Home / Ekonomia / Kompanitë e energjetikes i kanë borxh buxhetit 292 mln euro

Kompanitë e energjetikes i kanë borxh buxhetit 292 mln euro

Kompanitë publike të energjetikes e kanë përkeqësuar gjendjen e tyre debitorë ndaj qeverisë. Sipas një analizë të posaçme që ka publikuar Ministria e Financave deri në fund të vitit 2020 borxhi që kompanitë publike i kishin buxhetit të shtetit arriti në 36 miliardë lekë ose 292 milionë euro.

Borxhi i tyre ndaj arkës së shtetit është rritur prej pamundësisë që ato kanë pasur kryesisht për të shlyer kreditë që kanë marrë me garancinë e qeverisë.

Borxhet afatgjata të OST dhe OSHEE janë hua nga donatore (koncesionare) të nënshkruara nga KESH dhe transferuar tek OST/OSHEE pas procesit të ndarjes në 2004 dhe nën-hua.

Ministria e Financave sqaron se shlyerja e plotë e kësteve që prej vitit 2017 ka qenë sfiduese për të gjitha kompanitë, përfshi dhe detyrimet e vetë KESH. Shumat që i detyrohen kompanitë e energjetikës qeverisë në formën e kredive është dyfishuar nga 2017 në 2020 duke arritur mbi 30 miliardë lekë. Me gjendjen aktuale të likuiditetit vjetor të kompanive lind nevoja e ristrukturimit të borxheve afatgjata bazuar në rregulla të qarta korrektimi në rast se vonesat e ripagesave përsëriten, analizon Ministria e Financave

Nga totali i detyrimeve ndaj buxhetit prej rreth 36 miliardë lekësh, 5.6 miliardë lekë ishin detyrime për taksa të papaguara dhe rreth 30 miliardë lekë ishin kredi, që buxhetit i shtetit i pagoi në vend të kompanive.

Ministria e Financave thotë se, trajtimi i detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë ka qenë një proces sfidues për shkak të nivelit të lartë të detyrimeve të trashëguara dhe akumulimit të detyrimeve të reja.

Procesi i konsolidimit të detyrimeve të mbartura është menaxhuar përmes një marrëveshje ristrukturimi afatgjatë mes kompanive. Si rezultat i zbatimit të reformës në sektor, janë akumuluar dhe disa detyrime te reja mes kompanive (rreth 4 miliardë lekë gjatë 2017-2010).

Detyrimet e prapambetura nga njësitë e tjera publike, veçanërisht ndërmarrjet e ujit, mbeten problem për shkak të mekanizmit të dobët të ekzekutimit të pagesave. Për rrjedhojë, procesi i reduktimit të detyrimeve të prapambetura dhe parashikueshmëria e të ardhurave janë penguar, duke krijuar vështirësi për likuiditetin dhe planet e investimit në sektor.

Ministria e Financave shprehet se, marrja e masave për të ndaluar akumulimin e borxheve të reja është një parakusht i rëndësishëm për reduktimin e përgjithshëm të detyrimeve prapambetura në sektor.

Pas disiplinimit të pagesave korrente, procesi i reduktimit të detyrimeve të prapambetura po sigurohet nëpërmjet marrëveshjeve të ristrukturimit të borxheve mes kompanive, dhe ku është e mundur, hetimin e detyrimeve të ndërsjella për të përshpejtuar procesin

Leave a Reply

%d bloggers like this: