Arte

“Shumë rusë lexojnë libra historik për Kosovën”

Jeta dhe vepra e albanologes Albina Girfanova, e cila vdiq në vitin 2018, ka shtyrë kolegët e saj albanologë që të botojnë librin “Balkan Area. Altaic Studies. General Linguistics. In Memoriam Albina H. Girfanova (1957–2018)”.

Ky libër promovohet sot në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare.

Promovimin e këtij libri do ta bëjë albanologu rus Alexander Novik, i cili në një intervistë për KosovaPress thotë se ndjehet shumë mirë që këtë vit përkundër pandemisë me COVID-19, seminari ka arritur të mbledhë në Prishtinë albanologë nga e gjithë bota.

Alexander Novik, i cili vjen në Kosovë dhe Shqipëri që nga viti 1990, flet për KosovaPress edhe për imazhin e Kosovës në Rusi dhe anasjelltas.

Novik është një nga 54 autorët e librit kushtuat Grifanovës, e që beson se libri do të pritet mirë nga të gjithë lexuesit.

Ai flet në pika të shkurtra për librin, duke mos shuar kureshtjen e lexuesit.

“Sot do të promovoj librin kushtuar Albina H. Girfanova. Girfanova ka qenë albanologe në Rusi, në Universitetin shtetëror të San Petersburgut. Ajo u lind në vitin 1957, kur ishte themeluar Universiteti i Tiranës dhe dega e Gjuhës Shqipe në universitetin e Petersburgut. Më 2018 u nda nga jeta dhe me kolegët dhe koleget e saj kemi botuar librin ‘In memoriam Albina Grifanova’. Jemi 54 autorë”, tha ai.

Libri kushtuar Albina Girfanovës, është një përmbledhje e pasur materialesh nga vende të ndryshme të botës, derisa Novik veçon një artikull që do të botohet për herë të parë.

“Mendoj se do të pritet mirë nga lexuesit sepse libri ka shumë artikuj. Në këtë libër janë grumbulluar materialet nga Ballkani, nga Lindja e Largët, nga Evropa, nga Izraeli. Në këtë libër është botuar për herë të parë artikulli i Shaban Dimirit për veprimtarinë e Jul Varibobës, e që për ne është nder i madh”, thekson ai.

Albanologu rus në intervistë flet edhe për rëndësinë e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“Më vjen shumë mirë që mund të marrë pjesë në Seminarin e Prishtinës sivjet. Unë vij këtu në Prishtinë, në Kosovë, në Universitetin e Prishtinës që nga viti 1990. Do të thotë ka shumë vite që vijë këtu dhe gjithmonë vijë me shumë dëshirë, sepse seminari na jep mundësinë të takohemi me kolegët nga e gjithë bota… Ky vit i pandemisë është shumë i vështirë për të organizuar seminar ndërkombëtar. Sivjet kanë ardhur më pak seminaristë, por mendoj që është shumë mirë që Universiteti i Prishtinës mund të organizonte këtë seminar, të mbledhë njerëz nga e gjithë bota. Është shumë pozitive”, tha ai.

Se sa shumë i pëlqen Kosova dhe populli i saj, Novik thotë se e dëshmon më së miri ardhja e tij e rregullt për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“Unë vij çdo vit në Kosovë për të marrë pjesë në seminar. Nëse unë vij çdo vit për të marrë pjesë në Seminarin e Prishtinës, kjo do të thotë që mua më pëlqen shumë të vij në Kosovë dhe më pëlqen populli i Kosovës, prandaj vij këtu”, tha Novik.

Por, ai është i pakënaqur me faktin sesa pak flitet në Rusi për Kosovën, ndërkohë që thotë se edhe në Kosovë ka një perceptim të gabuar për Rusinë.

“Në Rusi flitet shumë pak për Kosovën dhe ky është problemi. Ne duhet të bëjmë sa më shumë jo vetëm për të përmirësuar imazhin e Kosovës, por duhet të shkruajmë për imazhin e Kosovës sepse s’ka shumë njohuri në Rusi. Dhe, lexuesi e shikuesi rus di shumë pak për Kosovën… Varet nga njeriu, ka njerëz që lexojnë vetëm mediat zyrtare dhe ndoshta mund të kenë njohuri vetëm për luftën që ka qenë këtu në Ballkan në vitin ‘90. Por, ka njerëz që lexojnë vepra historike dhe dinë më shumë për historinë e Kosovës”, tha albanologu rus.

Alexander Novik ka studiuar gjuhën shqipe në Universitetin e San Petersburgut, ndërsa deri tash ka botuar rreth 14 libra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button