Home / Politika / Koçi: Bota e krimit në Fier në marrëdhënie me LSI-në ka ndikuar në zgjedhje

Koçi: Bota e krimit në Fier në marrëdhënie me LSI-në ka ndikuar në zgjedhje

Pas dhënies së dëshmisë para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) lidhur me deklaratën se tenderët publikë po fitohen nga trafikantët në qytetin e Fierit, deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, Petro Koçi deklaroi për mediet se bota e krimit në Fier është e lidhur me politikën dhe se ndikuar në zgjedhjet e fundit, në marrëdhënie me LSI-në.

“Duart e krimit janë përfaqësues të botës së krimit. Në Fier është një botë goxha e konsoliduar. Unë jam një nga politikanët që kam guxuar e kam denoncuar shumë herë. Gjatë fushatës denoncova një gjyqtar për një shkarkim nga puna dhe me sa di, ky gjyqtar është shkarkuar. Unë jam politikan dhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente”, tha ai.

Për gazetarët, Koçi tha se “mendoj se sensibilizimi i SPAK është i nevojshëm në një qark që ka nevojë për më shumë pastërti publike. Bota e krimit në Fier ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën. Mund t’ju them që të tillë në marrëdhënie me LSI edhe ndikuan në rezultatet zgjedhore, në zgjedhjet e fundit”.

“Kam një vullnet të palëkundur edhe si individ për të bashkëpunuar me drejtësinë”, tha ai.

“Unë jam politikan, nuk zëvendësoj organet e tjera shtetërore, as policinë. Qëndrimet e mia nuk janë për të larë hesape me asnjë politikan. Ne duhet të lajmë hesapet me botën e krimit dhe nuk duhet të lejojmë që ata të vazhdojnë të jenë influentë në jetën publike dhe në vendimmarrjet zyrtare. Ajo që kam thënë që ata ndikojnë edhe në financat publike, ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta, ose duke kërcënuar zyrtarë të niveleve të ndryshme është një gjë për të cilën unë jam shumë i bindur dhe që duhet të konkretizohet në veprimtarinë e organeve ligjzbatuese”, deklaroi Koçi.

I pyetur se kush janë zyrtarët që janë kërcënuar, Koçi tha se “jam i bindur në gjithë perceptimin tim politik në qarkun e Fierit, nga marrëdhëniet intensive që kam me qytetarët dhe me elektoratin, por dhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time, që do të thotë se ajo që unë them është e vërtetë dhe dhemb për disa. Nuk dhemb për Partinë Socialiste, PS distancohet prerazi nga çdo lloj individi që preket nga krimi. Ky është një vullnet i palëkundur i PS-së dhe është një linjë që e ka që nga kryetari deri tek anëtari i fundit i PS-së”, tha Koçi.

Koçi u shpreh se do të ishte vazhdimisht një politikan që do të luftojë që jeta politike të jetë e pastër. Ai vijoi duke thënë se ne duhet të inkurajojmë zyrtarët të mos u përthyhen presioneve të krimit.

Më tej, ai shtoi se me deklaratat dhe dëshmitë e tij po nxiste veprimtarinë e organeve ligjzbatuese, teksa theksoi se pa Partinë Socialiste, Reforma në Drejtësi nuk do të mund të bëhej.

“SPAK është i lirë dhe i detyruar nga ligji të veprojë ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin dhe bashkëpunon me krimin”, tha Koçi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: