Kronika

7 Marsi- Mesazhe urimi për mësuesit/Liderët e vërtetë të kombit dhe të shoqërisë

Në të gjitha trevat shqiptare, sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Dita e Mësuesit i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve dhe në këtë ditë, të gjithë së bashku nderojmë traditat më të mira të shkollës kombëtare shqipe, si dhe të figurës së mësuesit.

Mësuesit shqiptarë në çdo kohe e në çdo krahinë kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme.

Në mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe. Në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike, 7 marsi festohet në Shqipëri si Dita e Mësuesit.

Ruçi: Çdo komb merr fytyrën e mësuesve të vet

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka uruar sot mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit.

“Për të gjithë ne, kjo është një ditë e shënuar, madje ndër festat më të bukura të një kombi. Është Festa e Mësuesit. Është i dyti 7 Mars që e kremtojmë jo siç do të dëshironim. Mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë do t’u mungojë edhe sot melodia e zërave të gëzueshëm dhe përqafimet me nxënësit e tyre të dashur. Por pandemia nuk mund të ndajë ndjenjat, zemrat dhe dashurinë  njerëzore. Në këtë 7 Mars të kësaj pranvere të vështirë për të gjithë planetin, të gjithë ne shqiptarët, urojmë nga thellësia e shpirtit mësueset dhe mësuesit e fëmijëve,  mbesave e nipërve tanë: Gëzuar këtë festë të bukur, edhe pse në një kohë anormale! Bashkë me urimet, sot është dita të shprehim mirënjohjen për punën vetmohuese të mësuesve të Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit shkollorë, të cilat do të jenë më të vështirat e karrierës së tyre”, shprehet ai.

Po ashtu, Ruçi shton se sot është dita të reflektojmë e të rikujtojmë se progresi i vendit varet nga progresi i arsimit dhe progresi i arsimit është në duart e sigurta të mësueseve dhe mësuesve të Shqipërisë.

“Në dorën tuaj, që e kini zgjedhur këtë profesion jo për lehtësi, por si  një mision për të pasuruar e zbukuruar jetën e vajzave e djemve të Shqipërisë.Mësuesi është  profesioni më  i ëndërruar dhe me më shumë ndikim në jetën e një vendi. Një komb merr fytyrën e mësuesve dhe të shkollave.Mësuesit janë jo vetëm edukatorët, por lidershipi i vërtetë i kombit dhe i shoqërisë.Nëse dëshirojmë t’u japim  një shans fëmijëve tanë, le t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë.Për gjithkënd  që e konsideron veten të suksesshëm, çelësi i suksesit  është mësuesi. Prandaj asnjëherë nuk duhet të rreshtim t’u japim mësuesve kushte më të mira, pagë më të mirë dhe mirënjohjen më të thellë”, shkruan Ruçi.

Kushi, telefonatë surprizë urimi për mësuesen e saj kujdestare të gjimnazit

Në kuadër të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka realizuar një telefonatë surprizë urimi për Znj. Lumni Shashaj, mësuesen e saj të Frëngjishtes dhe kujdestare gjatë viteve në gjimnazin “Dhaskal Todri” në Elbasan. Gjatë bisedës në telefon, Ministrja Kushi e falënderon shumë nga zemra mësuesen për punën e përkushtimin. Në anën tjetër, mësuesja në pension Lumni Shashaj e falënderon Znj. Kushi që e kujton ndërmjet të gjithë atyre nxënësve që ka pasur ndër vite.

Ministrja Kushi i shprehet mësueses se “do të kisha dashur shumë të të sillja një tufë me mimoza, por për shkak të pandemisë dua të kujdesem për shëndetin tënd në radhë të parë”. Ndërkohë, Znj. Kushi zbulon edhe një fakt të pathënë më parë se gjuhën frënge e ka dashur vetëm falë mësuese Lumnit dhe për mënyrën se si e ajo e shpjegonte. Në fund, Ministrja Evis Kushi i shpreh serish mirënjohjen mësueses së saj të gjimnazit:

“Gëzuar 7 Marsin dhe shumë mirënjohje për gjithçka, për mua, për të gjithë shokët e shoqet e mia të klasës dhe për të gjithë brezat që kanë kaluar”.

Xhaçka: Mirënjohje për mbi 1 mijë mësues që kontribuojnë për mësimin e gjuhës shqipe, në 21 vende të botës

Në festën e 7 marsit, ditës së dedikuar mësuesve edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj tyre. Ajo ka shprehur mirënjohjen veçanërisht mësuese Adriana Fishta Bejko si dhe 1 mijë mësues të që kontribuojnë për mësimin e gjuhës shqipe në 21 vende të botës, duke shprehur edhe falënderime për përkushtimin dhe sakrificën e tyre. Ministrja shtoi se janë mbi 300 shkolla e kurse të gjuhës shqipe në diasporë, ku japin mësim mësues nga Shqipëria , Kosova dhe Maqedonia e Veriut , të cilët sfidojnë kufijtë bashkojnë në një gjuhë brezin e ri.

“Faleminderit për përkushtimin dhe sakrificën për të mbajtur gjallë gjuhën amtare tek brezi i ri. Janë mbi 300 shkolla e kurse të gjuhës shqipe në diasporë, ku japin mësim mësues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të cilët sfidojnë kufijtë bashkojnë në një gjuhë brezin e ri. Gëzuar 7 marsin”, shprehet Xhaçka.
Manastirliu: Fjalët nuk do mjaftojnë asnjëherë për t’iu shprehur mirënjohjen
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një foto me mësuesen e saj të fillores, Kaliopi Gjoni duke uruar të gjithë mësuesit në ditën e 7 Marsir. “Me mësuesen time të fillores zysh Kaliopi Gjoni, në këtë ditë të shënuar për të gjithë mësueset dhe mësuesit tanë Gëzuar 7 Marsin të gjithë armatës së arsimtarëve. Fjalët nuk do mjaftojnë asnjëherë për t’iu shprehur dashurinë, respektin dhe mirënjohjen për dijen që përçoni dhe vlerat që transmetoni”, shprehet Manastirliu.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button