Opinion

Bota 20 vjet pas 11 Shtatorit

Bota e sotme nuk është aspak e ngjashme me atë që kishim imagjinuar në vitin 2001. Ky moment “post-Kabul” ka disa tipare. I pari është se nuk ka më një superfuqi të vetme globale, por dy të tilla, me shfaqjen e Kinës, një fuqi revizioniste që dëshiron të ndryshojë rregullat ndërkombëtare të lojës. Tipari i dytë është emancipimi i fuqive të mesme si Turqia, Irani, Rusia ose India, të cilat duan që të imponojnë rolin dhe peshën e tyre. Pastaj është Evropa, e cila ende nuk e di nëse dëshiron të jetë një fuqi

Nga Pierre Haski

Disa ngjarje shënojnë një shkëputje historike, të cilën ne e perceptojmë instinktivisht kur atondodhin. Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, është njëra prej tyre. E njëjta gjë vlen edhe për sulmet e 11 Shtatorit 2001. Ndonëse ekziston një debat midis historianëve, nëseekziston vërtet një “para” dhe “pas” sulmeve ndaj Kullave Binjake.

Kësaj liste unë do t’i shtoja edhe rënien e Kabulit më 15 gusht të këtij viti, ndikimi i së cilës do të ndihet për një kohë të gjatë. Do të jenë historianët ata që do të përcaktojnë nëse siç mund të mendohet sot, përfundimi i luftës së SHBA-së në Afganistan do ta mbyllë kapitullin e hapur më 11 Shtator 2001.

Sigurisht ajo ngjarje, nxjerr në pah një ndryshim në strategjinë e fuqisë së parë botërore, dhe fillimin e një faze të re, atë të rivalitetit me Kinën. Nuk duhet doemos të jesh shumë imoshuar për të jetuar të paktën 3 momente të veçanta historike:Luftën e Ftohtë, Luftën e Ftohtë pas dhe 11 Shtatorin, të cilave tani u shtohet një moment i katërt vendimtar me post-Kabulin. E jona është një epoke e konfuzionit, në të cilën fuqitë e mëdha dhe të mesme po testojnë veten dhe po përpiqen të krijojnë marrëdhënie të reja të forcës. Por kjo është gjithashtu një epokë e rrezikshme.

Iluzionet pas Luftës së Ftohtë

Të gjithë njerëzit mbi të dyzetat e mbajnë mend Luftën e Ftohtë dhe simbolet e saj. Para se të bëhej një destinacion turistik, pika e kontrollit ‘Charlie’ në Berlin, ishte një pikë kalimi midis lindjes dhe perëndimit, dhe ishte e pamundur ta kaloje atë pa ndjerë një peshë në stomak, si në romanet e John LeCarré.

Pastaj Lufta e Ftohtë përfundoi, dhe në vend të konfliktit midis dy blloqeve ne përjetuam atë që u quajt në mënyrë banale“post-Lufta e Ftohtë”, një periudhë e karakterizuar nga fuqia hegjemonike e Shteteve të Bashkuara, dhe nga një globalizim që disa besojnë se duhet të kishte zgjidhur çdo problem. OKB kishte rifituar ndikimin e saj, demokracia po përparonte pothuajse kudo dhe Nelson Mandela ishte bërë president i vendit të Aparteidit në Afrikën e Jugut.

Turravrapi i Perëndimit përpara përfundoi në dështim

Ky iluzion u shkatërrua më 11 Shtator me sulmet e Al-Kaedës. Bota u bë sërish tragjike (por duhet thënë se nuk munguan tragjeditë as në vitet 1990, me gjenocidin në Ruanda dhe luftërat në ish-Jugosllavi).

Simboli që përfaqësonin Kullat Binjake dhe rreziku i ardhshëm terrorist i shtynë Shtetet e Bashkuara, dhe rrjedhimisht edhe Perëndimin, në një vrapim të çmendur përpara që përfundoi në dështim. Në vitin 2001, kur u kryen sulmet e 11 Shtatorit, Shtetet e Bashkuara ishin fuqia e vetme globale, dhe me kalimin e kohës, ne ishim bërë “të gjithë amerikanë”.

Sot, 20 vjet më vonë, edhe amerikanët janë të përçarë midis tyre, edhe bota është në krizë. Sigurisht planeti nuk e sheh më veten në një udhëheqje amerikane, e cila ka humbur vlerën për shkak të luftës në Irak, braktisjes së Sirisë, kaosit Trumpian dhe së fundmi humbjes në Afganistan.

Bota e sotme nuk është aspak e ngjashme me atë që kishim imagjinuar në vitin 2001. Ky moment “post-Kabul” ka disa tipare. I pari është se nuk ka më një superfuqi të vetme globale, por dy të tilla, me shfaqjen e Kinës, një fuqi revizioniste që dëshiron të ndryshojë rregullat ndërkombëtare të lojës.

Tipari i dytë është emancipimi i fuqive të mesme si Turqia, Irani, Rusia ose India, të cilat duan që të imponojnë rolin dhe peshën e tyre. Pastaj është Evropa, e cila ende nuk e di nëse dëshiron të jetë një fuqi, por që duhet të kuptojë se në rast të heqjes dorë nga kjo e fundit do të jetë e dënuar t’u nënshtrohet të tjerëve. Ndaj nuk do ta ketë aspak të lehtë të pozicionohet në botën “post-Kabul”. / “France Inter” – Bota.al/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button