Home / Ekonomia / Nisin procedurat për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Nisin procedurat për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Komisioni Kuvendor i Ekonomisë dhe Financave nisi këtë javë procedurat për plotësimin e vendeve vakante që do të krijohen së afërmi në Këshillin Mbikëqyrës të Shqipërisë.

Vakancat do të krijohen për shkak të përfundimit të mandatit 7 vjeçar të anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola. Ata u zgjodhën në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2014. Natasha Ahmetaj mban edhe detyrën e zëvendësguvernatores së dytë të Bankës së Shqipërisë, që prej majit 2015.

Procedura paraprake e përzgjedhjes do të kalojë në disa faza. Pas shpalljes publike të vakancave nga Kuvendi i Shqipërisë, kandidatët kanë 20 ditë kohë për të paraqitur aplikimin e tyre, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm që vërtetëon plotësimin e kritereve ligjore. Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, kriteret bazë që duhet të plotësojnë kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës janë arsimi i lartë me profil ekonomik ose juridik, përvoja profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit dhe një përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare. Në përfundim të afatit, lista e kandidatëve që kanë aplikuar iu vendoset në dispozicion deputetëve dhe grupeve parlamentare. Brenda pesë ditëve nga dërgimi i listës te grupet parlamentare, shërbimet e Kuvendit organizojnë dëgjesë publike me kandidadët që plotësojnë kriteret ligjore. Pas dëgjesës publike, deputetët përzgjedhin kandidatë që do t’i paraqiten Kuvendit për votim. Për t’iu propozuar Kuvendit në votim, një kandidat duhet të marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve.

Në fillim të vitit të ardhshëm, përfundon edhe mandati si anëtar i Këshillit Mbiëkqyrës i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ai u emërua në këtë detyrë në 5 shkurt të vitit 2015, pas ndërprerjes për shkak të shkarkimit nga detyra të mandatit të Guvernatorit të mëparshëm, Ardian Fullani. Gent Sejko u zgjodh anëtar si kandidaturë e propozuar nga vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Leave a Reply

%d bloggers like this: