Kosova

Lista Serbe sfidon në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e qeverisë së Kosovës

Në një njoftim të kësaj liste thuhet se ankesa “sfidon vendimin e parlamentit për zgjedhjen e qeverisë në Prishtinë, më 22 mars, 2021, me të cilin popullit serb i është dhënë vetëm një ministri, ndonëse duheshin dy”.

Qeveria e Kosovës u miratua të hënën e kaluar në parlamentin e Kosovës dhe në kabinetin e zotit Kurti, Lista Serbe e cila ka dhjetë deputetë, do të drejtojë ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe tha të hënën se pret që “Gjykata Kushtetuese të vendosë në përputhje me ligjin kushtetues, duke respektuar të drejtat dhe interesat e popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera joshumicë”.

Në të kaluarën ky subjekt drejtonte më shumë ministri dhe mbante edhe një post zëvendëskryeministri, duke qenë pjesë e koalicioneve qeverisëse. Por, kësaj radhe ajo nuk është pjesë e koalicionit. Qeveria e zotit Kurti, u zgjodh me 58 vota të lëvizjes Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe 9 vota të pakicave kombëtare joserbe.

Sipas Kushtetutës së Kosovës “në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Në qeverinë e zotit Kurti, e cila ka 15 ministri, tre resorë u janë ndarë pakicave kombëtare: ministria për Komunitete dhe Kthim drejtohet nga Goran Rakiç nga Lista Serbe; ministria për Zhvillim Rajonal nga Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, dhe ministria e Administrimit të Pushteti Lokal nga Elbert Krasniqi, nga radhët e komunitetit egjiptian.

Ndërkaq Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komuniteti boshnjak, është emëruar zëvendëskryeministre për Çështje të Pakicave dhe për të Drejtat e Njeriut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button