Home / Ekonomia / Turizmi, parashikimi mbetet i zymtë, kthimi në normalitet do të kërkojë 3-5 vjet

Turizmi, parashikimi mbetet i zymtë, kthimi në normalitet do të kërkojë 3-5 vjet

Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit

 Viti 2021, edhe pse pritet të jetë më i mirë se ai që lamë pas, nuk do të jetë afër me normalitetin para pandemisë. Pavarësisht programeve të vaksinimit, të nisura në shumë vende do të jetë e vështirë që vendet të lehtësojnë plotësisht kufizimet.

Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, shprehet se konsulentët globalë të turizmit kanë nënvizuar se ndoshta vera e vitit 2022 do të shënojë pikën e kthesës drejt normalitetit. Ndërsa rimëkëmbja e plotë do të kërkojë 3-5 vjet. Vendeve ndërkohë do t’ju duhet të notojnë në ujërat e pasigurta që sjell pandemia dhe të përpiqen të mbijetojnë në bazë të mundësive që kanë. Shqipëria do të ketë në bazë të saj turizmin patriotik.

Si e shihni sot situatën e përgjithshme të turizmit në kushtet ku ndodhemi një vit pas pandemisë?

Fatkeqësisht, viti 2021 ka filluar me përkeqësim të mëtejshëm të situatës në vendet e BE-së e Britanisë se Madhe dhe për shkak të mutacioneve më të rrezikshme të COVID-19. Për arsye të bllokimit të lëvizjes nga një shtet në tjetrin dhe kufizimeve në aktivitetet e shërbimeve, gjendja po përkeqësohet. Qeveritë e tyre vazhdojnë të eksperimentojnë Lockdown (karantinë) total apo të pjesshëm pas çdo përkeqësimi.

Kriza pandemike në Shqipëri ka dëmtuar të gjithë sektorin Turizëm dhe Udhëtime, veçanërisht agjencitë dhe akomodimin në të gjitha destinacionet. Shifrat zyrtare të vitit 2020 sipas INSTAT, vërtetojnë rënie prej 58.5% të numrit të turistëve, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (në fakt rënia është 62,8% pasi 4,3% janë udhëtarë që kanë kaluar tranzit).

Hotelet – megjithëse në teori mund të qëndrojnë të hapura – janë detyruar të mbyllen ose të punojnë me kapacitete minimale (kryesisht në fundjavë dhe me çmime të reduktuara) sidomos ne qytetet kryesore.

BiznesAlbania, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe në partneritet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka zhvilluar një anketim me temë: “Ndikimi i Pandemisë COVID-19 tek Ndërmarrjet në Shqipëri” duke nxjerrë në pah një situatë alarmante.

Nga anketimi, Sektori i Mikpritjes është më i godituri, 31% e ndërmarrjeve nuk janë funksionale dhe 40% funksionojnë vetëm pjesërisht. Ky sektor ka numrin më të lartë të ndërmarrjeve jofunksionale, pasi kanë qenë të detyruara të mbyllen, për shkak të kufizimeve të vendosura në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme, masave të Protokollit COVID-19 dhe VKM.

Sipas anketimit – në sektorin e mikpritjes janë prekur nga kriza të gjitha kompanitë, pa asnjë përjashtim, 41%, parashikojnë një periudhë të gjatë rimëkëmbjeje, 72% e tyre kanë pësuar rënie të lartë të të ardhurave / shitjeve, 75% e tyre kanë reduktuar numrin e fuqisë punëtore në mënyrë të konsiderueshme. Perspektivat e shkurtimeve të vendeve të punës janë shqetësuese.

Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve nga sektori i mikpritjes (78%), konfirmojnë planin për të larguar punonjësit gradualisht. Ndër Sfidat e Rënda të ndërmarrjeve të sektorit, renditen: 74% e tyre kanë Deficit të Kapitalit të Punës, 65% e tyre kanë kërkesë të ulët për produkte / shërbime dhe 35% vuajnë nga Paaftësia e partnerëve për të punuar normalisht. Konkluzionet flasin për një zgjidhje afatgjatë. Turizmi shqiptar ka nevojë për një program rikuperimi sipas rekomandimeve ndërkombëtare dhe për masa më të thelluara në mbështetje të tij.

Sektori në tërësi globalisht sheh shpresën e rimëkëmbjes tek vaksina. Vendet që kanë përparësi turizmin e shohin vaksinimin në mënyrë edhe më emergjente. Si e shihni situatën e përgjithshme globale të sektorit në kontekstin e vaksinës dhe situatën e Shqipërisë?

