Home / Sporti / Tre pikë dhe rekord për Shqipërinë, por sa vuajtje kundër modestëve nga Andorra

Tre pikë dhe rekord për Shqipërinë, por sa vuajtje kundër modestëve nga Andorra

Me një rotacion të gjerë si pasojë e mungesave të shumta prej pezullimeve apo dëmtimeve, Shqipëria ia ka dalë të marrë një trepikësh shumë të vuajtur në ndeshjen e fundit të kualifikueseve për Katar 2022 teksa fituan ndaj Andorrës në shtëpi me rezultatin 1-0.
Kuqezinjtë e trajnerit Edy Reja e nisën ndeshjen me vrull teksa Odise Roshi ishte mjaft aktiv në krahun e djathtë duke ofruar harkime të shumta në zonë, por që për asnjë moment nuk u shfrytëzuan.

Por, rastin e parë të rrezikshëm e krijuan miqtë me Ramadanin që humbi topin pranë zonës së tij. Gjithsesi, Strakosha mendoi të largonte rrezikun ndërsa kombëtarja u kundërpërgjigj me anë të një kundërsulmi ku Laçi nuk arrin të kombinohet me Seferin. Ndërkohë, në fundin e pjesës së parë, kuqezinjtë shpërdorojnë sërish me Laçin dhe Uzunin që ndalen nga portieri i Andorrës, ndërsa nga ana tjetër Roshi u ndal vetëm nga shtylla.

Ndërkaq, sa i takon fraksionit të dytë, Reja aktivizoi edhe Muçin me Bajramin duke e bërë ekipin më ofensiv dhe në fakt mesfushori i Empolit, ishte protagonist duke krijuar raste, por edhe duke shpërdoruar një të tillë nga fare pranë portës. Gjithsesi, kuqezinjtë u shpërblyen në minutën e 72 kur Uzuni fiton një 11-metërsh dhe një minutë më pas nga pika e bardhë Endri Çekiçi ndëshkon miqtë.

Në vazhdim, sërish Bajrami e pati një mundësi të mirë por u tregua egoist duke mos pasuar për Muçin apo Roshin që ishin të lirë. Kështu, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe kuqezinjtë morën një fitore të vlefshme  duke ruajtur vendin e tretë në grupin I teksa renditen pas Anglisë dhe Polonisë e lënë mbrapa Hungarinë, Andorrën e San Marinon. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se me 18 pikë të grumbulluara, Shqipëria arrin një rekord pasi kurrë më parë në një fushatë eliminatore nuk kishte mbledhur kaq pikë.

Kronika e ndeshjes:

1’Nis ndeshja në Air Albania, Shqipëria kërkon t’i mbyllë kualifikueset me fitore përballë Andorrës

6′ Inkursion i Roshit nga krahu i djathtë, por harkimi i fierakut nuk sjell rrezik me miqtë që tregohen të vëmendshëm në zonë

15′ Për pak një gabim fatal nga Ramadani, i cili humbet topin dhe i jep mundësinë kundërshtarëve të godasin kuadratin. Për fat të mirë, Strakosha reagon duke devijuar sferën në këndore.

16′ Kundërsulm i shpejtë i Shqipërisë. Laçi pason për Seferin, i cili hedh një harkim të gabuar në zone

24′ Odise Roshi niset me shpejtësi në krahun e djathtë dhe hedh një top në zonë, por largon rrezikun mbrojtja e Andorrës

27’Mundësi e mirë për kuqezinjtë, por goditja e Seferit në zonë nuk ka forcën e duhur për të mposhtur portierin

30′ Miqtë shfaqen sërish në zonë, por Strakosha kontrollon pa problem

40′ Rasti më i pastër i pjesës së parë. Qazim Laçi godet bukur me kokë, grushton portieri i Andorrës, teksa Myrto Uzuni nuk përfiton nga topi i rikthyer dhe gabon

42′ Zbritje e bukur e Rossas. Sulmuesi i Andorrës shmang Dermakun, gjuan drejt portës, devijon Strakosha në kombëtare

45+1′ Shtyllë e Shqipërisë. Krosim i bukur i Erjon Hoxhallarit nga e majta, Odise Roshi zhytet me kokë, por topin përplaset në shtyllë

45+2 Mbyllet pa gola pjesa e parë në Air Albania, kuqezinjtë në fund u ndalën nga shtylla

45′ Starton fraksioni i dytë, Shqipëria e detyruar të sulmojë

54′ Tenton Andorra nëpërmjet kundërsulmit, por miqtë gabojnë në pasimin e fundit

56′ Trajneri Reja bën dy zëvendësime, largohet Ramadani dhe futet Bajrami, ndërsa ndeshja mbyllet edhe për Seferin që i bën vend Muçit. sulmuesi i talentuar debuton me kombëtaren

57′ Skemë e Shqipërisë. Qazim Laçi merr një top nga Endri Çekiçi, i cili godet me të majtën, por topi përfundon mbi tra

61′ Roshi shpërthen dhe shmanget në krah, harkon në gjysmëlartësi për Bajramin, por fantazisti i kombëtares nuk kordinohet saktë dhe shpërdoron një mundësi të artë

71′ Mundësi e artë për Uzunin, Hoxhallari harkon në zonë aty ku sulmuesi godet por ndalet nga mbrojtësi

72′ Kontakt në zonë mes Uzunit dhe mbrojtësit të Andorrës, për arbitrin nuk ka dyshime dhe akordon 11-metërsh

73′ Gooool! Insistimi kuqezi shpërblehet, Çekiçi nuk gabon nga pika e bardhë

76′ Inkusion i bukur i Nedim Bajramit nga krahu i majtë, por fantazisti i Empolit tregohet egoist dhe gabon duke goditur mbi portën e Andorrës ndërsa mund të pasonte për Muçin apo Roshin

92′ Provon Andorra, megjithatë Strakosha ishte në gatishmëri edhe pse aksioni më pas u bë i pavlefshëm si pasojë e një pozicioni jashtë loje

Leave a Reply

%d bloggers like this: