Opinion

“Dita e Verës” në Ballkan

Festa tradicionale “Dita e Verës” është pjesë e rëndësishme e kulturës së Shqipërisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në disa pjesë të Greqisë, Serbisë dhe Ukrainës, etj.

Prof. As. Dr. Raqi Bello

Marsi është muaji i ringjalljes së natyrës, muaji kur mbas dimrit të ftohtë vjen shpresa për ditë më të ngrohta të pranverës. Kësaj ringjalljeje dhe në nderim të natyrës popujt e lashtë të Ballkanit i kanë dedikuar një festë mjaft të bukur-Ditën e Verës.  Një përshkrim mjaft interesant i ka bërë kësaj feste pagane qysh në vitin e largët 1911 shqiptari i madh Faik Bej Konica. Në pak reshta mjeshtri i penës në mënyrë elegante ka thënë gjithçka për këtë festë hirushe të Ballkanit. Nga pikëpamja historike, tradita e kësaj Dite është e lidhur me historinë e lashtë pagane të Gadishullit Ballkanik.  Ekzistojnë hipoteza për origjinën ilire, trako-dakike ose proto-bullgare, madje diku edhe atë iraniano-indiane. Ritet për të pritur pranverën dhe zgjimin e natyrës në një farë mënyre të kujtojnë shamanizmin dhe komunikimin me forcat e natyrës, transhendente dhe paranormale, mistike dhe okulte. Ky është një nga misteret e shumta të Ballkanit, ku jetojnë popuj me një folklor unik me motive të ngjashme që të tërheqin me magnetizmin e tyre dhe të kthejnë në kohë të vjetra, në vetë zanafillën e jetës në planetin tonë. Sot kjo traditë vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e kulturës së Shqipërisë, Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në disa pjesë të Greqisë, Serbisë dhe Ukrainës, etj. Ndoshta dy popujt që e festojnë më shumë janë shqiptarët dhe bullgarët.

Le të ndalemi pak tek tradita bullgare që ka të bëjë me këtë festë pagane. Ajo festohet nga mbarë bullgarët, si në Bullgari ashtu dhe nga bullgarët jashtë atdheut. Tradita bullgare është mjaft e pasur dhe interesante. Dita e Verës në Bullgari quhet me emrin Baba Marta dhe festohet më 1 Mars. Emri Baba Marta, përkthyer në shqip Gjyshe Marta, vjen nga emri i muajit mars në këtë gjuhë. Sipas besëtytnive popullore, ajo në të shumtën, e herëve është një grua e moshuar dhe më rrallë një vajzë e re dhe e bukur, por në të dyja rastet ajo përfaqëson diellin dhe pranverën. Baba Marta është një personazh mitik në folklorin bullgar që është personifikim i muajit mars, i cili jo rastësisht quhet dhe „muaji i grave“, dhe është përsëri një simbol i ngjizjes së pranverës dhe tokës që do të lindë verën dhe pjellorinë. Legjendat që lidhen me Baba Martën janë të shumta. Sipas njërës prej tyre ajo është motra e muajve janar dhe shkurt. Këta dy muaj paraqiten si vëllezër me një karakter të ashpër, ndërsa Baba Marta konsiderohet të jetë motra e tyre, e cila herë është e mirë dhe me qëllime të mira, herë e keqe dhe e paparashikueshme. Prandaj dhe njerëzit duhet të bëjnë kujdes që mos ta zemërojnë. Kjo është arsyeja pse një pjesë e madhe e traditave dhe zakoneve që lidhen me këtë ditë dhe muajin në tërësi i kushtohen një sjelljeje dashamirëse ndaj Baba Martës. Besohet se më 1 Mars ajo viziton njerëzit dhe të korrat, e veshur me një fustan të kuq, çorape të kuqe dhe një shami të kuqe. Njerëzit besojnë se plaka do të hyjë vetëm në ato shtëpi që janë të pastra dhe të rregulluara, dhe për këtë arsye në fund të shkurtit ata pastrojnë shtëpitë e tyre. Ky pastrim pranveror simbolizon heqjen e gjithçka të keqe, të vjetër dhe të panevojshme të mbetur nga viti i kaluar. Gjithashtu tradita e do që në oborr të vendoset një copë me ngjyrë të kuqe, sepse njerëzit mendojnë se kjo do ta bënte të lumtur Baba Martën dhe do të shkaktonte mirësinë e saj ndaj shtëpisë dhe banorëve të saj.

