Home / Ekonomia / ABI Bank: Turizmi do të përcaktojë pritshmëritë për këtë vit

ABI Bank: Turizmi do të përcaktojë pritshmëritë për këtë vit

Intervistë me Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve

 Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve thotë për revistën “Monitor” se banka e tij arriti nivele të larta të përfitueshmërisë dhe rritjes së aktiveve gjatë vitit 2020.

Sipas tij, ABI Bank ka vazhduar të përmirësojë nivelin e përdorimit të aktiveve dhe të optimizojë shpenzimet në përputhje me aktivitetet më fitimprurëse. Z.Ballta mendon se sezoni turistik do të jetë përcaktues në pritshmëritë e rritjes së ekonomisë shqiptare për vitin 2021.

 Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?

Gjatë 2020-s, ABI Bank raportoi një tjetër vit rekord rritje të totalit të aktiveve dhe fitimit. Kjo erdhi nga rritja e portofolit të kredive dhe aktivitetit të thesarit. ABI ka vazhduar të përmirësojë nivelin e përdorimit të aktiveve dhe të optimizojë shpenzimet në përputhje me aktivitetet më fitimprurëse. Përzgjedhja e klientelës po i jep frytet e veta dhe ne vazhdojmë të shkëputemi nga marrëdhënie që komoditizojnë shërbimet tona. Është shumë domethënës fakti që ABI, ndonëse vazhdon të ketë tepricë kapitali të lartë, ka një nga përfitueshmëritë më të larta në industri.

Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia në mënyrën e të operuarit, ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?

ABI Bank ka një kulturë banke “boutique”, që është më e përgatitur për situata të pazakonta. Përshtatja operacionale ishte më e shpejtë dhe klientët u shërbyen në kohë edhe gjatë pandemisë. Mundësia për të shërbyer online u përforcua gjatë pandemisë dhe përgjithësisht ne nuk patëm radhë.

Cilët segmente, ose sektorë të kredituar nga ju janë prekur më shumë nga kriza ekonomike? A prisni një përkeqësim në përmasa shqetësuese të cilësisë së portofolit të kredive dhe nëse po, kur mund të ndodhë kjo?

Sektori i turizmit është padyshim më i prekuri nga pandemia. Testi i verës 2020, gjithsesi, ishte brenda pritshmërive dhe mbetet për t’u parë viti 2021. Ekspozimi ynë në këtë sektor është shumë selektiv dhe me një sasi borxhi të mirëkontrolluar, kështu që nuk presim ndonjë përkeqësim të thellë të performancës, në rast se 2021 nuk do të jetë një vit i suksesshëm për turizmin.

Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2021?

Sezoni turistik i 2021 do të jetë shumë domethënës në përcaktimin e pritshmërive për këtë vit. Sa do të hapet Europa dhe se sa turistë do të vijnë në Shqipëri, do të jenë ato që do të përcaktojnë pritshmëritë e 2021.

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: