Arte

Samuel Beckett si i papërshtatshëm për çmimin Nobel

Autori irlandez refuzohet për Nobel në vitin 1968, kurse nji vit më vonë shpërblehet.

Samuel Beckett refuzohet si i papërshtatshëm për çmimin Nobel në vitin 1968. Dokumentet e publikuara së fundmi hedhin dritë mbi dyshimet e Kryetarit të Komitetit në vitin 1968, nëse dhënia e Nobelit autorit irlandez do të ishte në frymën e këtij çmimi.

Samuel Beckett fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 1969, por arkivat e sapo publikuara zbulojnë se vetëm një vit më parë, komiteti i fshehtë që përzgjodhi fituesit kishte ngritur shqetësime serioze në lidhje me faktin nëse vepra e autorit ishte në përputhje me frymën e çmimit.

Referuar fjalëve të testamentit të Alfred Nobelit, çmimi shkon tek autori, i cili ka shkruar “punën më të volitshme në një drejtim ideal”. Fituesi vendoset çdo vit nga anëtarët e Akademisë Suedeze, shqyrtimet e të cilëve ruhen të fshehta për 50 vjet.

Dokumentet e sapo publikuara të vitit1968 tregojnë se Kryetari i Komitetit, Anders Österling, shkruan: “Për fat të keq, për sa i përket Samuel Beketit, unë kam dyshimet e mia themelore, nëse dhënia e çmimit atij është në përputhje me frymën e vullnetit të Nobelit”.

“Natyrisht, unë nuk vë në dyshim efektin artistik të dramave të Beketit, por satira mizantropike (e tipit Swift) ose pesimizmi radikal (i tipit Leopardi) ka një shpirt të fuqishëm, që, sipas mendimit tim, mungon tek Beketi”, – shkruante Österling.

Më parë, ai kishte kritikuar kandidaturën e autorit “Duke pritur Godonë”, që fitoi Nobelin në vitin 1964, kur thotë se: “do ta konsideronte një çmim Nobel për të si një absurditet në stilin e tij”.

Beketi qe një zgjedhje popullore për anëtarët e tjerë të komitetit në vitin 1968, që vlerësoi “dhembshurinë njerëzore që frymëzoi punën e tij”. Pretendentët kryesorë për çmimin e atij viti përfshinin romancierin francez Andre Malro, poetin britanik WH Auden dhe romancierin japonez Jasunari Kavabata.

Emra të tjerë të paraqitur për çmimin më të lartë të letërsisë në botë në vitin 1968 përfshinin Ezra Pound dhe EM Forster, që të dy u hodhën poshtë për shkak të moshës – Chinua Achebe, Sharl dë Gol dhe Graham Grin, shkruan The Guardian.

Vladimir Nabokov u la përsëri mënjanë nga një juri që e kishte përshkruar romanin e tij “Lolita” si imorale, dhe nuk ishte e prirur ta ndryshonte mendimin; Eugjen Ionesko u konsiderua dhe u përshëndet për risinë që kishte sjellë në dramën moderne, por u hodh poshtë për shkak të natyrës kontradiktore të punës së tij.

Autori australian Patrik White, i cili do të fitonte çmimin Nobel pesë vjet më vonë, në vitin 1968 ishte një pretendent serioz. Komiteti e vlerësoi “Pema e Njeriut” si një “vepër e shkëlqyer”, duke u shprehur se White mund të jetë “përfaqësuesi i parë i kontinentit të pestë në letërsi”.

Österling përkrah zgjedhjen e Malrosë, pavarësisht pozitës së autorit si Ministër i Kulturës në qeverinë e De Golit, por shton se çmimi për Kavabatën “duhet të jetë i justifikuar dhe i mirëpritur”, siç do të ishte për Auden, edhe pse “faza novatore e poezisë së tij është tani një kohë më parë”.

Kavabata do të vazhdojë të dalë triumfues, i lavdëruar nga juria “për mjeshtërinë e tij narrative, e cila me ndjeshmëri të madhe shpreh esencën e mendjes japoneze”.

Beketi, pavarësisht nga rezervat e mëparshme të Österling, do të fitojë vitin e ardhshëm “për të shkruarin e tij, i cili – në forma të reja për romanin dhe dramën – në mjerimin e njeriut modern fiton madhështinë e tij”. Auden, Malro, Achebe, Pound, De Gol, Grin dhe Forster nuk fituan kurrë.

Embargoja 50-vjeçare e dokumenteve që zbulojnë mendimet e anëtarëve të jurisë, nënkupton se përgjuesve të Nobelit do t’u duhet të presin deri në vitin 2066 për të lexuar bashkëbisedimet që u zhvilluan përpara se Bob Dilan të shpallej fitues i çmimit Nobel për vitin 2016: “Për krijimin e shprehjeve të reja poetike në traditën e bukur të këngës amerikane”, një zgjedhje e cila u vlerësua në disa drejtime dhe u kundërshtua në të tjerat.

Arkivat për vitin 2018, megjithatë, ka të ngjarë të jenë më pak të ndritshme në vitin 2068: vitin e kaluar çmimi Nobel për letërsi nuk u dha, pas përfshirjes në skandal të Akademisë Suedeze.

Jean-Claude Arnault, burri i anëtares së akademisë, Katarina Frostenson, u akuzua për ngacmime seksuale, më vonë u dënua për përdhunim dhe u burgos në tetor. Gjatë trajtimit të akuzave, akademia u pasua me një valë dorëheqjesh dhe më pas u vendos që të shtyhej çmimi për një vit “duke pasur parasysh… rënien e besimit të publikut”.

Fondacioni “Nobel” që financon çmimin, shprehet se shpreson që akademia të bëhet më transparente, me drejtorin ekzekutiv Lars Heikensten, i cili shprehet: “Akademia ka kultivuar një kulturë të mbyllur për një periudhë të gjatë kohore. Kjo ka të ngjarë të sfidohet në një kohë apo në një tjetër”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button