ukrainës” ka prova që tregojnë se të dyja palët janë përgjegjëse për ekzekutime ilegale dhe mizori gjatë konfliktit. Ekspertja e Amnesty International për Ukrainën, Jovanka Worner, tha se pavarësisht shkruarjes së këtij raporti, ishte e vështirë të përcaktojë shtrirjen e krimeve.

“Shumë nga rastet shokuese, në veçanti ato të publikuara nga mediat ruse, janë shumë të ekzagjeruara”, tha ajo. “Nuk ka prova bindëse për vrasje masive apo varre.” Por sidoqoftë ajo shton se ka patur ekzekutime, që mund të cilësohen si krime lufte.

Varre masive

Sipas raportimeve të mediave ruse në 23 shtator u zbulua një varr masiv mes fshatrave Komunar dhe Nyzhnya Krynka (zona e Donetskut), i cila ishte më parë nën kontrollin e milicisë ukrainase. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më vonë deklaroi se atje u gjetën 400 trupa të varrosur.

Tre ditë më vonë një delegacion i Amnesty International shkoi atje dhe përveç provave të tjera, gjetën në fakt edhe trupat e katër burrave të ekzekutuar nga milicia ukrainase.

Raste te izoluara

“Ato që kemi parë, janë raste të izoluara të ekzekutimeve, që mund të futen në kategorinë e krimeve të luftës”, thotë John Dalhuisen, Drejtori i Amnesty International për Europën dhe Azinë Qendrore. “Vrasje të tillë janë bërë nga të dyja palët. Të gjitha rastet e dyshuara duhet të hetohen dhe përgjegjësit nga të dyja anët të dënohen”, shtoi ai.

Amnesty International u ka bërë thirrje urgjente të dyja palëve të hetojnë çështjet dhe të shpjegojnë krimet.

Në fillim të shtatorit të dyja palët ranë dakord për një armëpushim dhe krijimin e një zone të demilitarizuar në Lindje të Ukrainës. Por dhuna vazhdoi, ne veçanti rreth aeroportit të Donetskut, duke shkelur kështu marrëveshjen. Sipas Kombeve të Bashkuara në shtatë javët e shkuara, më shumë se 330 njerëz janë vrarë në zonën e konfliktit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button