Ekonomia

Linja 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut/ Hapet rruga për zbatimin e projektit

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) bën të ditur se kompania Joint Venture-i Mitas Energy and Metal Construction Inc – Doko Sh.p.k ka dorëzuar dokumentin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të thelluar çka i hap rrugë zbatimit më tej të projektit për ndërtimin e linjës 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Projekti për ndërtimin e kësaj linje mbështetet nga banka gjermane KfW dhe është pjesë e nismës së Komisionit Europian për të krijuar një korridor të transmetimit të energjisë elektrike Lindje-Perëndim midis Bullgarisë, Maqedonisë se Veriut, Shqipërisë, Malit te Zi dhe Italisë.

Në fund të muajit prill OST nënshkroi marrëveshjen me kompaninë kontraktore për pjesën e projektit i cili përfshin ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier, ndërkohë që më herët është nënshkruar edhe kontrata që parashikon ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Qafë-Thanës.

Ky projekt i rëndësishëm do të bëjë të mundur përforcimin e lidhjeve interkonjektive me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar një sistem më të sigurt dhe të besueshëm, por edhe kushtet e duhura për shkëmbimet tregtare dhe tranzitimet në rajon pa asnjë kufizim.

Gjithashtu, ky investim do të ketë ndikim në zhvillimin e rrjetit 400 kV në zonën e Shqipërisë së Jugut, si dhe i përgjigjet investimeve të cilat parashikohen të realizohen në të ardhmen për zhvillimin e energjisë së rinovueshme si dhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Investimi, i cili financohet nga qeveria gjermane përmes bankës KfW, WBIF dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit përfshin ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë-Thanës (Shqipëri-Maqedoni e Veriut), ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Fierit, ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3 si dhe zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button