Gjatë këtij muaji duhet të bëjnë kujdes gratë e moshuara, sepse Baba Martës nuk i pëlqen t’i shikojë, prandaj ato qëndrojnë në shtëpi për të mos e zemëruar. Kurse ndaj vajzave të reja dhe fëmijëve ajo sillet mirë dhe falë tyre koha mund të jetë e ngrohtë dhe me diell. Baba Marta është jashtëzakonisht e mirë me njerëzit që vendosin verore, prandaj edhe tradita e mbajtjes dhe zbukurimit me to është e lashtë. Në bullgarisht verorja quhet Martenica dhe lidhet me emrin e muajit mars në këtë gjuhë. Ajo është një nga simbolet më të dashura për bullgarët. Tradita e do që të bëhet prej fijeve të thurura të kuqe dhe të bardha nga gjyshet ose nënat. Secila prej ngjyrave ka kuptimin e saj-e bardha simbolizon pastërtinë, pafajësinë, fillimin e ri, ndërsa e kuqja simbolizon jetën, ngjizjen, energjinë e diellit dhe pjellorinë. Bullgarët besojnë se martenica ka fuqi magjike dhe se mbajtja e saj do t’i mbrojë nga forcat e liga dhe do t’u sjellë jetëgjatësi. Mbajtja e saj sjell shëndet të mirë, fat dhe sukses gjatë gjithë vitit. Sipas traditës duhet stolisur edhe bagëtia dhe dera e shtëpisë, që të mos ketë sëmundje dhe për mbrojtjen ndaj syrit të keq. Martenica mbahet për një periudhë të caktuar kohore. Ajo hiqet kur shfaqen shenjat e para të pranverës që po afron-çelja e pemëve ose kur shohim ndonjë nga zogjtë shtegtarë-lejlekun ose dallëndyshen dhe varet në një pemë ose vendoset poshtë një guri.

Ekzistojnë versione të ndryshme mbi prejardhjen e martenicës bullgare. Njëri e lidh atë me kohën e trakëve, banorëve të lashtë të Bullgarisë, të cilët i varnin bagëtisë së tyre fije të kuqe për ta mbrojtur nga sëmundjet. Versioni tjetër ka lidhje me periudhën kur Hani Asparuh themelon shtetin bullgar (v. 681). Me këtë version kanë lidhje dhe tri legjenda për martenicën.

Për bullgarët e Shqipërisë kjo është një nga festat e mëdha dhe të bukura të stinës së pranverës. Bullgarët e krishterë të zonës së Korçës e presin dhe festojnë Ditën e Verës më 1 mars, ndërsa ata të Gollobordës (Dibër) dhe Gorës (Kukës), shumica të besimit mysliman, e presin me stilin e vjetër, më 14 mars. Në fshatrat bullgare të Korçës festa njihet si Baba Marta, por edhe si Letnik dhe Den na Ljeto. Para se të vijë festa, gratë pastrojnë shtëpitë. Në disa fshatra të Prespës gratë mbledhin lulet e para që çelin në këtë kohë dhe me to zbukurojnë dyert dhe dritaret e shtëpive. Një ditë para festës burrat shkojnë në mal dhe presin degë thane të sapoçelura dhe i sjellin në shtëpi. Në mbrëmje gratë bëjnë gati veroret. Këto quhen Martenica, Marteniçka, Martinka ose Monjak dhe bëhen nga dy fije leshi të ndërthurura-njëra e bardhë dhe tjetra e kuqe, që simbolizojnë pranverën. Në mbrëmje, para se të gdhijë 1 marsi, gjyshja ose nëna lidhin veroret në dorën e çdo pjesëtari të familjes për shëndet. Kur ndonjë fëmije nuk ecën mirë dhe shpesh pengohet, i lidhet edhe në këmbë që të mos rrëzohet. Fëmijëve gjithashtu u vihen verore edhe në qafë bashkë me një monedhë metalike që të jenë të fortë dhe të begatë gjatë vitit. Në kohën kur gjyshja lidh veroret uron çdo pjesëtar të ketë shëndet dhe të jetë i fortë. Në disa fshatra kur gjyshja lidh veroren, fëmijët e pyesin: Gjyshe, çfarë po bën kështu? Gjyshja u përgjigjet: „Po lidh gojët e egërsirave, që të mos na hanë bagëtinë dhe drithin“ ose „Po lidh gojët e ligja që mos flasin keq për ne“.