Situata ka forcuar bindjen se rruga për të dalë nga pandemia COVID-19 do të jetë e gjatë dhe me të papritura. Konkluzioni i nxjerrë, se pa një vaksinim global të popullsisë nuk do të ketë liri të plotë, është realitet. Lufta për të rritur vaksinimin nuk është më vetëm garë për vendet e treta por dhe mes vetë shteteve të SHBA-së apo BE-së. Dhe kjo e vështirëson më shumë situatën e industrisë së turizmit në botë.

Turizmi i vaksinave është vërejtur prej disa javësh në Shtetet e Bashkuara. Sipas së përditshmes britanike The Guardian, gati 50,000 doza u injektuan tek turistët ose banorët sekondarë mbi 65 vjeç në Florida. “Shkoni në një udhëtim me shpresën për t’u vaksinuar më herët sesa ishte planifikuar” tashmë, është një koncept i ri turistik.

Teza për një Pasaportë Vaksinimi për të udhëtuar lirisht është një çështje e propozuar dhe organizmat e BE-së po e shqyrtojnë me kujdes. Ballkani Perëndimor, ku përfshihet dhe Shqipëria do të ketë mundësi vaksinimi të kufizuara. Të shpresojmë se do të përfundojë deri në fillim të pranverës 2022.

Pritshmëritë janë që edhe këtë vit të mos ketë një rimëkëmbje të plotë të sektorit dhe fokusi të jetë te turizmi patriotik si një skenar opsional. Ju vetë çfarë skenarësh apo mundësish shihni për Shqipërinë?

Po përgatitemi për një rrugë të gjatë. Këshillat që japin Kompanitë Globale të Konsulencës, për fushën e Turizmit janë të zymta: “Përgatituni për verën e 2022”.

Cilat duhet të jenë disa nga masat që qeveria duhet të marrë për ta ndihmuar sektorin e turizmit?

Jemi të detyruar të përballojnë – një krizë të mungesës së të ardhurave – një mori barash ekonomike dhe administrative, të tilla si kredi apo qira mujore, taksa e tatime të llojeve të

ndryshme, furnitorë dhe konsulentë, mirëmbajtje të objekteve, politikat e sigurimit, etj. Vendet e rajonit kanë arritur të vënë në dispozicion nisma të rëndësishme në një kohë të shkurtër, duke u ofruar mbështetjen e nevojshme për të qenë në gjendje të kapërcejnë krizën aktuale dhe të përgatiten në mënyrë graduale për t’u përballur me konkurrencën e ashpër ndërkombëtare që do të ndodhë në vijim. Në këto shtete, industria turistike është mbështetur dhe stimuluar! Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, së fundi Kosova, kanë aplikuar paketa, ku turizmi merr vëmendje maksimale.

(FMN, në raportin e muajit janar 2021, mbi nivelin e mbështetjes fiskale të drejtpërdrejtë për pandeminë, e rendit Shqipërinë të fundit në rajon, në nivelin 1.2% të PPB. Maqedonia e Veriut në nivelin 2.6% të PBB, Bosnjë-Hercegovina 5.1% të PBB, Kosova 5.6% e PBB, Serbia 5.6% e PBB dhe Mali i Zi në 8% të PBB). Shkurtimisht, për të hedhur dritë mbi masat rajonale.

Mali i Zi, që prej shtatorit 2020 ka aplikuar Paketën e Tretë të Masave me vlerë totale 1.22 miliardë euro, e cila i referohet periudhës 2020-2024. Sektori më i prekur i ekonomisë është turizmi dhe për këtë arsye janë përcaktuar masa të veçanta për kompanitë në këtë sektor. Masat kanë të bëjnë me subvencione (subvencione page, subvencione interesi të kredive gjatë periudhës grace dyvjeçare dhe interesa për linjat e tjera të kreditit), subvencione për operatorët turistikë dhe sektorit të akomodimit, aplikimi i TVSh 7% për shërbimin në Restorant; Bar, etj.

Qeveria në Malin e Zi do të ndajë gati 200 milionë euro për turizmin nëpërmjet masave afatshkurtra dhe afatgjata. Ajo ka demonstruar, vullnet për t’u përballur me sfidat në industrinë e turizmit. Fondet për periudhën 2020-2022 në mbështetje të industrisë së turizmit arrijnë në 83.3 milionë EUR, dhe 61% e tyre i referoheshin vitit 2020.

Duke parë me realizëm gjendjen e Industrisë Turistike & Udhëtimeve në Shqipëri, si dhe vështirësitë me të cilat ajo po ballafaqohet për shkak të COVID-19, kemi kërkuar nga qeveria, në mënyrë të qëndrueshme, disa lehtësi të mundshme për t’u zbatuar në kuadër të mbijetesës:

  1. Taksa e Ndërtesës dhe Reklamës për Sipërmarrjet Turistike të hiqet për vitin 2020 dhe të përgjysmohet për vitin 2021. Pas një Protokolli penalizues dhe VKM që kanë kufizuar shërbimet kryesore si: konferencat, organizimet festive, përdorimin e ambienteve të mbyllura, etj., duke detyruar të punojmë me kapacitete të reduktuara, është e paarsyeshme të kërkohet të paguhet kjo taksë.
  2. Shtyrja e kredive deri në fund të 2021 për industrinë e Turizmit & Udhëtimit.

Riskedulim, me kushte të qarta, jo Ristrukturim brenda afateve ekzistuese.

Urdhëresat e Bankës së Shqipërisë, vetëm duke rekomanduar bankat, janë të pamjaftueshme. Rajoni ka subvencionuar interesat e kredive të Industrisë dhe grace period dy vjet.

  1. Kredia për pagat (mars/prill/maj) nuk funksionoi si duhet, ajo u akordua për periudhën që hotelet ndërprenë aktivitetin. Kërkojmë shtrirjen e saj në kohë.
  2. Grante dhe politika stimuluese për të siguruar mbijetesën e industrisë. Subvencione për sigurimet e punonjësve të industrisë duke përfshirë ata që kanë humbur vendet e punës.

A shihni ndonjë zhvendosje të segmenteve të turizmit në vetvete për shembull nga hotelet te natyra, nga grumbullimet masive te parqet kombëtare. A do të jenë këto tendenca që po përvijohen globalisht tipike edhe në vendin tonë?

Sondazhi më i fundit i 11 shkurtit 2021, “Këshilla për Qëllimin e Udhëtimit”, kryer nga Shoqata e Udhëtimeve të ShBA-së dhe MMGY Global tregoi se rreth 50% e udhëtarëve amerikanë, po planifikojnë të vizitojnë familjen dhe miqtë në udhëtimin e tyre të parë këtë vit, por shumica dërrmuese, me makinë. Rreth 40% e udhëtarëve amerikanë nuk planifikojnë të udhëtojnë para se të ketë shpërndarje të vaksinave, 60-70% e njerëzve thanë se një formë e vaksinimit, do të përmirësonte gjasat e rezervimit të një pushimi në 6 muajt e ardhshëm. Udhëtarët ndihen më pak të sigurt në fluturimet ndërkombëtare dhe lundrimet.

Kjo mund të sinjalizojë që udhëtimi ndërkombëtar dhe lundrimi do të jenë ndër segmentet e fundit të udhëtimit për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme. Udhëtimet rrugore dhe vizitat në parqet kombëtare do të ishin forma e udhëtimit që preferojnë të bëjnë.

Edhe në Shqipëri do të kemi të njëjtën tendencë lëvizje, me shumë pushime të shkurtra, lëvizje me mjetet personale brenda familjes së ngushtë, turizëm në natyrë dhe parqe natyrore jo larg vendbanimit, pushime në hotele, vila e apartamente me 1-2 net-qëndrime.

Cilat do të jenë pushimet e projektuara post-pandemike në këndvështrimin tuaj? Do të kemi lëvizje low cost (me kosto të ulët) apo pushime luksi, lëvizja e çmimeve mes vendeve që njihen si destinacione (p.sh. për Shqipërinë vende të tjera të rajonit si Greqia apo Mali i Zi e Kroacia). 

Parashikohet përsëri një cikël i mbyllur brenda Ballkanit Perëndimor, turizëm patriotik dhe turizëm i brendshëm gjithëvjetor. Vaksinimi i popullsisë botërore do të zgjasë përtej parashikimit, gjë që e bën të pamundur rifillimin e lëvizjes normale.

Kthimi në normalitet i Industrisë së Turizmit & Udhëtimit parashikohet nga ekspertët ndërkombëtarë, pas një periudhe 3-5 vjet. Alarmin e japin statistikat. Spanja, duke u nisur nga numri i ulët i net-qëndrimeve të turistëve të huaj, është kthyer në vitet ‘90, kurse Austria në vitet ‘70.

Ndoshta të mësuarit me gjendjen e pandemisë, ulja e agresivitetit, informacioni më i plotë mbi përhapjen dhe rënia e disa miteve për mënyrat e infektimit, janë efekte që mund ta thjeshtojnë në njëfarë mase lëvizjen dhe turizmin, por do të na shoqërojë në dy vitet e ardhshme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: