Home / Ekonomia / Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të vjelë asnjë gjobë në 2019 dhe 2020

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të vjelë asnjë gjobë në 2019 dhe 2020

Viti i fundit kur AK kishte raportuar arkëtime të gjobave kishte qenë 2018, për një shumë totale prej 269 milionë lekësh. Këtu përfshihen gjobat ndaj ish-AMC/Telekom Albania (e vendosur që në 2007), Vodafone Albania, SGS, etj.

AK ka ndërmarrë vendime që sanksionojnë gjoba edhe në periudhën 2019-2020 siç ka qenë rasti i vendimit ndaj Durrës Container Terminal apo ai ndaj 24 ndërmarrjeve të tregtimit të tregtimit të materialeve paramjekësore, duke shtuar këtu edhe vendimet ende të paekzekutuara nga vitet e mëparshme, siç është rasti i gjobës prej 43 milionë lekësh ndaj kompanisë EKMA Albania.

Ndërkohë, sipas burimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, vetëm këtë vit janë arritur të vilen pjesërisht disa detyrime, konkretisht një pjesë e gjobës prej 5 milionë lekësh ndaj Durrës Container Terminal, si edhe një gjobë prej dy milionë lekësh e paguar vullnetarisht nga një kompani farmaceutike, pavarësisht se subjekti vetë e ka ankimuar çështjen në gjykatë.

Sipas burimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, një nga arsyet kryesore që shkaktojnë vonesa në ekzekutimin e vendimeve për gjoba janë çështjet e gjata gjyqësore. Vendimet e AK janë titull ekzekutiv, megjithatë subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për kërkuar pezullim të ekzekutimit të tij. Shumë vonesa lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore.

Megjithatë, ka pasur edhe raste flagrante kur ekzekutimi i vendimit është penguar nga vetë veprimet e përmbaruesit të zgjedhur nga AK për ekzekutimin e vendimit. Një rast i tillë është ai i gjobës ndaj firmës EKMA Albania, kompania që ka në pronësi tregun e shitjes me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë. AK zgjodhi një përmbarues privat për ekzekutimin e vendimit të marrë që në vitin 2018, por ai nuk e përmbushi këtë detyrë për disa muaj me radhë.

Duke iu referuar informacioni nga AK, ai madje keqpërdori një korrespendencë me këtë institucion për të marrë vendim për pushimin e ekzekutimit. Pasi u informua, AK e ankimoi në gjykatë vendimin për pushimin e ekzekutimit dhe e fitoi çështjen në shkallën e parë. Vetë përmbaruesi, e ankimoi vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, ku çështja ndodhet edhe sot. Sipas AK, procedura mund të vijojë vetëm pasi të ketë një vendim të formës së prerë për të rrëzuar vendimin e përmbaruesit për pushim ekzekutimi. Ndërkohë, AK i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë procedim disiplinor për përmbaruesin në fjalë, që në vlerësimin e këtij institucioni duket se e ka sabotuar qëllimisht ekzekutimin e vendimit.

Rasti i gjobës së EKMA Albania përbën një shembull emblematik të problemeve për ekzekutimin e gjobave nga AK. Zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve e zhvlerëson shumë fuqinë rregulluese të sanskioneve të AK për garantimin e konkurrencës së drejtë dhe mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: