Home / Ekonomia / Ballkani i hapur, Shqipëria përfiton/Optimizëm nga heqja e pengesave në kufij për tregtinë

Ballkani i hapur, Shqipëria përfiton/Optimizëm nga heqja e pengesave në kufij për tregtinë

Në Shkup, në kuadër të forumit ekonomik “Ballkani i hapur”, u nënshkruan të enjten 3 marrëveshje për bashkëpunim rajonal. Marrëveshjet u nënshkruan nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Marrëveshjet synojnë të krijojnë një treg të përbashkët pa kufij doganor midis vendeve. Sipas të dhënave të INSTAT shihet se me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë kemi bilance negative tregtare.
Drejtuesi i Qendrës Shqiptare të Eksportuesve, Alban Zusi mendon se kamionët e Shqipërisë kanë hasur shumë pengesa nëpër dogana  dhe prandaj janë krijuar edhe këto bilance negative. Ballkani i Hapur sipas tij është një mundësi për tu shfrytëzuar: “Duhet të vëmë në zbatim pesë kushte përpara se të firmosim marrëveshjen e tregtisë së lirë. Reciprociteti i mallrave, kuotat mujore të importit, taksat mbi subvencionimin e produkteve dhe parimi i mbrojtjes. Nëse do bëhet në mënyrën e duhur, Shqipëria ka të gjitha kapacitet për të qenë përfituesja më e madhe nga kjo marrëveshje. ” Tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk i janë bashkuar akoma nismës, ndërsa pjesëmarrësit në Ballkanin e Hapur u shprehën se kjo është e ardhmja.
Kurse deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një intervistë  komentoi impaktin e këtyre marrëveshjeve të arritura. Deputeti socialist deklaron se platforma “Ballkani i Hapur” përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit, njohjen e standardeve dhe marrjen e “masave” të buta për të hequr pengesat doganore, apo për t’i dhënë prioritet lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.
”Ballkani i Hapur” është një platformë për të cilën me bindje them që rajoni ka nevojë”, tha Bushati. Kjo pasi, shton ai, Ballkani për një kohë të gjatë ka qenë i izoluar, ndërsa sot përmes kësaj platforme, ne kemi ndërtuar ura të reja zhvillimi ekonomik e jo vetëm. “Kjo nismë sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjen e mallrave, të kapitaleve dhe lëvizjes së shërbimeve”, u shpreh Bushati.
Ballkani Perëndimor, vuri në dukje ai, është e vetmja zonë e pa integruar në Bashkimin Europian dhe më tepër se integrim kemi të bëjmë me një përfshirje të kësaj zone më pranë BE-së. Bushati deklaron se memorandumet e nënshkruara në kuadër të forumit ekonomik, në Shkup, parashikojnë që lëvizje të lirë të punës dhe qytetarëve, shërbimet dhe mallrat të lëvizin pa kosto dhe gjithashtu edhe kapitalet apo investimet nëpërmjet vendeve të njëjta në këtë zonë të mos taksohen më shumë, por sikur të ishin në vendet e tyre.
“Patjetër që do të ulen kostot ekonomike, duke rritur lëvizjen e lirë të njerëzve, të shërbimeve dhe kapitaleve apo dhe të mallrave bashkë me shërbimet, njëlloj siç ndodh edhe në Bashkimin Europian. Lëvizja e lirë e punës dhe qytetarëve, shërbimet dhe mallrat lëvizin pa kosto. Gjithashtu bën që edhe kapitalet apo investimet nëpërmjet vendeve të njëjta në këtë zonë të mos taksohen më shumë, por sikur të ishin në vendet e tyre. Kjo bën një treg prej 20 milionë qytetarësh që të integrohet më shpejt, por gjithashtu të jetë gati nesër për në Bashkimin Europian. Pra ajo që po bën është një përshpejtim i proceseve duke filluar në radhë të parë me veten”, thotë Bushati.
Gjithashtu, sipas Bushatit, kjo marrëveshje do t’i japë mundësi shteteve të reduktojnë pikat e shumta të kontrollit kufitar, duke i lejuar qytetarët të udhëtojnë vetëm me letërnjoftimin e tyre ID, duke eliminuar kështu përdorimin e pasaportës. Njëkohësisht do të njohin lejet e punës dhe kualifikimet profesionale dhe do të eliminojnë kërkesat për viza për vizitorët e huaj në rajon.
“Shumë e rëndësishme të theksohet është se nëpërmjet kësaj nisme parashikohen përfitime të rëndësishme ekonomike edhe nga bashkëpunimi i ngushtë i shteteve dhe marrëdhënie më të mira mes tyre, pasi pengesat e vazhdueshme ndërkufitare kanë sjellë dhe do të sjellin bllokimin e investimeve të huaja, ndaj ka ardhur momenti i një bashkëpunimi të ri më efikas”, deklaroi Bushati. Kjo nismë, vijon Bushati, është një mënyrë që qytetarët të jenë të kënaqur, të ndiejnë progres dhe të shohin se ajo që ne po bëjmë ka kuptim.

Leave a Reply

%d bloggers like this: