Opinion

Sa i besueshëm Lulzim Basha për kryeministër

Petro Dhimitri

Mendonim dhe dëshironim që para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 të kishte filluar vetingu i politikanëve, të paktën për ata që po kandidojnë. Po kjo ”ëndërr” që është vulosur edhe në Kushtetutë, nuk u plotësua. Rrezikojmë sërish të kemi deputetë të dyshuar për korrupsion në Shipërinë me shtet fund e krye të përlyer. Kjo ka bërë që për postin e kryeministrit të mos lakohen emra të rinj, po të mbetemi vetëm te binomi i mirënjohur prej vitesh: Edvin Rama dhe Lulzim Basha. Njëri nga këta të dy ka për të qenë kryeministri i Shqipërisë pas 25 Prillit.

   Se si mund ta kryejë këtë detyrë  zoti Rama populli e ka shumë të qartë. Ka 8 vjet që e ndjek përditë, hap pas hapi atë dhe qeverinë socialiste që drejton. Asnjë nuk ka mëdyshje në aftësitë dhe mangësitë e tij, prandaj dhe e ka të lehtë të votojë për socialistët ose kundër tyre. Dilema është për zotin Lulzim Basha, kryetarin e PD-së i cili po prezantohet dhe bën shumë premtime si kryeministër i pritshëm. Për ta zgjidhur paksa këtë ” enigmë” kryeministrore na ndihmon rrugëtimi i zotit Basha. Ai iu bashkua PD-së në vitin 2005. Për pesë vjet kishte kryer funksione të ndryshme në departamentin e drejtësisë të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Partisë Demokratike iu shtua një intelektual, një i ri që kishte studjuar në universitetin e Utrehtit të Holandës. Si mik i familjes Berisha ngritja e tij në pozitë ishte marramendëse. Sa u zgjodh deputet më 2005 u emërua ministër i Punëve Publike,Transportit dhe Telekomunikacionit .Në ato dy vite nisën edhe shqetësimet për politikanin dhe shtetarin e ri. U përfol shumë, sidomos për abuzim financiar në ndërtimin e Rrugës së Kombit. Puna arriti deri aty sa Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Theodhori Sollaku kërkoi t’i hiqej imuniteti si deputet për ta çuar hetimin deri në fund. Ndodhi ajo që nuk pritej. Hoqën nga detyra prokurorin. Gjykatat tona të njohura për ç’drejtësi e çliruan dy herë nga akuzat zotin Basha. Deri sa ato vendime janë në fuqi, Lulzim Bashën nuk ka të drejtë asnjeri ta akuzojë  për korrupsion. Qytetarët që kalojnë në atë rrugë  sa hyjnë në Kosovë menjëherë e ndjejnë se autostrada e asaj ane është e një cilësije shumë më të mirë nga e jona. Cilësia më e dobët ka ardhur për mungesë parashë apo për përvetësim fondesh, këtë nuk mund ta them. Me mënçuri populli thotë:” Ku ka za s’asht pa gja”.
    Si për t’u davaritur ajo tymnajë që vazhdoi gjatë, sepse opozita gjithmonë edhe qimen e bën tra, Lulzim Basha u emërua Ministër i Punëve të Jashtme. Janë vitet 2007-2009, dy vite të shkëlqimit të tij. Shqipëria u pranua në NATO. U hap rruga për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në zonën Shengen. Dy arritje historike të Partisë Demokratike. Çdo ministër i Jashtëm do të krenohej për këtë curuculum vitae.
     Për interesat e partisë Lulzim Bashën zoti Berisha e emëroi Ministër i Brendshëm, detyrë që e mbajti deri më 2011.Ka gjasa që po e caktonte nëpër ministri të ndryshme për ta përgatitur si zëvendësuesin e vet. Nuk e kishte keq. E kishte njeri të besimit.Nuk i ecën punët siç i dëshironte. Si Ministër i Brendshëm zotit Basha i plasi bomba në dorë, thotë populli. Ndodhi 21 janari 2011. Kur demonstrata paqësore kishte mbaruar, snajperët e Gardës së Republikës vranë 3 qytetarë dhe  plagosën disa të tjerë. Në çdo vend demokratik, në raste të tilla, ministrat e brendshëm japin dorëheje. Në Shqipëri ky institucion nuk njihet. Jo vetëm qendroi, po ai vazhdon të mbetet gojëkyçur. As nuk u turbullua kur po atë ditë, mbase natën vonë, në ndërtesën e kyeministrisë të mirëruajtur, u ç’instaluan serverat (aparaturat elektronike) që kishin regjistruar ç’ishte folur në zyrën e kryeministrit. Populli e mirëdi që urdhërin për të qëlluar demonstruesit paqësorë nuk e dha Basha, që elektronikën askush nuk mund të guxonte ta prekte pa urdhërin e titullarit, po gjithashtu populli e ka të qartë se Lulzim Basha me heshtjen e tij ka fshehur vrasësin makabër. Ka fshehur edhe vandalin që urdhëroi ç’montimin e elektronikës, deri sa nuk u ndërmorr asnjë hetim. Çuditërisht 21 janari është ende në proces gjykimi!
