Home / Ekonomia / Nënshkruhet marrëveshja për gazin e lëngshëm SHBA-Shqipëri/ Projekti me Exxon Mobil & Excelerate Energy e kthen Vlorën në qendër rajonale

Nënshkruhet marrëveshja për gazin e lëngshëm SHBA-Shqipëri/ Projekti me Exxon Mobil & Excelerate Energy e kthen Vlorën në qendër rajonale

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi përmes Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy”, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri. Ky projekt përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me LNG, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e LNG, duke e shndërruar Vlorën në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Enegjisë, Belinda Balluku, duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Shqipërisë e SHBA, përmes Ministrisë së Infrastruktuës e Energjisë dhe “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy”, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri, deklaroi se, “rëndësia e partneritetit që farkëtojmë sot është e dyfishtë”.

Balluku u shpreh se, “Shqipëria mbështetet tërësisht në energjinë e përtëritshme”. “Unë këmbëngul se për Shqipërinë tranzicioni energjetik nuk do të thotë të njëjtën gjë si për vende të tjera europiane. Ne kemi nevojë për sigurinë e furnizimit. Kemi nevojë për së paku një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë”, tha ajo.

“Projekti për termocentralin e Vlorës është 20-vjeçar. Së pari, me ndihmën e BB u projektua dhe u ndërtua për të funksionuar me naftë diesel. Por kurrë nuk qe funksional për shkak të defekteve në projektim dhe ekzekutim. E më pas, pas ndërtimit të gazjellësit Transadriatik, pati orvatje dhe natyrisht edhe përpjekje të pasukseshme komisionimi për ta konvertuar termocentralin që të funksiononte me gaz të furnizuar nga TAP-i”, u shpreh Balluku.

“Sot jemi besimplotë që gazi i lëngshëm natyror mund të jetë kyçi për të ofruar më së fundi zgjidhjen përfundimtare për projektin kompleks të termocentralit duke zgjedhur partnerët më të mirë që janë të pajisur për të realizuar një projekt të kësaj magnitude”, tha Balluku.

Balluku shtoi se “për të arritur një gjë të tillë MIE angazhohet që të bashkëpunojë me ‘Exxon Mobil’ dhe ‘Excelerate Energy’ për të vlerësuar aspektet tregtare, teknike, rregullatore për të sjellë gazin e lëngshëm natyror në Shqipëri. Kjo përfshin të tërë zinxhirin, nga konvertimi në gazin e lëngshëm natyror të termocentralit të Vlorës në terminalin e rigazifikimit për shpërndarje në shkallë të vogël të gazit të lëngshëm natyror, duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonale”.

“Ndërkohë që rritja e sigurisë së furnizimit është thelbësore, jo vetëm për ne, por për të gjithë fqinjët ballkanikë, pasja e kësaj shpërndarjeje në shkallë të ulët të gazit të lëngshëm natyror, mund të sjellë përfitime për të gjithë rajonin”, theksoi Balluku.

Balluku nënvizoi se, “duke u mbështetur tek përvoja dhe njohuritë e ‘Exxon Mobil’ dhe ‘Excelerate Energy’ ne mund të përshpejtojmë futjen e gazit natyror në tregjet tona, si një kontribut serioz për të pasur diversifikim e siguri”.

“Qeveria shqiptare është shumë entuziaste për ta eksploruar këtë mundësi me dy lider të kësaj industrie dhe do të donte të falenderonte Departamentin Amerikan të Energjisë dhe Ambasadën amerikane që na bënë bashkë dhe që mbështetën këtë bashkëpunim, i cili do të ndërtojë më tej mbi partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Presim me padurim që të punojmë së bashku e që ta shohim këtë projekt të realizuar”, tha Balluku.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë marrëveshje një zhvillim fantastik për energjetikën shqiptare dhe një sukses domethënës për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Në fjalën e tij në ceremoninë online, Kryeministri Rama tha se “zhvillimi i këtij projekti me lider të kësaj industrie si “Exxon Mobil” dhe “Excelerate Energy” dhe bashkëpunimi me SHBA dhe me Departamentin Amerikan të Energjisë për ta bërë këtë projekt realitet është një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Të përballesh me një kompani që ka të ardhura 20 herë më të larta se PBB jonë është mbresëlënëse. Falë Zotit jeni këtu për të qenë aleatë dhe jo për të luftuar me njëri-tjetrin, është e shkëlqyer të kesh partnerë si ju”, – tha Rama.

“Unë besoj fort që në këtë rrugëtim drejt së ardhmes ne të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportues neto të energjisë brenda 2030. Për këtë kemi qenë me fat të kemi partnerët më të mirë të pajisur me përvojën dhe ekspertizën më të mirë për realizuar një projket të kësaj përmase e këtij kompleksiteti”, – nënvizoi Rama.

Më tej, kryeministri Rama theksoi se “ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar vetëm këto pak muajt e fundit mes qeverisë sonë dhe partnerëve amerikanë pas atij për ndërtimin e hidrocentralit më të madh në 50 vjet që është diga e Skavicës”.

“Më duhet të them se asnjë prej të dyjave nuk do të kishte qenë e mundur pa dikë që është këtu në këtë takim, që natyrisht është grua, sepse vetëm gratë e forta mund të bëjnë të mundur gjëra të tilla. Ajo është Ambasadorja amerikane, sepse më së fundi ishte ajo që ia doli të shtynte një hap më tej këtë marrdhënie duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunimit ekonomik dhe dua ta falënderoj. Gjithashtu dua të falënderoj gjithkënd tjetër që ka kontribuar për këtë projekt, i cili besoj që do t’i japë një shtysë të pabesueshme të moralit të qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë së vendit. Pasi duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin natyror dhe duke ia dalë që të sjellim në jetë një nga investimet e së kaluarës që ka qenë një dështim, është vërtet shumë, shumë e rëndësishme”, u shpreh Rama.

“130 milionë dollarë u shpenzuan shumë keq. E di që për “Exxon” janë qindarka, por për Shqipërinë është një vlerë e jashtëzakonshme”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “konvertimi i hidrocentralit nga nafta me gaz dhe vënia në funksionim më së fundi e termocentralit është hap i jashtëzakonshëm. Këto janë dy projekte të rëndësishme në një marrëveshje”.

“Epoka e artë e gazit e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shfaqet mirëfilli sot. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës për rajonin e Ballkanit ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21-të, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë për këtë rajon”, – shtoi Rama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: