Home / Ekonomia / Drejt realizimit ëndrra shumëvjeçare/ Nënshkruhet kontrata për fazën e parë të projektit për HEC-in e Skavicës

Drejt realizimit ëndrra shumëvjeçare/ Nënshkruhet kontrata për fazën e parë të projektit për HEC-in e Skavicës

Marrëveshja u nënshkrua midis kreut të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Ergys Verdho si dhe përfaqësuesit të kompanisë “Bechtel”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se faza e parë e projektit përfshin punën përgatitore për kryerjen e studimeve, atij ambiental, teknik e social, për të kaluar më pas në fazën e dytë që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës.

“Hapi i radhës drejt realizimit të një ëndrre shumëvjeçare”, u shpreh Balluku.
Për hartimin e këtyre studimeve, ministrja tha se do të jetë një kohë në dispozicion prej 18 muajsh.

Ministrja Balluku tha se ky HEC do të luajë rolin e një rregullatori për HEC-et ekzistuese duke rritur me 20 % prodhimin vendas, por nga ana tjetër do të optimizojë e rrisë edhe kapacitetet prodhuese të Kaskadës.
“Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, një projekt me interes kombëtar do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin”, shtoi ajo.

Ndërtimi i HEC-it të Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektroenergjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. “Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushës së Shkodrës dhe fushës së Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe eficiencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës”, deklaroi Balluku.

Ajo u ndal edhe te impakti social që do të krijojë ndërtimi i HEC-it.

“Që në fillimet tona kemi qenë të qartë për sa i përket impaktit social që ky projekt do të ketë në zone, por Bechtel edhe për shkak të eksperiencës në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore që padyshim krijojnë impakt social, është një emër që krijon siguri dhe unë jam besimplotë që gjithçka do të zgjidhet në të mirë të banorëve të zonës e qytetarëve”, tha Balluku.

Justin Siberell, president rajonal për Europën, Afrikën dhe Lindjen e Mesme në kompaninë “Bechtel”, Justin Siberell u shpreh se jemi shumë të kënaqur që po punojmë me qeverinë e Shqipërisë në këtë projekt historik dhe të rëndësishëm.

“HEC-i i Skavicës merr një rëndësi të madhe për Shqipërinë përfshirë këtu 210 megavat të shtuar të energjisë së pastër të ripërtëritshme dhe kontrollin e përmbytjeve sezonale”, tha ai.

Sipas tij, me marrëveshjen e sotme ne jemi në gjendje të nisim punët e hershme për të mbështetur këtë projekt, ku përfshihen projekti i detajuar studimet e thelluara hetim të studimit gjeoteknik, rrugët paraprake të ndërtimit dhe ndikimin social e mjedisor në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Mezi presim të punojmë në partneritet me KESH-in për të sjell një produkt të mirë. Ne zbatojmë standardet më të larta të sigurisë në punë“, tha ai.

Leave a Reply

%d bloggers like this: