Ekonomia

Mikrofinanca, raporti i kredive me probleme vitin e kaluar u rrit në 11.2%

Raporti i kredive me probleme për institucionet financiare jobanka në fund të vitit të kaluar arriti në 11.2%.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ndryshe nga sa ndodhi me sektorin bankar, kreditë e këqija të institucioneve të tjera financiare të huadhënies shënuan rritje, me rreth 1.5 pikë përqindje më shumë krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e këtij raporti është ndikuar tërësisht nga portofoli i mikrokredisë. Analiza e BSH evidenton se, krahas pasojave të karantinës dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, në ecurinë e këtij treguesi kanë ndikuar edhe kërkesat mbikëqyrëse, zbatimi rigoroz i të cilave është verifikuar gjatë ekzaminimeve në vend dhe ka sjellë rritje të shumës dhe numrit të kredive të klasifikuara me probleme.

Për institucionet financiare jo-banka efekti i pandemisë rezultoi më i ndjeshëm sesa për bankat, për disa arsye. Këto institucione janë të ekspozuara tek klientë me rrezik më të lartë dhe të brishtë ndaj goditjeve të papritura. Kriza dha një efekt më të dukshëm tek individët, të vetë punësuarit dhe bizneset e vogla, që përfaqësojnë edhe pjesën dërrmuese të klientëve të mikrofinancës.

Gjithashtu, frenimi i rritjes së portofolit të kredisë gjatë vitit 2020 ndikoi gjithashtu negativisht raportin e kredive me probleme ndaj totalit. Nëse për vitin 2019 portofoli i kredisë ishte rritur me rreth 24%, për vitin 2020 rritja u reduktua ndjeshëm, në afërsisht 3%. Pasojat u ndjenë sidomos tek institucionet më të reja në treg, që nuk kishin pasur mundësi të krijonin rezerva të përshtatshme në vite për t’u përballur me bllokimin disamujor të pagesave të kësteve. Përballë kësaj situate, institucionet në fjalë u detyruan të bllokimin disbursimin e kredive të reja dhe të shkurtonin vende pune. Ndryshe nga bankat dhe pjesërisht SHKK-të, shumica e institucioneve të mikrofinancës nuk mund të mbështeten në depozita, ndaj në kushtet e një mjedisi ekonomik të përkeqësuar sigurimi i linjave të financimit gjatë vitit të kaluar u bë një problem për vazhdimin e kreditimit të disa prej institucioneve.

Duke filluar nga mesi i vitit 2020, pas rihapjes së ekonomisë, institucionet e mikrofinancës raportuan një rimëkëmbje graduale të kërkesës, por, sërish tregu nuk arriti të kthehet në nivelet e parakrizës. Kthimi i një vale më të fortë të pandemisë në vjeshtë dhe dimër solli shpenzime në rritje për barna dhe shërbime mjekësore. Kjo e ndikoi tregun, si në kuptimin e të aftësisë paguese, ashtu edhe të kërkesës, sepse në kushtet e pandemisë njerëzit nuk ishin të prirur të bënin shpenzime që i konsideronin jo të domosdoshme.

Rritja modeste e portofolit e bëri të paevitueshme një rritje të raportit të kredive me probleme, në kushtet kur huamarrësit e vegjël vuajtën pasojat e pandemisë. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të institucioneve financiare jo banka, edhe në këtë segment rritja e kredive të këqija ishte sidoqoftë më e kufizuar krahasuar me projeksionet fillestare, pasi ekonomia u prek nga efektet e pandemisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button