Home / Rajoni / Presidenti Biden emëron diplomatin Christopher Hill për postin e ambasadorit në Serbi

Presidenti Biden emëron diplomatin Christopher Hill për postin e ambasadorit në Serbi

Christopher R. Hill, është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm. Kohët e fundit, ai ishte profesor në Shkollën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike të Universitetit Columbia.

Para se të tërhiqej nga shërbimi i Jashtëm në vitin 2010, zoti Hill shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Kore, Poloni dhe Maqedoni, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si Shef i delegacionit amerikan në bisedimet për Korenë e Veriut.

Ambasadori Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi. Në tetor të vitit 2016, ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani, e nderoi zotin Hill me titullin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, në 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Në vitet e 90-ta ai ishte anëtar i ekipit negociues që hartoi marrëveshjen e Daytonit në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, zoti Hill shërbeu si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, deri në konferencën e Rambouilletit, e cila i hapi rrugën ndërhyrjes së NATO-s që i dha fund luftës në Kosovë.

Ish ambasadori amerikan në Serbi, Michael Kirby, që ka shërbyer si ambasador amerikan në Serbi nga viti 2012 deri në vitin 2916, tha se emërimi i zotit Hill për ambasador në Beograd, dëshmon se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë vërtetë përparim në atë pjesë të botës, në të cilën Serbia ka rol thelbësor.

“Mesazhi i këtij emërimi është se presidenti Biden për shumë vjet ka dëgjuar se si serbët flasin që do të bëjnë disa gjëra, por nuk kanë bërë atë që e kanë premtuar. Kjo është mundësia që të ndodhë përmbushja e zotimeve. Administrata është serioze dhe ju bëhuni serioz. Gjërat nuk mund të zgjaten në pafundësi”, i tha zoti Kirby programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Ai përmendi siç tha, faktin se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka bërë premtime në Shtëpinë e Bardhë dhe është koha t’i përmbushë ato, duke vënë theksin te zotimi për të ndriçuar vrasjen e vëllezërve Bytyçi, shtetas shqiptaro amerikanë të vrarë në Serbi në korrik të vitit 1999.

Zoti Kirby, shprehet i bindur se përvoja e ambasadorit Hill do të jetë me rëndësi edhe për procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, i cili sipas tij, nuk po ecën si duhet.

“Bisedimet nuk bëhen vetëm sa për të biseduar, por duhet të çojnë te qëllimi i caktuar, që për mendimin tim është; Serbia në BE dhe Kosova e pavarur”, tha zoti Kirby.

Në qershor të vitit 2013, ai së bashku me diplomatin austriak, Wolfgang Petrisch, u nderuan me titullin doktor “honoris causa” nga Universiteti i Prishtinës, “për rolin e tyre në sjelljen e paqes dhe lirisë për shtetin e Kosovës”.

Zoti Hill me përvojë nga rajoni i Ballkanit, flet edhe serbisht, polonisht, maqedonisht dhe frëngjisht. Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë në Beograd ambasadorin Anthony Godfrey.

Leave a Reply

%d bloggers like this: