Bota

Blinken: Rusia do të vuajë “kosto dhe pasoja” për veprimet e saj anti-amerikane

Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv CNN që u transmetua të dielën.

“Ne do të ndërmarrim masat e nevojshme për të mbrojtur interesat tona,” në momentin kur SHBA e shohin të përshtatshëm, tha zoti Blinken në intervistën që shte regjistruar disa ditë më parë, ndërkohë që shefi i diplomacisë amerikane përmbyllte në Bruksel bisedimet me homologët e tij në NATO.

Mes aleatëve perëndimorë, tha ai “ka një angazhim të përbashkët” se duhet të tregohen “sy-hapur e të kthjellët” lidhur me veprimet e Moskës dhe ta mbajnë përgjegjës Kremlinin.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se zyrtarët janë në vazhdën e punës duke analizuar mundësinë e sanksioneve ose masave të tjera nga Uashingtoni kundër Moskës dhe po vijojnë konsultimet me vendet e NATO-s.

“Ne jemi më të fortë kur veprojmë në bashkërendim,” tha ai.

Megjithëse SHBA dhe Rusia rënë dakord me shpejtësi për të zgjatur një traktat për kontrollin e armëve që do të skadonte pak pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Biden, Uashingtoni po fajëson Rusinë për veprime të tjera, përfshirëofertën e shpërblimeve për ata që kryejnë atentate ndaj trupave amerikane në Afganistan, përzierje në zgjedhjet e 2020 dhe penetrimin në sistemet kompiuterike amerikane.

Komentet e zotit Blinken në intervistën dhënë CNN-it të kujtojnë deklaratat e Presidentit Biden i cili tha dy javë më parë në një intervistë me kanalin ABC se e konsideron udhëheqësin rus, Putin “vrasës”.

Presidenti Biden tha në intervistë: “Do ta shihni së shpejti se çfarë çmimi do të paguajë,” duke shtuar se SHBA synon të vazhdojë edhe bashkëpunimin me Rusinë sepse ka plot “fusha ku është në interesin e përbashkët të bashkëpunojmë”.

“Prandaj e zgjata traktatin për kontrollin e armëve, ndërkohë që ai bënte këto të tjerat. Por zgjatja e traktatit ishte në interes të njerëzimit, që të pakësojmë rrezikun për një konflikt bërthamor”.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat për përzierje në zgjedhjet amerikane dhe për orkestrimin e një sulmi kibernetik që penetroi sisteme të qeverisë dhe kompanive private përmes firmës SolarWinds. Po ashtu, Kremlini ka përgënjeshtruar njoftimet se ka ofruar shpërblime për sulme ndaj ushtarëve amerikanë në Afganistan apo se ka helmuar udhëheqësin opozitar rus Alexei Navalni.

Një analizë e shërbimeve amerikane të zbulimit arrin në përfundimin se ka të ngjarë që Presidenti Putin urdhëroi një fushatë për të ndihmuar shanset për fitore të ish-Presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit 2020.

Nuk është e qartë se çfarë masash po peshon administrata Biden kundër Rusisë, por ato mund të përfshijnë ndëshkime si ngrirja e aseteve të firmave që kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt ose jo në ndërhyrjet në zgjedhje apo që kanë ndihmuar infiltrimin kibernetik si dhe aktivitete të tjera që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Një ligj i vitit 1991 i jep autoritetet presidentit amerikan t’ua ndalojë bankave amerikane t’i japin kredi një vendi që përdor armë kimike, si ajo që u përdor për të helmuar zotin Navalni.

SHBA-Kinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se sheh aspekte “gjithnjë e më konfrontuese” në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shefi i diplomacisë amerikane shtoi se kjo marrëdhënie ka pa diskutim dimensione rivaliteti por ka edhe pista për bashkëpunim mes dy vendeve.

Të shtunën Shtetet e Bashkuara kritikuan sanksionet e Pekinit kundër dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare si dhe ndaj një ligjvënësi kanadez, të vëna pas komenteve të dy vendeve perëndimore lidhur me trajtimin e pakicës ujgure në Kinë.

Nord Stream 2

Sekretari i Shtetit u pyet gjatë intervistës edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2, në vaçanti në lidhje me masat që mund të marrë Uashingtoni për të penguar ndërtimin e kësaj strukture nga Rusia në Gjermani. Zoti Blinken tha se vendimi përfundimtar është në dorë të atyre që po përpiqen ta ndërtojnë tubacionin. Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, thjesht duan që kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti të kuptohen qartë nga këto vende.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button