Te ndryshme

A ndikon muzika në zhvillimin e inteligjencës sonë?!

Studimi

Ndërsa dëgjojmë muzikë të këndshme për veshin, efektiviteti i trurit mund të pësojë rritje. Shkencëtarët flasin për të ashtuquajturin “Efekti Mozart”. Ai haset jo vetëm në muzikën klasike, por madje edhe te heavy metal. Rëndësi ka që dëgjuesit t’i pëlqejë tingulli. Por a ka ndonjë lidhje organike mes muzikës e shkallës sonë të inteligjencës

muzikeNën një ritëm të këndshëm e tone jo fort të larta, një muzikë e lehtë mbrëmjeje, mund të të sjellë – ndërsa përpiqesh të flesh – në shinat e duhura. “Edhe kur je duke dëgjuar pjesë të shkurtra nga Mozarti i madh gjatë pirjes së një çaji qetësues në ndonjë pasdite, kur mbase jo të gjithë do të ishin dakord me zgjedhjen tënde”, shkruajnë shkencëtarët në një studim të tyrin të fundit mbi efektet e muzikës në trurin njerëzor.

Tingujt, prej shkencëtarëve pra besohet se rrisin aftësinë për të medituar e gjykuar te njerëzit. E këtu bëhet fjalë për “Efektin Mozart”. Dhjetë minuta melodi të këndshme nga pjesët e famshme të gjeniut nga Salcburgu, i shndërrojnë njerëzit në një gjendje gatishmërie e aftësie më të madhe për të medituar. Studimet kanë treguar se ndikimet nga muzika në “shpirtin” njerëzor, janë të shumta.

Ato kanë provuar se edukimi i hershëm muzikor, mund të stimulojë aftësinë, apo rritjen e nivelit të mëvonshëm të inteligjencës te  njerëzit dhe se struktura e trurit mund të ndryshojë, pasi është mësuar të dëgjojë për një kohë të gjatë pjesë në piano. Ndërkohë, është studiuar e marrë në shqyrtim dhe ndikimi kur dëgjohen rryma moderne të muzikës, që në dukje janë shumë larg asaj klasikes, si pop apo heavy metal, të cilat gjithashtu ushtrojnë efekte të ndryshme te njeriu.

Është hetuar në detaje edhe se në ç’moshë është koha më e mirë për t’ia nisur nga mësimet në muzikë, dhe nëse të dëgjosh thjesht muzikë, pra të jesh një recipient pasiv, do të ishte e mjaftueshme, ashtu sikurse të këndosh apo të luash vetë në një vegël, pra të bësh muzikë në mënyrë aktive.

“Gjithsesi, kanë lindur shumë keqkuptime në interpretimin e rezultateve të studimit, për sa u përket efekteve të muzikës klasike mbi atë që njihet si “konjicioni human”, bëjnë të ditur shkencëtarët gjermanë në një studim më të fundit të tyrin me këtë rast.

Në vitin 1993, Gordon Shaw dhe Frances Rauscher publikuan në revistën e specializuar shkencore “Nature”, rezultatet e një testimi që kishin bërë asokohe, ku theksonin se pas dëgjimit të një pjesëze të shkurtër prej dhjetë minutash nga Mozart, disa nga studentët e tyre që kishin prirje për muzikë, mundën të zgjidhnin më saktë disa detyra që u ishin dhënë në klasë pak minuta më parë. Aftësia e tyre në përgjithësi për t’i kuptuar gjërat, tashmë dukej se ishte shtuar dhe se ata paraqiteshin shumë më mirë sesa shokët e tyre që nuk kishin prirje dhe dëshirë të dëgjonin muzikë para se të bënin detyrat.

Qysh prej asaj kohe, u pa madje dhe një lulëzim i tregut muzikor e furnizim i prindërve të fëmijëve amerikanë me produkte muzikore, për t’i përdorur si materiale ndihmëse didaktike të rekomanduara gjerësisht. Në Florida, fëmijëve u rekomandohet muzikë klasike, në shtetin e Georgia-s, ndërkohë, prindërve të çdonjërit prej të sapolindurve të këtij shteti, u bëhet dhuratë madje edhe nga një CD me muzikë klasike.

Në vitet e mëpasshme, adhuruesit e Mozartit, ashtu sikurse dhe skeptikët, kanë raportuar disa herë për efektet e muzikës mbi “konjicionin human”. Pjesërisht janë raportuar edhe disa fakte të çuditshme: kështu, shkencëtarët duan të dëshmojnë se nëse foshnjave u luhet muzikë qysh në bark të nënës, do të gjendeshin më pas në një situatë më normale, kur të dëgjonin të luhej po e njëjta muzikë. Por siç dihet, foshnjat lindin duke mos dëgjuar asgjë, pasi në trupin e nënës ato, sigurisht, nuk mund të dëgjojnë dot muzikë. Të tjerë shkencëtarë ndërkohë pohojnë se – sipas preferencës së recipientit – leximi me zë të lartë i një historie nga Stephen King për shembull, sjell të njëjtat efekte aktive si dëgjimi i një disku të Mozartit, Shubertit, Bahut apo i ndonjë pjese “Heavy Metal”.

Me një projekt të financuar nga Ministria gjermane e Arsimit, shkencëtarët kanë arritur më në fund të bëjnë të ditura rezultatet e një studimi të gjatë, ku kanë konstatuar përfundimisht se edukimi i hershëm i fëmijëve me muzikë, i bën ata të mësojnë më kollaj pastaj gjatë karrierës së tyre edukative apo dhe madje, të rrisë nivelin e përgjithshëm të inteligjencës së tyre.

Një përgjigje për pyetjen e drejtpërdrejtë “a të bën Mozarti më të zgjuar?” është marrë në shqyrtim gjithashtu prej tyre. Porse një e tillë, e mirëfilltë, nuk është arritur të jepet dot prej tyre. Profesioni i muzikantit, normalisht nuk futet tek ata me kuota më të larta inteligjence sesa të tjerët (jo muzikantët), e kjo flet më së miri për pretendimin e mëparshëm, sa për të mos gjykuarapriori.

Megjithatë, shkencëtarët po përpiqen edhe me anë studimesh të tjera, ku në teste janë marrë fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët janë vënë në kontakt në mënyra të ndryshme me muzikën (duke marrë mësime pianoje, orë kori, duke dëgjuar muzikë etj.), për të nxjerrë në pah një lidhje mes muzikës e zgjuarsisë. Ndërkohë, është bërë më se e qartë se pas dëgjimit të një muzike të mirë, aftësia “konjitive” të paktën për një afat të shkurtër, rritet.

Sidoqoftë, nuk është se në çdo rast, muzika duhet të vijë nga tingujt e notave të Mozartit. Kështu, kërkuesit në Universitetin e “Glasgow Caledonian” në Skoci, kanë mundur të tregojnë në një elektroencefalogram, se veshi apo prirja muzikore, luan gjithsesi, një rol të rëndësishëm. Të tjerë shkencëtarë dëshmojnë se ka një ndryshim mes muzikantëve profesionistë që merren në teste me njerëzit e thjeshtë, të cilët nuk luajnë dot asnjë instrument dhe që nuk kanë ndonjë prirje të admirueshme ndaj muzikës.

Ekziston dhe një ndryshim gjithashtu, kur muzika bëhet vetë apo vetëm dëgjohet. Megjithatë: truri organizohet më mirë nën ndikimin intensiv të muzikës.

Për këtë, profesor Ekard Altenmyler nga shkolla e lartë e Muzikës dhe Teatrit në Hanover, rendit shumë arsye. “Muzikantët profesionistë, nisin zakonisht të mësohen e edukohen me muzikën qysh në fëmijëri, në një kohë kur truri pra, sapo po nis të organizohet”.

Përveç kësaj, muzikaliteti e jep shpejt efektin e vet dhe të ngjall një ndjenjë të fortë ngacmimi emocional. Pak tone apo nota të luajtura gabim, mund të kishin pasoja fatale gjatë një konkursi apo koncerti mbi një njeri që ka menduar se karriera e tij është muzika. Pra, muzika profesionale nuk është e lidhur vetëm me një aktivitet neural të lartë, por edhe me ngritje të pamasë të adrenalinës, dopaminës e endorfinës.

“Këto efekte me shumë gjasa, mund të t’i ngjallin ndoshta edhe 20 minuta sport”, thotë Altenmyler. “Rëndësi ka që njerëzit të përftojnë kënaqësi nga kjo”.

Që shkencëtarët dhe politikanët e arsimit kanë dashur të nxjerrin në pah me domosdo një lidhje organike mes muzikës dhe inteligjencës, kjo nuk ka shumë rëndësi. Porse shumë efekte të tjera të muzikës mbi njeriun, deri më tani, duhet pohuar se janë lënë pas dore.

“Nga ky korrelacion, ku muzikaliteti në shumë raste vihet re më shumë te fëmijët, kjo për shumë kohë nuk është trajtuar si duhet e cilësuar si një rastësi”, thekson Altenmyler. E këtu një efekt tjetër i muzikës duket më se interesant. “Ne duhet që në të ardhmen, ta zhvendosim fokusin më shumë në kërkimin e ndikimeve emocionale të muzikës”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button