Ekspozita

Ekspozita “XXI” nga Arben Golemi

319-532x350“XXI” quhet ekspozita personale e Arben Golemit, e cila e prezantuar në Galerinë “FAB” do të qëndrojë e hapur për të gjithë publikun deri në  30 tetor 2014

“Aventura nga konkretja drejt abstraktes, për shumë artistë të shekullit të XX, ishte përkufizimi i vetë krijimtarisë së tyre artistike, ishte botëkuptimi i tyre filozofik për një shekull, gjatë të cilit njerëzimi disa herë u desh të ngrihet nga rrënojat e veta”, citon kuatori i ekspozitës Ermir Hoxha, i cili vijon më tej duke shtuar se “edhe për Arben Golemin krijimtaria artistike ngjizet në një format të tillë”. “Ajo niset nga “gurët e themelit” drejt abstragimit të formave, linjave e strukturave arkitektonike, pa e humbur identitetin e vet”, shton Hoxha.

Si një filozofi instiktive, ajo kthehet e rikthehet në përditshmërinë e saj, duke ripropozuar forma e ngjyra që shpërhapen me forcë në sipërfaqe të mëdha, në një rend estetik të sprovuar, por me shijen e “herës së parë”, si një piktor që kërkon në subjektet e tij emocionin e parë të krijimit.

Në aventurën e tij të 21-të personale, Golemi prezantohet me dy cikle të reja tablosh, realizuar mes viteve 2011 – 2013, atë të Nju Jorkut dhe atë të Pyllit.

Cikli i parë prezantuar në ekspozitë lindi në Nju Jork në vitin 2011, kur Golemi vendos ti dedikojë një seri të gjatë rrokaqiejve të qytetit. Këtë subjekt ai e servir në plan të parë si protagonist absolut të karakterit të vetë qytetit, duke theksuar stërzgjatjen e tyre vertikale, reflekset kromatike, supremacinë dhe kthjelltësinë arkitektonike.

Në ciklin tjetër Hoxha propozon kahun e kundërt të urbanizimit, Pyllin e errët, që për çdo filozof a shkrimtar simbolizon “thjesht” natyrën e errët të shpirtit njërezor. Shumë prej tablove të këtij cikli transmetojnë pikërisht tensionin dhe mistikën e natyrës së egër, ku trungjet ngushtohen me njëri-tjetrin duke reduktuar hapësirat në minimumin e domosdoshëm.

Të dy ciklet i thërrasin një bote larg realitetit të përditshëm urban dhe Golemi i përzgjedh ato si “oaz” i ri inspirimi, të largët por domethënës, për të servirur pikërisht atë që e përditshmja nuk ofron.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button