Opinion

Presidenti i zgjedhur nga populli

Petro Dhimitri

Në shumë shtete  të  Europës së Bashkuar ku ne duam të hyjmë presidentët i zgjedhin me votim direkt nga populli si në Francë, Austri, Finlandë, Portugali, Poloni, Çeki, Rumani, Bullgari, Maqedoni, etj. Në disa vende të tjera Presidenti zgjidhet me një procedurë që  parashikon veç parlamenteve edhe përfshirjen e njerëzve të zgjedhur nga populli. Në Gjermani zgjidhet nga Konventa Federale, Bundenstagu dhe delegatët e 16 landeve. Në Italinë fqinje voton kolegji elektoral prej 1000 anëtarësh, Parlamenti, Senati dhe 58 votues nga  20 rajone të Italisë. Përjashtim bën Greqia ku Presidenti zgjidhet nga Parlamenti. Politikanët tanë ”origjinalë” në vend që të ndiqnin shëmbullin e shteteve me të përparuara, preferuan të ishin të ”barabartë” me Greqinë?!

Historikisht popullit shqiptar nga të gjithe qeveritë i është mohuar e drejta të votojë për të zgjedhur kryetarin e shtetit. PPSH-ja vendoste President kë donte diktatori. Nuk respektonin as normën e praktikës ndërkombëtare që Presidenti nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë nga 5 vjet. Haxhi Lleshin e mbajti 29 vjet President, nga viti 1953 deri më 1982?! Kuje e zezë, thonë Vlonjatët.
          Pritej që me rrëzimin e diktaturës të mos vazhdonte i njëjti avaz. T’i krijohej edhe popullit mundësia të shprehte vullnetin e vet. Çuditërisht si hartuesit e kushtetutës së parë pluraliste dhe të dy partitë kryesore PD-PS, bënë gabimin e madh dhe shumë të rëndë që zgjedhjen e Presidentit ia lanë mirëkuptimit (konsensusit) midis pozitës dhe opozitës, kur dihet që në Shqipëri agrisiviteti midis dy partive është aq i egër sa ata nuk kanë të ngopur edhe po të shqyejnë njeri tjetrin. Ky mirëkuptim ” xhentëlmenësh” caktoi si Presidentin e parë të Shqipërisë Pluraliste komunistin  e përbetuar Sali Berisha, që zëvëndësoi po komunistin Ramiz Alia. E bukur zgjedhje!? Në këto çaste po më kujtohet një thënie e babait tim 90 vjeçar, jurist me përvojë. Kur një komunist i ndershëm, i rrethit tonë familjar, i gëzuar për kthesën e madhe të Shqipërisë, po i fliste me enthusiazëm për demokracinë, ai i tha: ” Komunistët nuk mund të sjellin demokracinë. Sa do të bëhem unë komunist, aq ke për t’u bërë dhe ti demokrat. Kur ta kuptoni se ç’është demokracia, mua do të më ketë mbirë bari dy pëllëmbë”. Kryesori që nuk e kuptonte dot se ç’ishte demokracia, qe dhe është ish presidenti komunist Berisha. Ai e shpalli veten demokrat të ” kulluar” për t’i hedhur hi syve Perëndimit, vetëm e vetëm që ta mbështesnin e të merrte ndihma prej tyre.  Ama ai e tregoi veten ” demokrat” i mirëfilltë  në vitin 1997 kur, për të mos lëshuar kolltukun presidencial, i dha urdhër Ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulalit, të niste ushtrinë kundër Vlorës. Patrioti dibran Zhulali nuk iu bind urdhërit të Presidentit ”demokrat”, prandaj dhe u shkarkua. Frenat iu dhanë zotit Gazidede, që dështoi sepse ushtria u bashkua me popullin si në Vlorë dhe Gjirokastër. Vullnetarët nga Veriu zbritën  nga makinat në Fier.  Nuk donin të vriteshin me vëllezërit vlonjatë. Ja, ky ishte presidenti i parë ”neutral” i Shqipërisë postkomuniste i miratuar nga konsensusi i partive tona: Predsidenti që dha urdhër për të nisur lufta civile?! Qysh atëhere intelektualët e ndershëm e kuptuan se sa gabim i madh ishte mospërfshirja e popullit për të zgjedhur kryetarin e shetit të vet, po kush i dëgjonte ata?! Jo vetëm për Presidentin, po edhe për deputetët marrëveshja e turpshme Berisha-Rama , ia hoqi popullit të drejtën për t’i votuar ata direkt. Populli duhet të votonte për listën partiake?! Hajde shpikje, hajde?!
          Pas Presidencës antibalancë të Berishës, president u zgjodh Profesor Rexhep Mejdani. Ndryshim i madh midis atij dhe Berishës.  U përpoq të mbante ekuilibrin. Megjithatë fakti që ai kishte qenë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, nuk na ngrohte zemrat. Edhe kur vepronte drejt, do t’i gjenim ndonjë bisht. Kishim bindjen se ai nuk mund të  ishte arbitër neutral midis palëve. Në fund të fundit, kishim të drejtë: ai s’kishte si të dilte kundër interesave të partisë që e  emëroi.
           Pas tij i erdhi radha zotit Alfren Moisiu. Nga të 6 Presidentët post komunistë ky njeri është i vetmi që ndejti 100 përqind neutral. Emri i tij duhet përmendur me shumë respekt. Po pse ai e kreu kaq me nder detyrën e presidentit? E para për karakterin dhe nderdhmërinë e tij. E dyta se ai u takonte të dyja palëve. Nga familja dhe dhe karriera e tij e hershme ushtarake i takonte PPSH-së, po ai u përfshi në lëvizjen e fuqishme popullore kundër diktaturës dhe u emërua Ministër i Mbrojtjes i PD-së. Diti të mbante me nder balancin midis të dyja partive që u kishte shërbyer. Mirënjohje, zoti Alëfred Moisiu!
           Presidenti Bujar Nishani nuk mund të ishte neutral. Ai kishte qenë Ministër i Punëve të Brendshme të Berishës. Mbajti edhe anësi, sidomos kur vajti të demontronte mbështetjen e tij për idhtarët e PD-së që protestuan për rinovimet e Parkut të Tiranës.  Anësitë e tij mund të them se ishin gjëra të vogla në krahasim me zullumet e Berishës. Doktori nuk e anatemoi Bujarin, siç bëri për Presidentin Bamir Topi, sepse, siç duket nuk i shkeli në kallo. Po me Bamir Topin nuk i eci, sepse si President Bamiri nuk mund t’i thoshte të zezës të bardhë. Pse nuk u bë lodër në duart e doktorit atij iu mbyll përgjithmonë dera e PD-së. Ec e mos thoni pastaj që nuk e drejton demokratikisht komunisti Sali Berisha atë parti!
         I përmenda të gjithë presidentët postkomunistë për t’i krahasuar ata me komunistin Ilir Meta, presidentin aktual aq të përfolur, aq jo neutral sa u bë njësh me opozitën. Qendrimi i tij jo si President, po sikur të ishte  kryetar partie më jep shkas për t’i mëshuar idesë se një President i zgjedhur nga populli nuk mund të bëhet kurrë palë me pozitën ose opozitën siç ishte sidomos Berisha dhe si na doli komunisti Ilir Meta.
         Nuk besoj që populli kishte për të votuar Ilir Metën për President. Ai përflitej për floririn, për ngrehinën në Lalëz, për inçizimin e Dritan Priftit të cilit i kërkonte aq e kaq Euro. 21 janari i përgjakur u bë pikërisht për të demaskuar korrupsionin e tij. Popullit nuk i pëlqenin dredhjet e LSI-së herë me të majtën e herë me të djathtën…  Po ja që mirëkuptimi i palëve i dha atij postin aq të nderuar të kryetarit të shtetit dhe komandantit të ushtrisë. Ai nuk kishte për të qenë aq agresiv kundër PS-së dhe Ramës, po të ishte se ky i fundit nuk kishte për të përkrahur reformën në drejtësi. Meta, Berisha e kushdo politikan tjetër i korruptuar e kanë të qartë se vetingu do të jetë fundi i tyre i turpshëm. Bënë çmos ta rrëzonin Ramën para zgjedhjeve që të shtynin zbatimin e reformës. E përflakën Tiranën, po nuk ia dolën dot, se morën ultimatum nga përtejdetit. Si dështuan nga marrja e pushtetit me dhunë, kërkuan me çdo kusht rrotacionin. Zgjedhjet ishin rasti më i mirë për të shpëtuar nga llogaridhënia. Ishte shpresa e vetme që komunisti i korruptuar Meta me shokë të shmangte vetingun ose në veting, sipas propozimit te Metes, të kalojnë ata politikanë që ka për të caktuar një komitet i drejtuar nga krye të korruptuarit. Si dështuan edhe në 25 prill, më 26 nisën tamtamet për vjedhje, shit-blerje e çudira  të tjera. Deri më 24 prill për ta çdo gjë ishte në rregull. Ata do të ishin ngadhnjimtarët!
          Lind pyetja se si mund të ishte komunisti Ilir Meta një president  neutral, kur gruaja e tij, Monika kryemadhi, ishte opozitarja më e zellshme, më agresive kundër PS-së dhe kryeministit Rama?! Është e pamundur për çdo njeri që ndan shtratin bashkëshortor me gruan, të jetë në politikë krejtësisht kundër saj .Andaj dhe Likja, u sul me sa fuqi kishte për të akuzuar qeverinë dhe Ramën për vjedhje e banditizëm. Në çaste turfullimi e sipër tregoi dhëmbët, si ato të tigrave prej rëre, duke i bërë thirrje popullit” T’i mprehni sfurqet, kosoret, lopatat. Sopatat t’i mprehni e t’i keni gati për të djelën” për të luftuar si Don Kishoti me mullinjtë e erës. Nuk u mjaftua me kaq. Kur ambasadorja amerikane Juri Kim e kritikoi për përdorimin e fjalës cfurk dhe shprehjeve.që grishnin për revoltë, Presidenti ynë i nderuar, krejt i ”ekuilibruar”, ia vuri asaj shtegun te thana.” Po të jetë se kemi frikë nga Amerika, se ka aeroplanëmbajtëse edhe raketa, ka edhe Rusia. Ka edhe ky koreano veriori. Edhe ai ka raketa”. A thua se ai ka biseduar me Rusinë dhe Korenë e Veriut për ta sulmuar Amerikën për qejfin tonë dhe ata e paskan siguruar?! O pa, komunisti i PPSH-së Ilir Meta, ashtu si diktatori Enver Hoxha quan armike SHBA-në! Me këtë ndjenjë antiamerikane i korruptuari Ilir Meta u përpoq t’i vëjë një njollë turpi Shqipërisë. Jam i bindur se amerikanët e dinë mirë që shqiptarët nuk janë si Ilir Meta i cili, duan thë thonë, se kur rrëkëllen ndonjë gotë me raki Skrapari, nuk di se ç’flet. Prandaj për të në Parlament ka filluar edhe procedura normale e shkarkimit. Zoti Taulant Balla foli edhe për saktësimin e mëtejshëm të ligjit për Presidentin. Do të ishte në nderin e PS-së, të zotit Taulant, të zotit Rama e kujtdo politikani i majtë ose i djathtë, që rregullimi i parë dhe më kryesori për ligjin duhet të jetë që PRESIDENTI TË ZGJIDHET DIREKT NGA POPULLI. Ashtu si e ka shumica e shteteve të Europës. Presidenti që zgjidhet nga partia ka detyrim të madh ndaj saj. Ai ka pak shanse, siç e pamë nga analiza e shkurtër e 6 presidentëve postkomunistë,  të jetë arbitër i paanshëm. Kur atë e zgjedh populli, pavarësisht nëse ka për të qenë kandidat i kësaj apo asaj partie ose i pavarur, ai detyrimin  e ka ndaj popullit që i ka besuar. Jam i bindur se populli nuk ka për të votuar kurrë ndonjë ish komunist të flsktë ose  kryetar partie për President.
       Në saktësimin e detyrave të presidentit duhet patur parasysh përvoja negative e sivjetme kur nga Presidenca lëshoheshin akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit. Dukej se gati-gati këto dy institucione ishin në gjendje lufte. Është e natyrshme që kryetari i shtetit mund të ketë vërejtje për ekzekutivin. Atij i takon t’i përcjellë ato me shkrim si në qeveri, po edhe në prokurori, po qe se bëhet fjalë për shkelje të ligjeve. Presidenti mund të flasë hapur për to vetëm kur drejtësia të ketë vendosur. Po qe se ato ia bën të njohura medias para vendimit të gjykatës, urgjentisht duhet të mblidhet Parlamenti të kërkojë votëbesim për qeverinë. Në rast se qeveria rrëzohet, Presidenti del se ka patur të drejtë, ndonëse ka bënjë një shkelje nga rregulli. Po qe se qeveria fiton votëbesimin, menjëherë Presidenti duhet të shkarkohet. Akuza të pabazuara dhe shpifje nuk mund të lejohen midis këtyre dy institucione eprore të shtetit. Si kryeministri dhe Presidenti duhet të penalizohen për përhapjen e akuzave të pamiratuara nga drejtësia.
           Ka ardhur koha që njerëzit, qofshin ata edhe politikanë të elitës së lartë, të mbajnë përgjegjësi për akuzat që bëjnë. Ato fyejnë dinjitetin e njeriut, përgojojnë të ndershmin dhe krijojnë një tymnajë akuzash e shpifjesh që çorodisin popullin që e ka të vështirë të dijë  se si qendron e vërteta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button