Politika

Kroacia mbështet Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian

10730872_306402999551325_847050150667319613_n-466x350Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, Ilir Melo, zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Josip Leko. Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga zyra e Kryetarit të Parlamentit dhe personeli i ambasadës shqiptare në Zagreb.

Leko, pasi i uroi mirëseardhjen në Kroaci dhe sukses në detyrë zotit Melo, vuri në dukje partneritetin që ekziston mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e pasur dypalësh dhe në kuadrin rajonal.

Leko, ndër të tjera theksoi se Kroacia mbështet Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian, duke dhënë përvojën e mbledhur dhe njohuritë e saj në këtë rrugë.

Në aspektin dypalësh, të rëndësishme mbeten bashkëpunimi në kuadër të TAP dhe IAP, si edhe përfundimi i autostradës Adriatiko-Joniane (Korridori Blu).

Ambasadori Melo falënderoi z. Leko për mikpritjen dhe nënvizoi se Kroacia është një vend mik i Shqipërisë, me të cilin ndajmë interesa të përbashkëta, me marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe e me mundësinë zhvillimi të mëtejshme, sidomos në aspektin ekonomik.

Përveç projekteve të përmendur më sipër, fusha të rëndësishme bashkëpunimi të mundshëm janë turizmi, agrikultura, infrastruktura, energjia, etj. Marrëveshja për partneritet evropian do të shërbejë si një bazë solide për të punuar më tepër së bashku.

Gjithashtu, ambasadori Melo i përcolli Kryetarit Leko përshëndetjet e Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Në fund të takimit, Leko ripërsëriti ftesën për vizitën e z. Ilir Meta në Kroaci, duke i dhënë kështu një shtysë të mëtejshme dimensionit parlamentar në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button