Festa e baba Martës vazhdon dhe me rite të tjera. Në disa fshatra fëmijët e vegjël shkojnë derë më derë dhe këndojnë duke imituar këngën e zogjve dhe duke ftuar të zotët e shtëpisë të dalin dhe të hapin portat që të futen fëmijët dhe bashkë me ta dhe vera që pret tek dera. E zonja e shtëpisë del tek dera dhe u jep fëmijëve shumë gjëra. Gratë e moshuara është mirë që të mos dalin shumë nga shtëpia ose të shkojnë në mal, sepse zemërojnë marsin.

Në Gollobordë festa quhet Letnik dhe të gjithë bullgarët e zonës, si myslimanë ashtu dhe të krishterë e festojnë më 14 mars. Më 13 mars njerëzit shkojnë dhe mbledhin degë thane dhe kulpër. Me kulprën njerëzit rrethojnë pjesën e mesit që mos u dhembë gjatë punëve të vitit. Në mbrëmjen para festës bëhen veroret me fije leshi të bardhë dhe të kuqe që u vihen të rriturve në dorë ose në këmbë, kurse fëmijëve të vegjël edhe në qafë. Tek bullgarët e Gollobordës verorja njihet me emrin Monjak ose Godigodica. Veroret mbahen deri në ditën e Shën Gjergjit. Në këtë ditë, herët në mëngjes, para se të lindë dielli, hiqen dhe vendosen në trëndafil. Në disa fshatra të kësaj zone, zonjat e shtëpisë marrin gjilpërën me pe dhe një leckë dhe fillojnë të qepin. Njëra nga gratë e shtëpisë e pyet: „Çfarë po qep“? Gruaja që qep i përgjigjet: Po qep gojët e egërsirave, që të mos na hanë bagëtinë dhe drithin“ ose Po qep gojët e njerëzve të ligj, që flasin keq për ne“.

Më 14 mars njerëzit mundohen të zgjohen herët, para lindjes së diellit dhe gjënë e parë që duan të shohin është ndonjë zog, që ashtu si zogu që fluturon edhe ata të bëjnë punët me lehtësi gjatë vitit, ndërsa fëmijët dhe të rinjtë të vrapojnë dhe të jenë të shpejtë.

Si çdo festë tjetër, edhe kjo festë shoqërohet me disa të ngrëna karakteristike. Atë ditë hahen karamele, misër i zier me sheqe dhe gështenja të ziera. Në disa fshatra bëhet dhe pite e ëmbël dhe ngjyrosen vezë. E zonja e shtëpisë u jep nga këto gjëra dhe fëmijëve të vegjël që shkojnë derë më derë për të uruar festën.

Në zonën e Gorës, Dita e Verës festohet me kalendarin e vjetër, më 14 mars. Ajo quhet Letnici  dhe ka formën e shumësit, sepse festohet disa ditë, më 14, 15 dhe 16. Festohet dhe më 22 mars. Më 13 mars plakat dalin në mal për të mbledhur shkarpa për të bërë zjarrin për gatimet tradicionale që do bëhen për festën, siç është dhe flija. Nuset pastrojnë shtëpinë, oborrin, dalin dhe fshijnë sokakët që ti kenë sa më të pastra. Më datën 14 vajzat dalin në grupe që herët në mëngjes dhe vendosin litar në pemë të larta brenda apo në rrethinat e fshatit dhe fillojnë të lëkunden. Rivaliteti midis vajzave është se cila do zërë e para pemën, prandaj çohen shumë herët. Ato që janë të fejuara lëkundin të fejuarin dhe anasjelltas. Ato që nuk i kanë afër të fejuarit, por në kurbet, lëkunden dhe thërrasin me zë të lartë emrin e të fejuarit që ta marrin vesh të tjerët se kjo e thërret që ti vijë i dashuri nga larg. Pas kësaj dalin dhe shëtisin. Edhe mbasdite dalin dhe lëkunden përsëri.

Ushqimi tradicional për këtë ditë feste është flija. Gatuhet gjithashtu burani, byrek me hithra të sapodala nga dimri. Edhe ëmbëlsirat nuk mungojnë në ditë festash. Bëhen revani, tollumba ose bakllava.

Dita e Verës është një nga festat më të bukura pranverore jo vetëm për bullgarët por dhe për popujt e tjerë të Ballkanit. Pritja e pranverës është një traditë e lashtë në gadishullin tonë, e lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore, një shenjë e afërsisë midis popujve.  Le të kthehet verorja, pjesë e kësaj feste, në simbol të lidhjes, bashkimit dhe mirëkuptimit midis popujve të Ballkanit. Që nga viti 2017 me iniciativën e Bullgarisë, Rumanisë, Moldavisë dhe RMV verorja, simboli i Ditës së Verës, u bë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore jomateriale nën kujdesin e UNESCO-s.

 

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button