Kosova

Gazi amerikan apo rus nëpër Kosovë, flet për herë të parë ministrja e Ekonomisë

Ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli ka treguar dje se projekti për gazsjellësin s’ka të bëjë me gaz amerikan ose të ndonjë shteti tjetër por për infrastrukturën që do ta sillte gazin natyror. Ka treguar se ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë qeveria e Kosovës pasi nuk dihet kostoja totale e projektit. Një korporatë amerikane ka ndarë grant 200 milionë dollarësh për ndërtimin e infrastrukturës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka dhënë detaje mbi projektin e ndërtimit të infrastrukturës së gazit natyror.

Rizvanolli ka treguar se nuk bëhet fjalë për gazin amerikan apo të ndonjë shteti tjetër por ka të bëjë me ndërtimin e infrastrukturës që mundëson sjelljen e gazit.  Ajo tha po ashtu se ende nuk dihet se çfarë vendimi do të marrë qeveria e Kosovës për arsye se nuk dihet kosto totale e projektit.

“Sa i përket ndërtimit të infrastrukturës së gazit ne kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit që është agjension zhvillimor i SHBA-ve, arsyeja është se MCC ka filluar një studimi parafizibiliteti e më pastaj edhe fizibiliteti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë dhe ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë i cili do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture. Një gjë që është e paqartë është që MCC nuk do të financonte tërë projektin, sepse do të kishim të bëjmë me një investim shumë më të madh nëse do të vendosim për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, tha Rizvanolli

Ministrja Rizvanolli tha tutje se projekti për gazsjellësin s’ka të bëjë me gaz amerikan ose të ndonjë shteti tjetër por për infrastrukturën që do ta sillte gazin natyror.

“Po flitet në kohët e fundit për gazin amerikan, duhet sqaruar një gjë kur po flasim për ndërtimin e infrastrukturës nuk jemi duke folur për gazin amerikan ose ndonjë shteti tjetër, opsioni që po diskutohet është ndërtimi i infrastrukturës që do të mundësonte sjelljen e gazit natyror.  Unë nuk do ta kisha cilësuar si hezitim ose preferencë të qeverisë, ne i kemi lexuar studimet e fizibilitetit, me ekspertët e MCC-së, i cili përbëhet më shumë se 10 ekspertëve të cilët kanë punuar në këtë studim dhe nuk është çështje preference është çështje që vendimi që e marrim është i duhuri”, tha ajo.

Rizvanolli tha se duhet ende qartësim sa i përket financave për projektin.

“Në veçanti janë disa çështje, të cilat kërkojnë qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Poashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji”.

Ajo tha se MSS-ja ka alokuar 200 milionë dollarë për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, e që tha se është investimi më i madh.

“MSS ose ndonjë organizatë tjetër nuk do të financonte tërë projektin, kemi të bëjmë me investim më të madh se kaq gjatë 5 muajve të fundit, kemi pasur bashkëpunim intensiv me MSS”.

Rizvanolli në një konferencë për medie ka dhënë detaje edhe  për marrëveshjen e nënshkruar të enjten me Maqedoninë e Veriut.

Rizvanolli ka theksuar se marrëveshja me Maqedoninë e Veriut në fushën e energjisë është rëndësisë së veçantë, derisa ka shtuar se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të ndodhë vetëm me Maqedoninë e Veriu, por edhe me vendet e tjera.

“E para çështje është marrëveshja e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, marrëveshja që e kam nënshkruar ka të bëjë me fushën e energjisë. Sa i përket marrëveshjes së djeshmit është me rëndësi bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve tona dhe jo vetëm me Maqedoninë e Veriut, jo vetëm me Shqipërinë ne kemi synime të ngjashme që është integrimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë. Me këtë marrëveshje jemi dakorduar të ndajmë përvoja ndërmjet dy vendeve, sa i përket Maqedonisë së Veriut në disa procese ata janë pra nesh, synohet që të rritet bashkëpunimi ndërmjet sektorëve privat”.

Marrëveshja e Uashingtonit specifikon se Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) do të jetë një shërbim financiar për financim të projekteve infrastrukture, por edhe për projekte shtesë dypalëshe në Kosovë dhe Serbi, siç janë terminali dhe tubacioni i gazit.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë deklaruar me prioritet sektorin e energjisë dhe në Kosovë tashmë kanë miratuar 200 milionë euro përmes fondeve të MCC-së për këtë sektor.

Amerikanët kërkojnë krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik midis vendeve të rajonit dhe do ta mbështesin Maqedoninë e Veriut që të shndërrohet në një aktor rajonal në fushën e energjetikës.

Harta energjetike përfshin interkonektorin që lidh Greqinë dhe Bullgarinë, dhe që do të jetë përcjellës i gazit përmes Bullgarisë e më pas përmes Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut do të përfshihet në ndërtimin e terminalit të gazit natyror të lëngshëm, pranë qytetit grek Aleksandropulos.

Rreth 55 milionë euro është kostoja për ta lidhur Maqedoninë e Veriut me gazsjellësin në Aleksandropulos, nga të cilat 13 milionë euro të pakthyeshme për këtë projekt janë siguruar nga fondet evropiane.

Serbia është gjithashtu e interesuar për gazin, këtë herë për gazin e lëngët.

Porto Romano është përmendur si një terminal të ri ku gazi I lëngshëm amerikan do të shkarkohet dhe rigjenifikohet dhe prej andej do të transportohet në tregjet e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës përmes tubacionit të ardhshëm të gazit, por edhe përmes hekurudhës.

Përveç lidhjes së gazit me Greqinë dhe Malin e Zi, është planifikuar një tubacion gazi Shqipëri-Kosovë me gjatësi 260 kilometra, ndërtimi i të cilit do të kushtojë rreth 210 milionë euro dhe në të ardhmen parashihet të zgjatet deri në Nish dhe përdoret për të furnizuar vendet e tjera në rajon.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button