Bota

Qeveria amerikane e padit guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të premten e paditi guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, në përpjekje për t’ia bllokuar urdhrin ekzekutiv që e kufizon transportimin e imigrantëve nëpër këtë shtet të ShBA-së dhe i autorizon trupat shtetërore që t’i ndalin veturat që dyshohet se po shfrytëzohen për këtë qëllim.

Në padinë e dorëzuar në Gjykatën Federale në El Paso, Departamenti i Drejtësisë tha se urdhri i Aboott-it, për të cilin ai ka thënë se ka për qëllim që ta parandalojë përhapjen e mundshme të koronavirusit nga imigrantët, e shkel në mënyrë të paligjshme juridiksionin e qeverisë federale rreth çështjeve të imigrantëve.

Urdhri i guvernatorit të Teksasit i lejon vetëm “zyrtarët e sundimit të ligjit” që të ofrojnë transport tokësor për imigrantët e ndaluar për kalim të paligjshëm të kufirit me Meksikën. Ky urdhër gjithashtu ia jep autoritetin Departamentit për Siguri Publike të Teksasit që të ndalë secilën veturë të dyshuar për transportim imigrantësh dhe ta kthejë prapa në pikën e nisjes.

Sipas padisë, ky urdhër do të ishte ndërhyrje në aftësinë e qeverisë amerikane për të transportuar imigrantë mes qendrave të ndryshme, përfshirë fëmijët që nuk janë të shoqëruar nga prindërit apo kujdestarët. Qeveria qendrore e ShBA-së rregullisht angazhon kontraktorë dhe personel tjetër jashtë sistemit të sundimit të ligjit për të transportuar imigrantë, shkruan Reuters.

Teksasi është bërë “fushëbetejë” për mospajtimet rreth imigrantëve. Republikanët dhe përkrahësit e ish-presidentit Donald Trump po mundohen t’i kundërshtojnë përpjekjet e presidentit Joe Biden për t’i lehtësuar politikat kufizuese të paraardhësit të tij për imigrantët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button