   Lulzim Bashën si delfin i Berishës e shikojmë sërish kandidat për një detyrë me shumë rëndësi. PD-së nuk i vinin për shtat sukseset e kryebashkiakut të Tiranës, zotit Rama. Më e keqja për ta ishte se Ndryshimet e kryeqytetit patën edhe jehonë ndërkombëtare, prandaj Lulzimi u zgjodh si njeriu më i përshtatshëm për ta mundur socialistin. U njoftua  zyrtarisht se Rama fitoi me një rezultat të ngushtë. Nuk ishte i këtij mendimi Berisha. Ai kishte në dorë edhe gurin edhe arrën. Bëri ç’bëri, pasi kutitë e votimit i mbajti më shumë se një javë në ”ruajtje” me njerëzit e tij, doli se, si numuruan edhe flet-votimet e pavlefshme, paskesh fituar Lulzim Basha me 81 vota plus.! Këto novacione ndodhin në Shqipëri. Janë  përmbysje si salto mortale?! Si kryebashkiak ai nuk shkëlqeu për dy arsye: e para se Rama ishte dalluar për shumë ndryshime dhe e dyta, duke e patur pushtetin socialistët, ata nuk e mbështesnin Bashën për të realizuar programet e tij, edhe po t’i kishte të mira. Shpejt pas dy vitesh, kur Berisha do të bënte sikur jepte dorëheqje nga drejtimi i partisë, ai zgjodhi si zëvendësues Lulzim Bashën. Filloi për të një përvojë e re. Në këto tetë vjet PD me kryetar Lulzim Bashën ka humbur 3 zgjedhje. As nuk i ka shkuar nëpër mend se duhej të dorëhiqej. Jo, kurrë.  Si ka mundur t’i  justifikojë humbjet?! Pse kanë heshtur anëtarët e asaj partije që shquhen edhe për demonstrime të dhunshme? Basha është mbrojtur duke deklaruar të nesërmen e zgjedhjeve se socialistët u kanë vjedhur votat.  Ka kërkuar përherë zgjedhje të reja, të menjëhershme. Ka bërë shumë zhurmë edhe nëpër botë për vjedhjen e  votave dhe për korrupsionin e socialistëve. Bota e mirëdi se të dyja partitë kanë titullin master për manipulimin e vjedhjen e votave. Ata gjithashtu e dinë mire se parregullsitë që flitet  nuk mund të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve. Megjithatë, me këtë argument Basha ka mbijetuar. Pushteti i tij në PD ka ardhur duke u forcuar. Kas spikatur sidomos për shkeljet flagrante të statutit që janë një nëpërkëmbje direkte e demokracisë së brendshme të partisë. Katër vjet më parë, në vend që kandidatët për deputetë t’i propozonte baza, ai caktoi kë deshte dhe listën e mbante në xhep. Pa iu skuqur faqja fare dhe pa i bërë tërr syri nuk vuri në listën e kandidatëve për deputetë personalitete me shumë merita të PD-së. Këta ishin jo një e dy. Anëtarësia kokëunjur përsëri heshti. Ajo ra pre e dëshirës së kryetarit për të organizuar  mitingje e  demonstrata gjoja paqësore që fillonin e përfundonin me hedhje shashkash, djegie makinash, dëmtime ndërtesash e deri sulm kundër dyerve të kryeministrisë. Kishte nisur një  revan destruktiv. Zgjidhja erdhi nga përtejoqeanit. E shqetësuar për konfliktin që krijojnte, SHBA e paralajmëroi  PD-në se, po të vazhdonin të destabilizonin Shqipërinë, kishin për ta konsideruar  organizatë para terroriste. Ky njeri tani i bie gjoksit dhe premton parajsën për Shqipërinë, po ta zgjedhin kryeministër! Si kryetar partie Basha frymëzoi kolegët dhe antarësinë të vendosnin së bashku aktin ”heroik” të daljes nga Kuvendi. Edhe pse bota i tha të mos e bënin atë gabim, ata nuk pyetën. Shpresuan se kishin për të përshpejtuar rënien e Ramës dhe zgjedhjet e parakohëshme. Dështuan në të dy planet. E dëmtuan shumë rëndë partinë e tyre duke e nxjerrë në rrugë pa patur as dhe një lloj peshe për hartimin e ligjeve. Kuvendi vijoi punën normale duke i shtuar anëtarët po nga lista e PD-së. Një kryetar me nuhatje dhe horizont demokratik nuk kishte për të preferuar kurrë rrugën para kuvendit. Ky është zoti Lulzim Basha! Për lobizmin në SHBA më 2017 ai deklaroi se PD kishte shpenzuar 25.000 dollarë, kur ishin derdhur 650.000?! Si dhe nga dolën ato para dhe pse u gënjye? Prokuroria  mori Bashën  dhe dy nëpunës të PD-së në pyetje. Çështja është në gjykim në SHBA. Kjo mbetet një hije sado e lehtë, ashtu si Rruga e Kombit, për pastërtinë e figurës së kandidatit për kryeministër.
   Ka edhe më. Nëpërkëmbjen e statutit ai e vërtetoi edhe sivjet. Vërtetë nga rrethet u caktuan kandidatët dhe ato do të diskutoheshin në mbledhjen e forumit më të lartë të partisë, po zoti Lulzim nuk kishte siguri se në këtë mënyrë të gjithë kandidatët do të ishin puthadorë të tij. E gjeti zgjidhjen ”demokratike”: krijoi një komision me njerëz të tij për të seleksionuar ata që kishte propozuar baza?! Përsëri heshtje anga antarësia?! Heshtje edhe për faktin se ai për tetë muaj rresht në këtë vit zgjedhjesh nuk mblodhi kryesinë e partisë?!  Si guxon ai t’u premtojë  qytetarëve rritje rrogash, ulje taksash, etj,etj. kur kryesia nuk mblidhet dhe  nuk ka miratuar asnjë program?!
          Zotit Lulzim Basha  i duhet kujtuar se ka katër vjet që është përpjekur për të penguar çdo plan të qeverisë, çdo ndërtim  apo rikonstruksion, çdo nismë. Kujto liqenin artificial, stadiumin, projektin e unazës… Ka organizuar qindra protesta e kërcënime, ka shkuar nëpër botë për të akuzuar qeverinë se po prish teatrin, që vetëm teatër nuk ishte, që po mbjell drogën, kur bota e di se Lazarati ishte bastioni i PD-së dhe jo socialistëve. Ai është iniciatori i thirrjes Rama ik! Në cilin vend të botës demokratike partia opozitare dikton partinë fituese se kë duhet të ketë kryeministër? Në asnjë vend. Kjo është një utopi antidemokratike e Partisë demokratike dhe zotit Basha. Aq nuk po e kontrollon situatën sa dërgon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  78 kandidatë më shumë nga ç’parashikon  ligji?! Si mund të drejtojë shtetin ky njeri që nuk di as se sa kandidatë për deputetë i takojnë të propozojë partia që ai drejton?! Si mund të jetë kryeministër ish Ministri i Brendshëm gojëkyçur i vrasjeve të 21 janarit 2011!?
       U përfol se Basha nuk kishte qejf të bënte aleancë me LSI-në. Mbase se  populli e përflet shumë çiftin Meta. Mrgjithatë ai u detyrua ta firmosë koalicioin. Siç duket, ishte vendimi i Berishës. Edhe pse  qëndron  pas skenës, është po Berisha, që drejton me ton të hekurt partinë. Basha është vetëm zbatues i direktivave të tij. Fakti më i fundit i takon listës së kandidatëve për deputetë. Pa pyetur fare për partinë, Berisha tha se ai do ta caktonte vetë zonën ku do të kandidonte. Ashtu bëri. Basha heshti. Ç’tregon kjo? Se Berisha është mbi partinë. Zoti Lulzim e di mirë se, po ta kundërshtojë doktorin, mund të rrëzohet nga froni sa hap e mbyll sytë.
 Për të gjitha këto Basha kryeministër do të thotë që në krye të shtetit të rikthehet Berisha, fryma , mendimet dhe vendimet e tij. Bashkë me Berishën është edhe Meta, Presidenti ynë që vetëm President nuk është, po një opozitar klasik i dyshuar për korrupsion. Kur të fillojë vetingu i politikanëve kemi për të parë se cilët janë ata që na përbetoheshin për kushtetutë, për flamur dhe për Atdhe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button